English

Spahiu: Greqia të respektojë sovranitetin dhe rendin juridik në Shqipëri

Tiranë, 7 prill, NOA - Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu ka deklaruar sot se Greqia duhet të respektojë rendin juridik dhe sovranitetin e Shqipërisë në lidhje me marrëveshjen e ndarjes së ujërave kufitare. Reagimi i nënkryetarit të KLD-së ka ardhur pas deklaratave që ka bërë sot Ministri i Jashtëm grek, Dimitris Droutsas, i cili kërkoi shpjegime në lidhje me paktin detar.

“Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese është shprehur qartë në lidhje me papajtueshmërinë kushtetuese që ka marrëveshja për ndarjen e kufirit jugor, ndarjen territoriale të ujërave. Është detyrim i të gjitha institucioneve shqiptare dhe të huaja të respektojnë sovranitetin dhe rendin juridik në Shqipëri. Çdo lloj deklarate politike e cila vjen në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese, me vendimet e gjykatave shqiptare, në mos respektim të frymës së të drejtës ndërkombëtare nuk bën gjë tjetër veçse cenon rendin juridik në Shqipëri”, tha sot Spahiu.

Duke u ndalur në marrëveshjen për ujërat, Sapahiu tha se për këtë çështje është shprehur qartë Gjykata Kushtetuese.

“Nuk ekziston asnjë marrëveshje juridike ligjore në fuqi. Ka pasur vetëm disa negociata, ka qenë një marrëveshje politike, për të cilën Gjykata Kushtetuese është shprehur qartë. Në këtë kontekst, do të thoja që, nuk ekziston asnjë marrëveshje mes shtetit grek dhe atij shqiptar pasi Gjykata Kushtetuese është shprehur për papajtueshmërinë e saj”, tha Spahiu sot për mediat Sapahiu.

Ai theksoi se Greqia duhet të respektojë parimet e Bashkimit Europian.

“Shteti grek është një vend anëtar i BE-së, ku nga parimet e respektimit të shtetit ligjor është ngritur gjithë BE. Të 27 vendet e BE nuk rrinë bashkë për shkak të gjuhës, historisë, fesë por rrinë bashkë për shkak të rregullave dhe shtetit juridik që funksionon”, tha Saphiu.

a.k/NOA

KOMENTE