English

Rama në Kombinat: Projekti ynë për të ardhmen fitues në 8 maj

Kombinat, 10 prill 2011, NOA – Në vijim të fushatës elektorale Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kandidati për kryetar bashkie i Tiranës për të katërtin mandat zbriti sot në njësinë nr. 6 në Tiranë, ku prezantoi kandidatin për këtë minibashki Krenar Cenollarin.

“Në 8 maj kryetar i kësaj njësie do të zgjidhet Krenar Cenollari pasi Kombinati nuk mund të jetë pjesë e kusarisë së Ilirit dhe as një degë e tejzgjatur e pemës së Saliut”, deklaroi Rama nga Kombinati.

Ai u kujtoi banorëve të kësaj zone se dhjetë vite më parë kur ai fitoi mandatin e parë në Tiranë Kombinati ishte tërësisht një katrahurë ashtu sikundër edhe Tirana e tëra e lënë në baltë.

Rama deklaroi se “projekti ynë për të ardhmen është fitues, pasi edhe njerzillëku ynë është fitues”.

Ai rishtas theksoi se Tirana nuk kohë për të humbur, duke nënvizuar se “e vetmja rrugë për Tiranën është ajo që kemi nisur duke vulosur në 8 maj fitoren e vizionit tonë për të ardhmen”.

Ai akuzoi kryeministrin Sali Berisha se po mashtron qytetarët.

Rama i bëri thirrje të gjithëve, si atyre me bindje socialiste dhe atyre me bindje demokrate të mbështesin në 8 maj kandidatin e “Aleancës për të ardhmen” Krenar Cenollarin.

Kryesocialisti Rama foli gjatë këtij tubimi elektoral për infrastrukturën e Kombinatit, për projektet e Bashkisë aty, duke mos lënë mënjanë edhe faktin se linja e transportit urban të Kombinatit ka mbetur tejet pas standardeve europiane.

“Çdo banor i Kombinatit ka një arsye më shumë për të votuar alternativën tonë në 8 maj, për të ngritur edhe këtë standard të transportit publik në këtë zonë”, tha Rama.

Ai nënvizoi se 8 maji do të jetë dita kur Tirana që kemi do t’i thotë ‘kurrë më’ Saliut në Tiranë, 'kurrë më' grabitjes së popullit, 'kurrë më' një pushteti që mbron dhunën, 'kurrë më' vjedhjes e korrupsionit dhe klientelizmit, 'kurrë më' kapjes së pushtetit nga paratë e pista dhe 'kurrë më' presionit psikologjik ndaj nëpunësve të shtetit.

Lideri i opozitës bëri me dije se në vend ka shumë të papunë duke i siguruar ata se “Aleanca për të ardhmen” do të zgjidhë problemet e qytetarëve të neglizhuara nga qeveria.

Kandidati i “Aleancës për të ardhmen” Krenar Cenollari do të garojë në zgjedhjet vendore të 8 majit kundër kryetares aktuale të minibashkisë nr. 6 në Kombinat Luzhiana Abazit përfaqësuese e LSI-së që garon nën siglën e “Aleancës për qytetarin”.

mit/NOA

KOMENTE