Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Saliu dhe Iliri e dinë se çfarë rreziku i pret
English

Saliu dhe Iliri e dinë se çfarë rreziku i pret

"Ne e dimë mirë në çfarë zgjedhjesh të rrezikuara po hyjmë, por edhe Saliu me Ilirin duhet ta mësojnë sot se çfarë rrezikojnë po prekën votën në 8 maj: Jo më një lëvizje qytetare për hapjen e kutive, po një lëvizje të re demokratike që do ta udhëheqim pa asnjë ngurrim duke i bërë thirrje popullit hapur, qartë, troc, që të dëbojë qeverinë njësoj sic dëbohen regjimet që ndalojnë demokracinë të bëjë punën e saj"....

Nga Edi Rama*

Dje në Tiranë lindën 21 fëmijë. Fëmijë familjesh që mbajnë emra të vjetër tiranas dhe fëmijë familjesh të ardhura në Tiranë, nga veriu e jugu, për një jetë më të mirë. Të gjithë tiranas pa dallim, fëmijë të kryeqytetit që ne rilindëm. Në këtë moment të veçantë të historisë së këtij qyteti, ku ne mblidhemi sot për të çuar përpara Tiranën e gjithë Shqipërinë në rrugën e së ardhmes, unë jam krenar që 21 fëmijët e lindur dje do marrin nga Bashkia e Tiranës çekun e bebes. Është një çek që e merr çdo fëmijë që dashuria, ëndrrat e shpresat e familjeve të reja të këtij qyteti që rritet përditë, sjellin në jetë në maternitetet e Tiranës. Janë 6000 fëmijët që e marrin çdo vit. Është një cek që, përtej shumës së parave që futet në bankë për beben e vogël, simbolizon politikën tonë të re të kujdesit për çdo fëmijë e të respektit për çdo prind e familje kryeqytetase, pavarësisht prejardhjes, përkatësisë krahinore a anësisë politike. Është një cek që ne do të vazhdojmë ta japim çdo mëngjes, për çdo fëmijë të lindur në Tiranë, sepse Tirana është e të gjithëve dhe të gjithë janë për Bashkinë e Tiranës qytetarë të lirë e të barabartë në të drejtën për t’u shërbyer e respektuar prej nesh. E kam të mbresuar në kujtesë një grua të re, ardhur bashkë me të shoqin prej Veriut, kur më preu rrugën tek bashkia dhe m’ u hakërrye se djali i saj, me të gjitha dhjeta, nuk e kishte marrë bursën bashkiake të ekselencës. Ajo ishte e bindur se djali i saj diskriminohej për shkak se familjarisht qenë me Partinë Demokratike. Nuk më besoi kur i thashë shkoni në bankë, aty me siguri janë lekët e djalit nëse është me të gjitha dhjeta dhe iku pa bërë kujdes për fjalët. Të nesërmen, bashkë me burrin e djalin, më prisnin tek dera për të më shprehur keqardhjen për keqkuptimin. “Nuk na besohej që të mos na i kishin vu vizë djalit në bashki”, tha gruaja, “se kështu jena nda, ku hanë demokratët s’ka për socialistat dhe ku hanë socialistat s’ka për demokratët”. Jo, i thashë, në Bashkinë e Tiranës ne nuk i ndajmë qytetarët në socialistë e në demokratë. As paratë e qytetit nuk i shpenzojmë për dasira të tilla mes njerëzve, po vetëm për punë të mira për të gjithë. Nuk i ndajmë qytetarët në tanët e në të tyret as në Durrës, Elbasan, Korçë e kudo ku qeverisim komunitetet vendore me sukses të padiskutueshëm. Sepse për ne qytetarët janë të parët çdo ditë, jo vetëm një ditë në katër vjet kur duhet shkruar slogani i fushatës. E vetmja rrugë për ne është rruga që nuk i ndan asnjëherë qytetarët në rozë e në blu, nuk e ndan kurrë qytetin në komunitete rozë e komunitete blu, nuk e ndan në asnjë mënyrë Shqipërinë në territore rozë e territore blu. E vetmja rrugë për ne është rruga që i bashkon shqiptarët, si bashkëqytetarë që gëzojnë liri e të drejta të barabarta kushtetuese, ligjore, njerëzore, nën flamurin kuqezi të republikës sonë. E vetmja rrugë për ne është Aleanca për të Ardhmen me çdo njeri e familje të zakonshme të këtij vendi që do një cek për beben e sapolindur, një trajtim të veçantë për nënën shtatzënë e pas shtatzënisë, një abetare falas për fëmijën e libra dhe fletore pa taksën e kusarisë, një shkollë të standarteve europiane për çdo nxënës, një bursë ekselence për djalin a vajzën e shkëlqyer në mësime, një universitet europian prej vërteti që s’prodhon diploma pa vlerë në këmbim të lekëve që thith si piramidë, një punë për të jetuar denjësisht, një faturë uji, dritash, ilaçesh pa hile e pa peshë të papërballueshme për ekonominë familjare, një sistem taksash të drejtë, ku ata që kanë më pak të paguajnë më pak dhe ata që kanë më shumë të paguajnë më shumë, një shërbim shëndetësor dinjitoz e të sigurt, një shtëpi me hipotekë a me qera lehtësuese në qytet kur të ardhurat e ulëta nuk e mundësojnë strehimin normal, një krah të fuqishëm nga shteti në fshat ku toka s’kthen dot më as shpenzimin për naftë, një qeveri që punon me drejtësi, përkushtim, dinjitet, dhe sigurisht siguri, siguri në rrugë, në punë, në jetë. E vetmja rrugë, për t’i bërë realitet të gjitha këto kërkesa elementare njerëzore të mohuara në mes të Europës për shumicën e shqiptarëve, jemi ne. Ne jemi ndryshe, krejt ndryshe, prandaj modeli ynë funksionon edhe kur na bllokojnë, godasin, pengojnë. Nga bursa bashkiake e ekselencës kanë përfituar në vite 11.670 nxënës të kryeqytetit. Përmes kësaj burse, çdo vit, kemi shpenzuar për nxitjen e dijes dhe promovimin e shembullit të këtyre qytetarëve të shkëlqyer, vlerën e një shkolle të re. Kjo është shkollë e pa ndërtuar fizikisht, po moralisht, është godina plot dritë e respektit për meritën që mishëron vizionin tonë për një të ardhme ku njerëzit të mos jenë të ndarë e të përçarë për shkak të politikës; ku politika të bëhet forca e promovimit të ideve, projekteve, talenteve e vullneteve të mëdha njerëzore të këtij vendi; ku ne të jemi rruga e rritjes së cilësisë së jetesës familjare dhe të bashkëjetesës qytetare mes shqiptarëve. E vetmja rrugë për ta bërë realitet të Shqipërisë këtë vizion europian të shoqërisë jemi ne. Ne jemi e vetmja rrugë që askush, asnjë shqiptar që është në rregull me ligjin, të mos i friket qeverisë për shkak të mendimeve të tij, të sjelljeve të tij, të zgjedhjeve të tij. E vetmja rrugë që asnjë nëpunës të mos humbasë vendin e punës si pasojë e bindjeve të tij. Asnjë mësues të mos detyrohet të shkojë në mitingjet e qeverisë kundër dëshirës së tij. Asnjë polic të mos vihet nën urdhëra të paligjshëm për bukën e gojës së familjes së tij. Asnjë sipërmarrës të mos kërcënohet me gjoba mafioze për shkak të pavarësisë apo paanësisë së tij. Asnjë gazetë, ekran, faqe online, të mos jetë rrezik për kushtet e jetesës së një pronari shtypi a gazetari apo kërcënim për vetë jetën e tij. Asnjë derë e shtetit të mos i mbyllet në fytyrë një qytetari që, pavarësisht si quhet, nga vjen, ku beson, për kë voton, ka të drejtën e shërbimit e të zgjidhjes për hallin e tij. Ne jemi ndryshe edhe sepse nuk i lemë në rrugë ata që për arsye të moshës, të dobësive të trupit, të ngjyrës së lëkurës, të një fatkeqësie sociale a njerëzore, s’ia dalin dot njësoj si të tjerët në betejën me vështirësitë e jetës a me paragjykimet e shoqërisë. Tek ne, në Bashkinë e Tiranës, pensionistët paguajnë dhjetë herë më pak kontribute se një familje e zakonshme , e cila gjithë-gjithë i paguan qytetit vetëm 550 lekë në muaj. 550 lekë në muaj për të mbajtur pastër Tiranën, për ta gjelbëruar, ndriçuar, ndërtuar rrugë, shkolla, kopshte, çerdhe, kryer shërbime sociale për ata që kanë më shumë nevojë. Ndërsa veteranëve të luftës, invalidëve të punës, paraplegjikëve a tetraplegjikëve, nuk u merret asnjë lek taksë, po vetëm u kërkohet ndjesë që bëjmë sa mundemi, pa bërë dot aq sa ata meritojnë. Ne jemi ndryshe, sot jemi e vetmja rrugë për ata që nuk jetojnë në oborrin e pushtetit të vjedhur për të vjedhur Shqipërinë. Shqiptarët e dinë këtë. Kanë kohë që e kuptojnë. Prandaj na votuan në 28 qershor 2009 për t’i mirëqeverisur. Prandaj do të na votojnë edhe më shumë, edhe më të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e ndryshimit, në 8 maj. Dy vjet më parë votat u vodhën dhe Shqipëria ra në rrokullimën e kusarisë pa dorashka e të gënjeshtrave pa hesap. E kërkuam dhe do ta kërkojmë deri në fund hesapin e atyre zgjedhjeve, jo për vete, jo për llogaritë e një pushteti që s’na intereson si qëllim në vetvete, po sepse e kemi ditur qysh ditën e parë atë që shqiptarët po provojnë në kurriz ditë për ditë. Një qeveri që del nga vota e vjedhur ka dalë jo vetëm nga kontrolli i ligjit dhe i qytetarëve, po edhe nga çdo lloj vetëkontrolli. Vjedhja e votës është hyrja në rrugën qorre të një krimi që e bëjnë çdo ditë pushtetarët dhe e paguajnë përditë e më shtrenjtë qytetarët. Tek vjedhja e votës nis braktisja e hapur e interesave kombëtare, shkelja e vazhdueshme e interesave publike, dhunimi i pandalëshëm i interesave të njerëzve që humbasin fuqinë për ta shkarkuar qeverinë me votë. Për ta zëvendësuar me votë. Për ta korrigjuar me votë. Për ta ribesuar me votë. Një qeveri që ta merr votën edhe kur s’ia jep, të merr pastaj lekët, shpirtin, jetën. Sepse nuk i duhesh, nuk i vlen, nuk i hyn në asnjë llogari të sajën. Qeveritë e dala nga vota anketojnë përditë qytetarët, interesohen përditë çfarë mendojnë zgjedhësit për një nisëm, një projektvendim, një projektligj apo edhe thjesht një komunikim me median të kryeministrit. Sepse çdo fjalë peshon, çdo hap matet, çdo aksion gjykohet nga populli që voton dhe çdo gabim kushton. Ja pse në vendet ku votohet lirisht njerëzit vlejnë, dëgjohen, respektohen. Ja pse në vendet ku vota nuk vidhet nuk ka ministër që hap zjarr mi popullin e vet, që as dorëhiqet, as ndëshkohet dhe pastaj, vetëm tre muaj pasi ka vrarë, kandidon për kryetar bashkie në kryeqytet. Nuk ka aty ku vota nuk vidhet, as parti që grabit me bllok në dorë dhe jo vetëm rri në qeveri, po mbulon kryeqytetin me flamujt e saj të varur nëpër shtylla ndriçimi e pemë. Nuk ka as kryeministër që pasuron familjen e oborrin e tij me vendime qeverie të paligjshme e me ligje antikushtetuese aty ku vota nuk vidhet. Ja pse vota është një fuqi magjike pa të cilën magjia e demokracisë i le vendin një degjenerimi të përditshëm të qeverisjes, të institucioneve, të konkurrencës në treg, të të gjitha hapësirave të lirisë, mu kështu siç po ndodh në Shqipërinë e vjedhur në votën e saj. Në Vlorë kanë filluar të hyjnë kamionët e ngarkuar me plehra të importuara për të pasuruar Saliun e oborrin e tij duke helmuar e mbindotur Shqipërinë. Pushteti i votave të vjedhura ka errur sytë dhe dyllosur veshët e atyre që sot ulen në tryezën e qeverisë për të miratuar akte barbarie e kusarie të pashoqe në historinë e këtij vendi. Kjo e plehrave është një barbari me pasoja të pallogaritshme për mushkëritë e Shqipërisë e të shqiptarëve. Por është një pasojë plotësisht e kuptueshme e vjedhjes së votave, ku ka nisur një e keqe që ka hyrë në palcën e demokracisë, të drejtësisë, të ekonomisë. E keqja që në 21 janar vrau për të vazhduar të vjedhë e të sundojë Shqipërinë me vota e para të vjedhura. E keqja që i bën krimet duke marrë jetë njerëzish si në Gërdec, si në pragun e shtëpisë së Fatmir Xhindit apo Remzi Veselit, si në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe pastaj duke e ndaluar drejtësinë të bëjë drejtësi. E keqja që ka marrë peng parlamentin, gjithë procesin ligjvënës, për të ligjëruar grabitje pasurish publike e pronash private dhe larje parash që vijnë nga rrugët e saj të nëndheshme. E keqja që futi në tërë makinat e Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë llumin e saj, duke ua shitur qytetarëve për naftë, duke u shkatërruar makinat e mushkëritë dhe ndotur si s’ka më keq ajrin e vendeve ku jetojmë. E keqja që po zhyt çdo ditë e më shumë shqiptarë në borxhe për ushqimin e përditshëm, por po zhyt edhe Shqipërinë në borxhe të barabarta me vetë me të ardhmen. E keqja që e ka çuar në 1 milionë numrin e të papunëve të këtij vendi dhe thith prej xhepave të njerëzve përqindjen e saj të dhunshme deri edhe nga paratë e abetareve e të ilaçeve. Është kjo e keqja që e gjen një popull kur vidhet në votën e tij dhe ndalohet në fuqinë për të ndëshkuar me votë qeverinë e tij. Ata që jetojnë sot më keq se dje, s’duhet të dyshojnë për asnjë sekondë se e keqja që ua merr lekët si era kur dalin në pazar dhe kthehen thuajse duarbosh në shtëpi, vjen nga moskokëçarja përbuzëse e qeverisë që u ka vjedhur votën. Vota e vjedhur është një keqe që i pjell të këqijat zinxhir në këmbët e njerëzve të zakonshëm. Dhe vetëm vota popullore, e mbrojtur sy për sy e dhëmb për dhëmb, si vullnet Sovran për t’i thënë “Kurrë më!” këtij pushteti të vjedhur, do ta këpusë zinxhirin e të këqijave në 8 maj. Vota e 8 majit është mundësia që secili të marrë hakun që i takon duke i thënë Saliut “Kurrë më!”. Kurrë më vrasje e tortura qytetarësh që demonstrojnë kundër qeverisë. Kurrë më grabitje pasurish të popullit e pronash të qytetarëve me ligje antikushtetuese e me vendime qeverie të paligjshme. Kurrë më një pushtet që mbron kryeministrin, ministrat e shërbëtorët e tyre nga drejtësia dhe një drejtësi që s’i jep qytetarit të drejtën që i njeh ligji. Kurrë më flakje nga puna të qytetarëve për arsye politike dhe kurrë më presion psikologjik mbi nëpunësit, mësuesit, mjekët, policët për t’u sjellë si ushtarë të partisë në pushtet. Kurrë më konkurrencë e dhunuar në treg dhe monopole që zhvillohen nën sqetullën e kryeministrit për përfitime të paligjshme. Kurrë më trysni mbi median e kapje të saj përmes pushtetit të dhunës e të parave të pista. Kurrë më pengmarrje të qyteteve e të komuniteteve me dhunën qeveritare, që Tirana, Durrësi, Korça e kanë vuajtur në formën e bllokimeve barbare të punëve bashkiake. Mjafton të shohësh qendrën e ngrirë forcërisht të Durrësit, për të parë sesa të ndryshme janë rruga e tyre e dhunës dhe rruga jonë. Rruga e tyre është rruga e dhunës antikushtetuese, e ushtrimit të paligjshëm të forcës, mbi të gjitha e injorancës së verbër që përpëlitet prej zemërimit përpara të bukurës, prej zilisë për suksesin e tjetrin, prej babëzisë. Rruga jonë është rruga e mirëqeverisjes për komunitetin, e ushtrimit të mandatit me forcën e pasionit të ndryshimit, mbi të gjitha e njerëzillëkut, qytetarisë, shqetësimit për të nxjerrë në dritë punë të bukura. Si mundet Saliu e Iliri ta mendojnë qytetarin durrsak kaq tuhaf e të mjerë sa prej mërzisë së bllokimit të punës rindërtuese të Vangjush Dakos, ai t’i kthejë krahët kryebashkiakut që ndërton dhe të shkojë e votojë për pushtetin e tyre që pengon, dëmton, shkatërron? Mjafton të shohësh bulevardin e Korçës, ku si kusarë, Saliu e Iliri shkuan natën me forcat e dhunës antikushtetuese dhe ushtruan forcë të paligjshme, duke shkatërruar trotuarin e saposhtruar e shkulur pemët e sapombjella, për të kuptuar ku të çon rruga e tyre e ku rruga jonë. Rruga e tyre çon në fashizëm, në dhunë e frikë, në regres shoqëror e rrënim ekonomik. Rruga jonë çon në europianizëm, në liri e punë, në modernizim shoqëror e zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Si mundet Saliu e Iliri ta mendojnë qytetarin korçar kaq të prapambetur e të pa sy në ballë, sa të pranojë pushtetin e keqbërësve që mbajnë peng punën e Bashkisë si alternativë të Niko Peleshit që Korçës po i kthen shkëlqimin e të ardhmen? Mjafton të shohësh, nga njëra anë, dosjen e projektit tonë europian të Unazës së Madhe të Tiranës e të financimit të saj me 20 milionë euro nga Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim, dhe nga ana tjetër projektin shkeleshko të pushtetit që e mbajti peng dy vjet unazën, për ta gjoja nisur Saliu tani për sy e faqe fushate, me 5 milionë lekë të vjetra, duke shpifur e sharë Bashkinë e Tiranës, për të kuptuar të këqijat e rrugës së tyre dhe të mirat e rrugës sonë. Rruga e tyre nuk ka të ardhme për qytetarët po vetëm korsi interesash për pushtetarët. Nuk ka as model funksional zhvillimi për vendin as respekt minimal për qytetarin. Në rrugën e tyre nuk ka dritë, nuk ka ekuilibër, nuk ka shpresë. Rruga jonë shkon më larg se mandati ynë dhe në koristë e saj garohet çdo ditë për të shkuar më larg duke ecur më shpejt, jo duke penguar të tjerët që të ecin. Ne kemi model modernizimi e program zhvillimi të qyteteve, fshatrave e gjithë Shqipërisë si një e tërë. Në rrugën tonë ka dritë, ka ekuilibër, ka shpresë. Si nuk e njohu, nuk e kuptoi dhe nuk arriti asnjëherë ta vlerësonte Saliu Tiranën dhe qytetarin e saj, që kurrë nuk mund të tërhiqen zvarrë në rrugën e baltës së shpifjeve, të shembjeve të punëve publike si me Zogun e Zi, të bllokimeve të investimeve si me unazën a si me sheshin Skënderbej apo të bllokimit total të Këshillit Bashkiak? Tre herë e ka marrë Saliu shuplakën e Tiranës për shpifjet, sharjet, vulgaritetin e dhunshëm e dhunën vulgare dhe në 8 maj do të marrë nga Tirana tamam atë që meriton bashkë me Ilirin: Shuplakën më shembullore të votës popullore! Ju sot patë një prezantim shumë të përmbledhur të punës transformuese të Bashkisë së Tiranës dhe një vizion për modernizimin e zhvillimin e qëndrueshëm të kryeqytetit tonë. Vizioni ynë është i përthyer në një plan strategjik, një program tërësor, ku për çdo fushë ka një strategji pjesore dhe për çdo objektiv ka një punë të nisur nga themelet, jo nga prioritetet elektorale apo nevojat e politikës së premtimeve të ditës. Sot Tirana nuk është më thjesht kryetari i bashkisë. Bashkia e Tiranës është një ekip i sprovuar, një administratë e niveleve europiane, i vetmi institucion i shtetit shqiptar që funksionon me manual procedurash për çdo nëpunës dhe ku çdo drejtori ka përpara, krahas planit të vet të ditës, planin afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të punës. Bashkia e Tiranës është një program i mirëpunuar që jetësohet çdo ditë, ndoshta pa anën shumë spektakolare të disa viteve më parë, kur ndërhynim në zemër të qytetit dhe e ringjallnim Tiranën tonë nga balta e plehrat nën të cilat na e la Saliu, por vazhdon në brendësi, duke kuruar çdo ditë plagë urbane e sociale. Ndërkohë që një përmasë madhështore e programit tonë, një shtrirje kapilare e modernitetit në lëvizje idesh, këmbësorësh, makinash, autobuzësh e trenash urbanë, një zhvillim i paprecedent i infrastrukturës ekonomike, universitare e sociale, një hapje me qasje rajonale përtej kufijve të sotëm të qytetit duke sjellë si përfitim jo vetëm për Tiranën, po edhe për komunitetet përreth masa të reja natyre të gjelbër, pret 8 majin, si parathënien e fundit të padiskutueshëm të këtij pushteti kusarësh e dallkaukësh, që dinë vetëm të grabisin e të dëmtojnë dhe pastaj në rrugën e fitores, zgjedhjet e reja si fundi i epokës së salillëkut që po mbyllet me pasoja të lënguese për vendin. Lejomëni t’ju them shumë sinqerisht se në kushte të tjera unë sot do të isha duke prezantuar një tjetër, burrë të zot a grua të zonjën, për ta çuar përpara Tiranën në rrugën e sigurt, të gjerë e me dritë, që është hapur në këto vite punësh kolosale e projektesh solide për vitet që vijnë. Por të gjithë e dinë se çështja madhore e këtyre zgjedhjeve shkon përtej çështjeve aspak dytësore të Tiranës e të komuniteteve të tjera vendore. E di edhe vetë Saliu se kjo çështje është përgjegjësia e drejtpërdrejtë e pushtetit të sotëm – në qeveri e parlament - e Saliut në radhën më të parë, për rënien e vendit në një nivel të patolerueshëm padrejtësie, papunësie, pafuqie demokratike dhe ekonomike. Ky perceptim i ka shtyrë me siguri të gjithë ata miq, shokë, kolegë, dashamirës, të njohur a të panjohur, që me biseda të drejtpërdrejta, mesazhe, letra, të më kërkojnë me ngulm, qëndrimin në krye të trupës së kandidatëve tanë në këto zgjedhje duke qëndruar në krye të betejës për Tiranën. E kam pranuar këtë kandidaturë si një detyrim karshi të gjithë bashkëqytetarëve të mi në radhë të parë, po edhe karshi të gjithë mbështetësve, simpatizantëve e qytetarëve të këtij vendi që e kërkonin nga unë këtë angazhim. Ky është një angazhim për të mbrojtur zhvillimin e Tiranës dhe kthyer pushtetin e votës në duart e qytetarëve, të cilët me ne në 8 maj kanë mundësinë të bëjnë gati largimin e pushtetit që vodhi votat për të vjedhur Shqipërinë dhe vrau për të vazhduar të vjedhë. 8 maji është dita e një aleance të madhe para kutive të votimit. Një aleancë për të ardhmen me çdo shqiptar të zakonshëm, pa dallim bindjesh e përkatësish, në rrugën për të kaluar krizën e demokracisë e drejtësisë dhe nxjerrë vendin nga paraliza ekonomike, duke i hapur një luftë frontale kusarisë, papunësisë, varfërisë. Këto sëmundje që po shkatërrojnë fibrën morale të njerëzve të zakonshëm, prej mishi e gjaku, që përpëliten çdo ditë për të çuar në shtëpi lekët e mbijetesës, kurohen vetëm duke kaluar përmes votës së protestës. Dinjiteti i njerëzve, i cili po cënohet përditë nga sjellja brutale e pushtetit që, për t’i mbajtur të nënshtruar, i kërcënon me bukën e gojës kur e kanë një punë, qofshin nëpunës, mjekë, mësues, policë apo nga ana tjetër sipërmarrës, ose i lë rrugëve të papunë, si s’ka më keq, vendoset në vend vetëm përmes votës së protestës. 8 maji është njëkohësisht një votë besimi për kandidatët tanë dhe një votë proteste ndaj pushtetit që vret e na thotë vrasës. Vjedh e na thotë hajdutë. Gënjen e na thotë gënjeshtarë. Mesazhi im sot për të gjithë, sidomos për ata demokratë të ndershëm e qytetarë pa parti, që duan t’i thonë Saliut “Kurrë më!” po i friken fitores sonë prej kahjes së rrugës, është: Asnjëri nga ne nuk është i përsosur, të gjithë jemi njerëz, me të mirat e me të metat tona, por asnjë njeri i zakonshëm nuk humbet prej fitores sonë. Asnjë nëpunës nuk humbet prej fitores sonë. Asnjë mësues nuk humbet prej fitores sonë. Asnjë mjek e infermiere nuk humbet prej fitores sonë. Asnjë polic nuk humbet prej fitores sonë. Asnjë sipërmarrës nuk humbet prej fitores sonë. Humbet po, kusaria, padrejtësia, pafytyrësia në pushtet. Humbasin ata që vjedhin jo ata që zgjedhin. Nuk është rastësi që sot këtu janë njerëz që deri dje ishin në krahun tjetër të rrugës pas një rezistence të gjatë në burgjet e ferrit komunist. Ata s’janë bërë sigurisht të socialistë, as të majtë. Nuk kanë ndryshuar bindjet e tyre të djathta dhe as janë në një mendje me ne për qasjen ndaj disa problemeve. Por janë këtu sepse nuk negociojnë lirinë e tyre, të drejtat e tyre, dinjitetin e tyre. Nuk negociojnë demokracinë dhe drejtësinë, Kushtetutën dhe ligjin. Nuk negociojnë vizionin e një Shqipërie moderne që s’mund të jetë kurrë bajraku i një kryeministri të dalë nga çdo binar vlerash e parimesh europiane. Nuk është rastësi as që sot ne kandidojmë në njësinë 8 të Tiranës një Vorps, pinjoll i një familjeje që vjen në rrugën e Aleancës për të Ardhmen nga rruga e mundimshme e shumë familjeve autoktone, me pronarë të vjetër e të përndjekur që vazhdojnë të shkelen në të drejtën e pronës. Është koha për t’i vënë, të gjithë të bashkuar, shpatullat Shqipërisë, tamam pa dallim feje, krahine e ideje. Për t’i dhënë çdo qyteti e fshati mundësinë të çlirohet nga diktatura e kusarisë dhe të vrapojë në rrugën e lirisë, barazisë, vëllazërimit. Liri për çdo qytetar të këtij vendi që të mendojë, flasë, mësojë, punojë, fitojë lekë e dinjitet, pavarësisht bindjeve e ngjyrës së partisë në pushtet. Barazi para ligjit e mundësive që ofron ky vend për çdo shqiptar që duhet të ndjehet zot në shtëpinë e vet pavarësisht kush është në pushtet. Vëllazërim mes njerëzve të këtij vendi, të cilëve duhet t’u kthejmë qetësinë dhe sigurinë e të qenit pjesë e të njëjtit atdhe, ku s’mund të ketë diell vetëm në oborrin e pushtetit dhe hije mbi çdo çati familjesh të zakonshme, ku s’mund të ketë ca që bëjnë e kanë c’ të duan dhe shumë që s’kanë as ku trokasin për atë që u takon, ku s’mund të ketë ca që sundojnë dhe shumë që lëngojnë. E patë sot me sytë tuaj Tiranën që ne kemi paraparë për qytetin të çdo qytetari, kryeqytet të të gjithë shqiptarëve dhe kryeqendër të re të rajonit ku jetojmë. E patë sot me sytë tuaj se të ardhmen e kemi rrokur me fuqinë e imagjinatës, me aftësinë e konceptimit dhe hartimit të projektit të një rruge të sigurt drejt saj, me përkushtimin qytetar për t’i shërbyer të ardhmes duke i shërbyer me cilësi në rritje banorëve të kryeqytetit. E patë sot me sytë tuaj horizontin e mundësive të jashtëzakonshme që ka Tirana për zhvillim, punësim, shlodhje e argëtim. Dëgjuat me veshët tuaj jo premtime elektorale, po argumenta zhvillimi. Kuptuat me siguri edhe më mirë se çfarë kanë bllokuar e penguar në fakt Saliu bashkë me Ilirin, duke bllokuar Këshillin Bashkiak e duke bërë çmos për të penguar çdo punë tonën me dhunë arbitrare, antikushtuese e antiqytetare. Nuk kanë bllokuar e penguar Edi Ramën, as Partinë Socialiste, po kanë marrë peng qytetarët pa dallim. Kanë marrë peng socialistët e demokratët po njësoj, që sot do të lëvzinin lirisht në Unazën e Vogël dhe të Madhe të Tiranës; sot do të shijonin madhështinë e bukur të sheshit Skënderbej ku do mund të luanin fëmijët, të shëtisnin baballarët e nënat me karrocat e bebeve, të shlodheshin gjyshet e gjyshërit, të takoheshin e argëtoheshin të rinjtë, të vlonte jeta qytetare pa makina; sot do të kishin pasqyrën e re ujore të Parkut të Integruar të Liqenit bashkë me plazhin urban për verën që po afron. Sot do të kishin edhe shumëçka tjetër më shumë , socialistët e demokratët e thjeshtë të këtij qyteti, që pabesisht u bënë mish për topat elektoralë të Saliut të pozitës e të Ilirit të depozitës. Njëri pozitë të vjedhur, tjetri depozitë parash të vjedhura. Të dy bashkë për të vjedhur. Të dyve bashkë, Saliut dhe Ilirit, edhe socialistët edhe demokratët e thjeshtë kryeqytetas, edhe çdo qytetar pa parti e as interes për politikën, duhet t’u çojnë në 8 maj mesazhin e qartë: Kurrë më! Kurrë më bllokim të Këshillit Bashkiak. Kurrë më votë për Saliun e Ilirin që bllokuan në Këshillin Bashkiak çfarë mundën, që nga buxheti i punëve të qytetit deri te apartamentet e bonuset e qerave për të pastrehët. Çlirimi i Këshillit Bashkiak më 8 maj, do të jetë çlirimi i rrugës së të gjitha punëve tona dhe hapja e një perspektive të qartë për fatin e projekteve tona të mëdha. E patë sot me sytë tuaj atë që duam dhe e kemi në dorë ta bëjmë, të gjithë së bashku, për Tiranën e gjithë Shqipërinë, duke e kuptuar 8 majin ashtu siç është: Një ditë vendimtare për të ardhmen e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, për fatin e demokracisë e të drejtësisë në këtë vend, për nivelin e jetesës së çdo qytetari të Tiranës e të gjithë Shqipërisë. 8 maji është po, dita e një vote për qytetarin, prandaj në 8 maj çdo qytetar duhet të votojë për veten duke ndëshkuar regjimin e kusarëve. Kusarët e votave të dy vjetëve më parë kanë filluar të trokasin dyerve për vota me lekët e pushtetit të vjedhur e me kërcënimet e shtetit të kapur. Duan me çdo kusht Saliu dhe Iliri t’i shpëtojnë ndëshkimit të sigurt të votës popullore në 8 maj. Ndëshkimit për vrasjet me pushkët e shtetit, për grabitjet me bllok në dorë, për gënjeshtrat me mikrofon qeverie. Ndëshkimit për humnerën e tmerrshme që sot ndan ferrin ekonomik të qytetarëve që zgjedhin me parajsën ekonomike të pushtetarëve që vjedhin. Paratë merruani, janë tuajat, votën mos u’a jepni kurrë! Vota është e vetmja fuqi që keni për të nxjerrë nga jeta juaj të keqen që rrit përditë çmimet e faturave të jetës së përditshme, që ju ka lënë pa punë e pa përkujdesje, që ju kërcënon me bukën e gojës për të vazhduar t’u marrë shpirtin bashkë me dinjitetin. Vota është e vetmja mundësi që keni për të mos e lënë të keqen të dalë nga çdo kontroll dhe t’ju bëjë edhe më keq se një ditë më parë. Vota është e vetmja armë që keni për të marrë hak për plumbat e 21 janarit, për të marrë hak ata që u vranë në Gërdec nga pushteti a që vriten përditë rrugëve nga mungesa e shtetit, për të marrë hak veten e për të gjithë ata si ju që vriten përditë në ëndrrat e shpresat e tyre dhe janë vetëm, pa shtet e përkrahje, përballë varfërisë, papunësisë, padrejtësisë. Ne e dimë mirë në çfarë zgjedhjesh të rrezikuara po hyjmë, por edhe Saliu me Ilirin duhet ta mësojnë sot se çfarë rrezikojnë po prekën votën në 8 maj: Jo më një lëvizje qytetare për hapjen e kutive, po një lëvizje të re demokratike që do ta udhëheqim pa asnjë ngurrim duke i bërë thirrje popullit hapur, qartë, troc, që të dëbojë qeverinë njësoj sic dëbohen regjimet që ndalojnë demokracinë të bëjë punën e saj. Ashtu sikundër nuk do të harrojmë asnjë drejtues policie apo asnjë drejtor drejtorie në shtet, kudoqoftë nëpër Shqipëri, që do të bëjë presionin më të vogël mbi qoftë edhe një votues të aleancës sonë. Kurse sa për disa drejtorë që kanë filluar të ofrojnë lekë në këmbim të votave, si kandidatë apo mbështetës të kandidatëve të Saliut e të Ilirit, i siguroj se do të jenë subjekte të procesit të transparencës që do të bëjmë me të ardhur në qeveri. Për të gjitha pasuritë e grabitura. Për të gjitha koncesionet e paligjshme. Për të gjitha privatizimet e korruptuara. Motra dhe vëllezër, Fitorja e Aleancës për të Ardhmen është kudo nëpër Shqipëri, kudo vota është për ne. Sepse Shqipëria kërkon një rrugë të re. Dhe e vetmja rrugë për Shqipërinë është rruga jonë.

*Fjalimi i kreut të PS, sot në hapjen e fushatës në Tiranë

KOMENTE