English

Pasqyra e Shtypit, 11 Prill 2011

Tiranë, 11 Prill, NOA - Gazetat shqiptare vazhdojnë të flasin sërish mbi incidentet e ndodhura në vend, në kuadrin e fushatës elektorale.

E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Militantët e PS-PD/ Incidente me posterat, plagosen dy persona”, i cili flet për incidentin e ndodhur dje në Kashar, ku 2 persona mbetën të plagosur pasi nuk vendosën flamujt e PS-së.

“Llogaritë e Islamit për zgjedhjet: PS humb 25-35 përqind të bashkive të mëdha që fitoi në 2007-ën”, është një tjetër artikull i gazetës.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Buxheti: Më pak investime nga taksat”; “Nëna e Bleonës në prokurori: S’ka prova se është në Tiranë” etj.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Skandal me shifrat e krimit 2010”, i cili u pohon lexuesve të kësaj gazete skandalin e fundit të manipulimit me shifrat e krimit nga Policia e Shtetit për vitin e kaluar.

“Arratia e Limos Dizdarit: Ika nga Tirana se aty askush nuk do të dëgjojë më kritika” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Për të vijuar edhe me artikullin tjetër me titullin “Biografia intime e Faik Konicës, çfarë mendonte realisht për Nolin dhe marrdhëniet me gratë”.

“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Tenderi, favorizohet miku i Sali Berishës”, i cili citon faktet mbi firmën “Gener 2” , me pronar Bashkim Vulaj, për tenderin e paracaktuar si fitues për “Rrugën e Arbrit”.

“Bathorja, kordon policësh për militantët” është një artikull tjetër i kësaj gazete, referuar incidentit të fundit të ndodhur për arsye elektorale.

Kurse “Rrëfimi i Josip Kuzhe: Bastet më shkatërruan” flet për jetën private të trajnerit të kombëtares shqiptare.

E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Nxehet fushata, përleshje mes militantësh në Bathore dhe Kashar”, i cili tregon hapja e fushatës elektorale në vend, po shoqërohet me incidente nga më të ndryshmet.

“Polici plagos të sëmurin mendor se luante me një qen” është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete.

Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Subashi: Shpresoj se prezenca e OSBE-ODIHR, do të ndikojë”, “Pacolli, me dy ministri plus në qeveri” etj.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “Basha, plan për uljen e çmimeve në Tiranë”, i cili pasqyron premtimin e paraqitur dje nga kandidati demokrat për Tiranën, Lulzim Basha para qytetarëve, në lidhje me çmimet e konsumit.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Militantët e PS, rrahin egërsisht dy vëllezër në Tiranë”.

Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Incidente në Kamëz, policia takohet më partitë”.

Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Hënë, 11 Prill 2011. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

KOMENTE