English

Reality Show që po “çmend” SHBA, 5 meshkuj që punojnë zhigolo

Las Vegas, 9 prill, NOA - Nick, Vin, Brace, Steven e Jimmy, janë pesë meshkuj protagonistë të një reality show të çuditshëm në SHBA.

Ata punojnë si zhigolo dhe kamera i ndjek gjatë gjithë ditës, kur janë në shtëpi, por edhe kur dalin me kliente. Spektakli zhvillohet në Las Vegas dhe është cilësuar nga kritikët e medias si një skandal televiziv.

Nuk bëhet fjalë për etik dhe as për rregulla. Është jeta e 5 të rinjve që tregojnë historitë e tyre me vajzat dhe me gratë që ata shkojnë me pagesë. “Janë 5 djemtë që punojnë më shumë në Las Vegas”, thotë spoti i spektaklit, që transmetohet në mediat amerikane. Fjala më e përdorur nga mediat serioze amerikane për spektaklin është “vulgarë” dhe “banal”. Gazeta “New York Times” e cilëson spektaklin si të “të pamundur për t’u parë”. Në një pjesë, shfaqet një prej djemve që thirret për të kaluar një natë me pagesë, me një grua rreth të pesëdhjetave, dhe në dhomë ndodhet dhe burri i saj. Subjekti i skenës tregon se zhigoloja ishte dhurata e burrit për ditëlindjen e gruas. Kjo pjesë ka bërë që kritika ta cilësojë emisionin “Gigolos” si një perversitet, apo “prostitucion televiziv”.

Ndërsa kritika tjetër lidhet me mënyrën sesi fiksohen takimet mes djemve dhe klientëve. Sipas medieve, klientet s’janë të vërteta, por janë të gjetura nga realizuesit e spektaklit dhe në realitet nuk janë djemtë që paguhen, por vajzat. Megjithatë shtëpia prodhuese, që ka marrë përsipër realizmin e tij, është tepër e kënaqur me reklamat që siguruar. Shumë shpejt pritet që ky spektakël të realizohet edhe në Itali.

a.k.NOA

KOMENTE