English

Berisha: Shijaku do të kthehet në një qendër të madhe biznesi në rajon

Shijak-Durrës, 12 prill 2011, NOA Update – Lideri demokrat Sali Berisha u kërkoi votën në 8 maj banorëve të Shijakut për kandidatin e “Aleancës për qytetarin” Afrim Brahimaj duke i garantuar ata se gjatë katër viteve të ardhshëm Shijaku do të kthehet në një qytet të zhvilluar të Shqipërisë. Duke prezantuar kandidatin për kryetar bashkie të Shijakut kryeministri premtoi se “në katër vitet që vijnë do të investojmë për ju, në rrugët, kopshtet shkollat, kanalizimet, fermat tuaja, 4 herë më shumë se në katër vitet që shkuan”.

“Kurrë ndonjëherë ky vend, në infrastrukturën e tij nuk ka bërë në të gjitha kohërat, sa ka bërë katër vitet që shkuan. Kjo është alternativa jonë. Alternativa jonë është alternative e mundit, e djersës, e zhvillimit, e vizionit, e respektit, e nderimit, e interesave, e sakrificave, e halleve dhe derteve tuaja. Ne i qëndrojmë kësaj alternative. Ne qëndrojmë së bashku me ju, në moralin tuaj, me punën tuaj, për të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj”, nënvizoi kryeministri.

Shefi i qeverisë iu referua investimeve të deritanishme në infrastrukturën e Shijakut duke evidentuar se në 4 vitet që shkuan, në bashkinë e Shijakut dhe në komunat e tij janë asfaltuar 92 kilometra rrugë, ndërkohë që vetëm në Shijak janë asfaltuar 16 kilometra.

“Janë ndërtuar dhe rindërtuar 2 shkolla, si dhe është pranuar çdo projekt që bashkia e këtij qyteti, pavarësisht nga ngjyra partiake që ka patur ka paraqitur në interes të qytetarëve, tha kryeministri.

“Para 10 ditësh inauguruam në Xhafzotaj një rrugë. Kryetari i komunës do të më informonte se vetëm në komunën e tij, gjatë këtyre viteve janë investuar 100 milion euro investime private në fusha të ndryshme. Vitet që vijnë investimet private vendi dhe të huaja do të jenë përparësia jonë më e madhe dhe kjo para së gjithash për punësimin tuaj, për mirëqenien tuaj, për mirëqenien e vendit”, theksoi shefi i ekzekutivit.

Lideri demokrat Kryeministri Berisha premtoi gjithashtu se “në 4 vitet që vijnë qeveria do të mbështesë çdo projekt të zotit Brahimaj, për ujë 24 orë, për kanalizime ndër më të sigurtat, për shkolla ndër më modernet, për një infrastrukturë bashkëkohore, që do t’i japë qytetit vlerat e vërteta”.

“Zoti Afrim Brahimaj ka kandiduar tek ju me moton “ Së bashku do ta bëjmë Shijakun” modern, Shijakun e zhvilluar, ndaj dhe unë vij sot tek ju për tu dhënë fjalën se do të mbështesim çdo projekt të zotit Brahimaj, për ujë 24 orë, për kanalizime ndër më të sigurtat, për shkolla ndër më modernet, për planin rregullues që do të hartoni së bashku me të”, siguroi shijakasit, zoti Berisha.

Ai bëri me dije se pas miratimit të ligjit për amnistinë fiskale në Kuvend, Shijaku do të ketë një fillim të madh, të ri, duke u shndërruar sikundër tha kryeministri në një qendër të madhe biznesi në rajon dhe më gjerë.

Por kryeministri rishtas nuk la pa shigjetuar alternativën e kundërshtarit të tij politik, Edi Rama, duke theksuar se ajo është alternativa e shpifjeve, e sharjeve, e rrugës së vetme.

Në këtë kontekst ai i bëri me dije kundërshtarit Rama se fushata e mazhorancës bazohet në moralin qytetar dhe në interesin qytetar.

“Çdo qytet, çdo fshat, çdo komunë, çdo shtëpi ka një kosh ku i hedh mbeturinat. Gjuha e çdo kombi ka një kosh për fjalë të papërshtatshme. Çdo njeri mund të fusë dorën në atë kosh, ne s’do ta fusim dorën në atë kosh, ndaj i themi vazhdo përdor fjalë kazani, siç i quante Faik Konica, ndërsa ne do të bashkohemi me çdo qytetar, për një 8 maj, me një fitore të thellë, fitore të vlerave të qytetarëve, fitore të projekteve të qytetarëve, fitore të fëmijëve të tyre, të së ardhmes së tyre”, përfundoi fjalën e tij para banorëve të Shijakut kryeministri Berisha.

mit/NOA

KOMENTE