English

Topi: Edhe për sjelljen në politikë referojuni Baba Dede Reshat Bardhit

Tiranë, 4 prill 2011, NOA – Udhëheqësit shpirtëror të Bektashinjve, Kryegjyshit Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë iu dha sot lamtumira e fundit edhe nga presidenti i Republikës Bamir Topi. Presidenti Topi bëri homazhe në Pallatin e Kongreseve duke vendosur një kurorë me lule dhe u përul në nderim të njërës prej figurave më të shquara fetare shqiptare, Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhit.

Pas përuljes para trupit të pajetë të udhëheqësit të lartë fetar, Kryetari i Shtetit u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, drejtuesve dhe anëtarëve të Bashkësisë Bektashiane, etj.

Në prononcimin e tij për mediat Presidenti Topi u shpreh se “Sot bëjmë homazh për një njeri të madh. Si President i Republikës, kam ardhur këtu jo vetëm të nderoj Baba Dede Reshat Bardhin, si një institucion i jashtëzakonshëm dhe një kontributor i pamatë për rivendosjen e besimit shpirtëror, fetar, në institucione, por për ta kujtuar atë edhe si një atdhetar, si një patriot”.

Kreu i Shtetit theksoi se “kam privilegjin që e kam njohur këtë njeri të madh, një njeri i urtë, një njeri i ekuilibruar, i mençur, dhe besoj do të jetë model për të gjithë, si një pikë referimi se si duhet të sillet njeriu në shoqëri, për të qenë yll polar për paqen në institucione dhe për paqen në shoqëri”.

“I përjetshëm qoftë kujtimi për Baba Dede Reshat Bardhin!”, tha presidenti.

I pyetur për incidentet që kanë shoqëruar fushatën elektorale ditët e fundit, presidenti Topi preferoi të mos komentonte duke theksuar se “Unë nuk dëshiroj të ngatërroj këtë ditë me fushatën. Edhe për fushatën, edhe për mënyrën e sjelljes në politikë e shoqëri, referojuni figurës së Baba Dede Reshat Bardhit dhe secili do të gjejë momente për refleksion”, përfundoi prononcimin e tij, kryetari i Shtetit.

mit/NOA

KOMENTE