English

Vdekja e Aristotel Gumës, Greqia: Jemi skeptik për drejtësinë shqiptare

Athinë, 6 prill, NOA - Ministria e Jashtme e Greqisë ka shprehur shqetësimin për mos zbardhjen e vdekjes së Aristotel Gumës. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Grigoris Delavekouras ka deklaruar se Shqipëria duhet të respektojë të drejtat ndërkombëtare. Ai është shprehur Athina zyrtare është e shqetësuar dhe skeptike në lidhjen me faktin se pas 9 muajsh nuk ka pasur një përgjigje zyrtare në lidhje me këtë hetim nga organet e drejtësisë.

Delavekouras është pyetur nga gazetarët në lidhje me vlerësimin që kanë bërë ekspertët në Shqipëri, të cilët e kanë cilësuar vdekjen e Gumës si pasojë e një aksident.

"Ne presim nga Shqipëria, duke qenë një anëtare e Këshillit të Evropës dhe një shtet që aspiron për në BE, që të garantojë administrimin e duhur dhe shpejtësinë e dhënies së drejtësisë”, tha ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ka theksuar se pala greke nuk ndërhyn në sistemin e drejtësisë së Shqipërisë, por nga ana tjetër ka shtuar se "të gjitha opsionet janë duke u konsideruar përsa i përket lëvizjeve tona në të ardhmen".

Zëdhënësi Delavekouras kujtoi për mediart se "më 12 gusht 2010, një grup nacionalistësh shqiptarë kanë ndjekur dhe vrarë grekun etnik Aristotelis Goumas, sepse ai fliste greqisht". Ai ka përmendur dhe deklaratat e Sali Berishës dhe Ilir Metës, pas ngjarjes, të cilët sipas zëdhënësit, “e kanë dënuar aktin dhe e kanë cilësuar si vrasje me motive etnike”.

a.k/NOA

KOMENTE