English

SHBA: Mobilizim politik për gjendjen e shqiptarëve

Uashington, 11 prill, NOA - Asociacionet shqiptaro-amerikane unanimisht i kanë dhënë mbështetje nismës së delegacionit të tyre për përfaqësim në zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni.

Ky vendim është miratuar mbrëmë në një takim të përbashkët të të gjitha subjekteve politike dhe asociacioneve të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Illionis, ku delegacioni që javë më parë qëndroi në Maqedoni, prezantoi raportin, agjendën dhe rezultatet e vizitës.

Në një komunikatë për media theksohet se ky raport u prit me vullnet të plotë për një hap të ri në zgjidhjen e çështjes politike dhe ekonomike që i gjen shqiptarët në Maqedoni në disfavor plotë 10 vite pas Marrëveshjes së Ohrit.

Gjithashtu është shprehur edhe disponimi dhe pranimi i platformës së paraqitur nga KSHA për ndryshimin e kursit aktual politik për të drejtat e shqiptarëve.

Me theks të veçantë u diskutua përmirësimi i nivelit të bashkëpunimit të përfaqësuesve për unifikimin e qëndrimeve politike shqiptare rreth ripërcaktimit juridiko-kushtetues të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

“Qëndrimi i KSHA është për zhvillimin e mëtejshëm dhe përcjelljen e frymës demokratike në partitë shqiptare sipas modelit demokratik amerikan”, është shprehur delegacioni dhe se për këtë KSHA ka një mbështetje të qartë nga organet politikbërëse në SHBA që mundësojnë funksionalitet të plotë të demokracisë në raportet e marrëdhënieve nder-etnike në Maqedoni.

Në këtë takim u theksua nevoja për kurs të ri politik dhe ekspozimi i faktorit politik shqiptar për zgjidhjen e krizës politike me mjete demokratike, por edhe të korrupsionit elektoral nga shteti maqedon në prag të zgjedhjeve. KSHA ka shprehur dhe diskutuar edhe aspektin e pasqyrimit dhe censurimit mediatik të vizitës së delegacionit në Maqedoni, ku citohet niveli i dobët i trajtimit të shqiptarëve në Maqedoni.

Shoqatat shqiptaro amerikane "Kërçova", shoqata "Prespa", shoqata "Dibra", shoqata Shqiptaro-Amerikane - SHSHA dhe Organizata “Çamëria” dhe të gjithë të pranishmit e tjerë nga të gjitha rajonet e Maqedonisë e pritën vizitën në Maqedoni si hap pozitiv dhe nisma u përshëndet si e suksesshme ku do të pasohet edhe me paraqitjen e kandidatëve nga SHBA në shtetet New York, New Jersey, Texas, Wisconsin por edhe nga Kanadaja për një përfaqësim të denjë rreth çështjes së demokratizimit dhe harmonizimit të mirëfilltë partiak në Maqedoni.

NOA-INA

KOMENTE