English

PDIU prezanton kandidatin për njësinë bashkiake nr.7

Tiranë, 7 prill 2011, NOA- Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet gjatë ditës së sotme ka prezantuar kandidatin e saj në njësinë bashkiake nr.7 në kryeqytet.

Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi deklaroi se Krenar Alimehmeti është kandidati më i mirë për njësinë bashkiake numër 7, dhe shprehu bindjen për një fitore të thellë.

Idrizi deklaroi se çështja kombëtare duhet të nis nga pushteti lokal, si pikënisja për një Tiranë moderne dhe metropol të vërtetë.

"Krenar Alimehmeti është kandidati më i mirë për Njësinë Bashkiake numër 7. Ka ardhur çasti për të votuar një djalë Tirane dhe energjik si Krenar Alimehmeti. Programi i PDIU-së për pushtetin lokal është një program modern që do të zbatohet nga një person që do të ketë dyert hapur për të gjithë qytetarët e njësisë 7", deklaroi kreu i PDIU. Ndërsa presidenti i nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini vlerësoi figurën e kandidatit Alimehmeti dhe ftoi të gjithë banorët që të mbështesin kandidaturën e tij.

Ndërkohë vetë Alimehmeti gjatë fjalës së tij tha se, duhet një qeverisje e decentralizuar dhe më e mirë, duke shtuar se bashkë me qytetarët do përmirësohet në maksimum e gjithë njësia bashkiake numër 7.

“Unë nuk do ndalem përpara statistikave pozitive e as para treguesve të tjerë në letër por do të ndjek si personalisht po ashtu edhe me stafin tim punën në terren për të përmirësuar me maksimumin e përpjekjeve tona, jetën e çdo kujt, ambientin që na rrethon dhe ta bëjmë këtë zonë një nga zonat me të mira të jetueshme në Tiranë”, u shpreh Alimehmeti gjatë fjalës së mbajtur para banorëve.

a.y/NOA

KOMENTE