English

Berisha: Me anëtarësimin në NATO garantuam lirinë

Tiranë, 4 prill 2011, NOA – Në përvjetorin e dytë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kryeministri Sali Berisha deklaroi se anëtarësimi në NATO i Shqipërisë është arritja më madhore për shqiptarët në fushën e lirisë dhe atë të sigurisë. “Me anëtarësimin në NATO”, tha kryeministri shqiptarët garantuan mundësinë e ndërtimit të së ardhmes së tyre në liri, pas një të shkuare mjaft të dhimbshme”.

Shefi i qeverisë në deklaratën e tij nga selia e kryeministrisë theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u bë realitet për shkak të reformave të thella dhe të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria e djathtë pas ardhjes në pushtet në vitin 2005.

Por, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen ndaj qeverisë dhe presidentit amerikan dhe vendeve anëtare të NATO-s duke theksuar se “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte rezultat i mbështetjes së qeverisë dhe presidentit të SHBA-ve dhe mbështetjes së gjithanshme të udhëheqësve të Aleancës së Atlantikut të Veriut”.

Në këtë datë të shënuar, më e madhja e historisë sikundër tha kryeministri ai përshëndeti të gjitha anëtaret e Aleancës së Atlantikut të Veriut për mbështetjen dhe ndihmën që ato i dhanë dy vjet më parë Shqipërisë, duke votuar pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

“Dua të garantoj Aleancën e Atlantikut të Veriut se Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të vendosur të bëjnë të gjitha përpjekjet për përmbushjen e të gjitha detyrave që vijnë nga anëtarësimi në këtë aleancë, si dhe të garantoj për konsolidimin e shtetit ligjor në Shqipëri, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë dhe forcimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, siguroi më tej shefi i ekzekutivit.

Kryeministri nuk pranoi pyetje të tjera nga mediat në këtë konferencë për shtyp, duke e cilësuar atë si një deklaratë përshëndetëse vetëm për anëtarësimin në NATO.

Për të vetmen pyetje kryeministri u përgjigj kështu: “Shqiptarët kanë bërë dhe do të zhvillojnë zgjedhje sipas standardeve të NATO-s”.

mit/NOA

KOMENTE