English

Doda: Rama po rrezikon jetën e fëmijëve

Tiranë, 12 prill, NOA – Partia Demokratike ka reaguar sot për incidentin e ndodhur në shkollën “Dora D’Istria” në kryeqytet, ku u rrëzua tavani i njërës prej klasave. Deputetja e PD-së, Mesila Doda akuzoi kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama se po vë në rrezik fëmijët.

“Ne meritojmë një Kryebashkiak i cili të sigurohet që fëmijët tanë të mësojnë në një ambient të sigurt si dhe të sigurohet që të marrin arsimin që u nevojitet për të konkurruar në një ekonomi globale. Megjithatë, këto probleme ndodhin kur ke një Kryebashkiak të cilit i intereson vetëm debati politik kombëtar. Tirana meriton më shumë, fëmijët meritojnë më shumë, ne të gjithë meritojmë më shumë”, tha Doda.

Ajo theksoi se Rama nuk ndodhej në Tiranë, në momentin që ndodhi aksidenti, por ishte duke bërë fushatë për politikë kombëtare.

“Sot, nxënësit në Tiranë po arsimohen në shkolla me infrastrukturë të dobët, me nga dy turne, kushte të rrezikshme dhe ambiente të papastra. Si mund të mësojnë fëmijët tanë kur janë të shqetësuar për çatinë mbi kokat e tyre? Fëmijët e Tiranës janë e ardhmja e Tiranës, por Edi Rama i ka injoruar nevojat e tyre për vite me radhë. Dhe kur po shembej tavani në po këtë shkollë, Edi Rama as nuk ishte në Tiranë – po bënte fushatë në Përrenjas”, tha sot Doda.

Deputetja demokrate u shpreh se ky incident është i dyti vetëm brenda pak ditëve në Tiranë dhe tregon mungesën e përgjegjësisë nga ana e Bashkisë së Tiranës.

“Kjo është shkolla Dora D’Istria, e dyta në pak javë ku ndodhi një shembje e rëndë. Si prind i dy fëmijëve që shkojnë në shkollë, për mua si dhe për çdo prind tjetër në Tiranë, kjo çështje është personale. Ne nuk kemi pse të shqetësohemi për sigurinë e fëmijëve tanë kur kthehen në shtëpi, kur ne çdo mëngjes i nisim në shkollë; Ky po bëhet një fenomen i përsëritur, vetëm pak javë më parë më 25 mars, u rrëzua tavani i “Petro Nini”, 6 muaj pas rikonstruksionit - kjo nuk mund të vazhdojë më”, tha Doda.

a.k/NOA

KOMENTE