English

Xhaferri: Durrësi po mbytet nga betoni

Durrës, 3 prill 2011, NOA – Kandidati i “Aleancës për qytetarin” Ferdinand Xhaferri që kandidon për Bashkinë e Durrësit kundër kryebashkiakut aktual Vangjush Dako kërkoi votën e durrsakëve në zgjedhjet vendore të 8 majit për ta ndalur sa më parë betonizimin e qytetit bregdetar. Duke folur me bashkëqytetarët e tij durrsakë kandidati Xhaferri sqaroi se arsyeja pse ai la postin e ministrit të Turizmit për të kandiduar për Bashkinë e Durrësit është sepse është qytetar i Durrësit dhe sikundër bashkëqytetarët e tij nuk mund të lejojë më që qyteti bregdetar i Durrësit të mbytet nga betoni.

Xhaferri akuzoi kundërshtarin e tij Dako se me projektet e tij i ka marrë para çdo qytetari.

“Vangjushi ka bërë beton dhe para, ne sot do ta kishim më të vështirë me Vangjush Dakon, nëse gjatë këtyre viteve do të investonte për qytetarët durrsakë, për rrugët e Durrësit. Por Durrësi po blindohet nga betoni”, akuzoi kandidati i “Aleancës për qytetarin”.

Ai bëri me dije se “Ne nuk jemi në garë me Vangjush Dakon, sepse ne durrsakët nuk kemi betoniere”.

Duke iu referuar projekteve të qeverisë kandidati Xhaferri premtoi se do të kërkojë mbështetjen e qeverisë për infrastrukturën në Durrës.

“Durrësi i 2015-ës do të jetë një qendër e fuqishme, qendër tregtare e transporti

Ne do të bëjmë maksimumin që ta bëjmë Durrësin qytetin që ëndërrojnë qytetarët tanë”, premtoi Xhaferri.

Ai nënvizoi se qyteti i Durrësit duhet të ketë një transport unazor dhe siguroi se nëse ai fiton zgjedhjet do t’i japë zgjidhje edhe kanalizimeve të ujërave të zeza e bardha.

Ai garantoi gjithashtu se deti, pasuria më e madhe e Durrësit do të shfrytëzohet më mirë kur të hyjë në funksionim rruga e re nga Currilat.

“Ndihem i prekur e i emocionuar që më propozoni si kryetar i bashkisë së Durrësit”, u shpreh kandidati Xhaferri.

Duke risjellë në vëmendje vitet e diktaturës kandidati i “Aleancës për qytetarin” rikujtoi se “40 vite më parë kur Shqipëria ishte e izoluar, një fermer u tha qytetarëve se nëse deti Adriatik do të thahet vetëm 5 minuta durrsakët do të vrapojnë zbathur drejt Italisë”.

Në këtë kontekst kandidati Xhaferri shprehu kënaqësinë se sot nuk është më e nevojshme të thahet deti, pasi janë hequr vizat për shqiptarët duke mundësuar kështu lëvizjen e lirë në BE.

“Unë jam durrsak, u linda në Durrës, jam rritur në Durrës dhe nuk jam shkëputur asnjëherë nga ky qytet” tha Xhaferri.

Ishte hiti i njohur i grupit britanik Europe “Final countdoun” që mbylli ceremoninë e hapjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit në Durrës nga “Aleanca për qytetarin”, që kandidon ish-ministrin e Turizmit Ferdinand Xhaferri.

mit/NOA

KOMENTE