English

Pollo, Naço e Mediu fushatë në Poliçan për kandidatin e koalicionit

Poliçan (Skrapar), 3 prill, NOA - Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, njëkohësisht deputeti i Qarkut të Beratit, Genc Pollo, i shoqëruar nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, deputetët Mehmet Xheka e Lefter Maliqi, kanë bërë prezantimin e kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin” në qytetin e Poliçanit, Caush Qato.

“Kemi ardhur si koalicion i gjerë, si “Aleanca për qytetarin, dhe nëse do t’i referoheshim zgjedhjeve të vitit 2009 ose të vitit 2007, shuma matematikore e këtij koalicioni do ta nxirrte atë mbi 51 për qind dhe mund ta shpallnim ndoshta që sot kryetar bashkie. Por ne vijmë këtu se besojmë se, ashtu si shumë qytete dhe komuna në Shqipëri, Poliçani ka nevojë për një ndryshim, por që kjo të ndodhë, në radhë të parë, duhet të jetë njeriu, forca politike dhe elektorati që beson tek kjo forcë dhe mendojmë se ne kemi gjetur kandidatin më të mirë për Poliçanin në katër vitet e ardhshme”, tha Pollo.

Më tej ai theksoi edhe gjendjen aktuale të Poliçanit, ku tha se, në fakt, edhe pse asnjë krahasim nuk është perfekt, të kujton edhe Tiranën, sepse kryetari i bashkisë së Poliçanit, njëlloj si kryetari i bashkisë së Tiranës, e ka kthyer sheshin qendror në një gropë të madhe, që kanë kaluar vite dhe muaj dhe as tenton që ta mbyllë.

“Ashtu si në Poliçan, po ashtu si edhe në Tiranë, Rama dhe të tjerët janë një mbetje nga e kaluara, janë një rrudhë më tepër në fytyrën evropiane të kryeqytetit dhe të këtij qyteti, janë diçka që duhen larguar demokratikisht në datën 8 Maj.”

Në fund të fjalës së tij, Pollo u kërkoi banorëve të Poliçanit, por edhe socialistëve që kanë votuar për PS-në, të votojnë për kandidatin e “Aleanca për qytetarin”, Caush Qato, në mënyrë që të sigurojnë një të ardhme më të mirë për veten e tyre, familjen e tyre dhe për të gjithë komunitetin e banorëve të Poliçanit në përgjithësi.

a.k/NOA

KOMENTE