English

Haxhinasto: KiE kërkon angazhim nga politika për zgjedhje të lira

Tiranë, 12 prill 2011, NOA – Pas takimit me delegacionin e KiE-s që ka mbërritur në Tiranë për të parë nga afër situatën parazgjedhore, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto deklaroi në një prononcim për mediat se delegacioni i Këshillit të Europës kërkoi angazhimin e të gjitha forcave politike për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në 8 maj. Zëvendëskryeministri duke cituar përfaqësuesit e KiE-s bëri me dije se “U theksua se është e domosdoshme zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve, duke u angazhuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Kryediplomati shqiptar nënvizoi se e kishte njohur delegacionin e KiE-s me përgatitjet e qeverisë për zgjedhjet vendore të 8 majit.

Gjithashtu ai evidentoi se gjatë takimit përfaqësuesit e KiE-s u informuan për elementë të rëndësishëm të procesit zgjedhor sikundër janë listat e zgjedhësve, komisionet zonale, etj.

I pyetur nga mediat nëse përfaqësuesit e KiE-s bënë komente mbi incidentet e ditëve të fundit, Haxhinasto u shpreh se “Komenti i vetëm është që duhet respektuar ligji, dhe për incidentet duhet t’i referohemi vetëm ligjit”.

“Mendoj se të gjitha forcat politike duhet të respektojnë ligjin. Ju e dini që mazhoranca ka bërë një ofertë të hapur për partitë politike që të angazhohen për një klimë të përshtatshme zgjedhore”, tha Haxhinasto.

Në këtë kontekst ai uroi që fryma e kësaj deklarate të përqafohet nga të gjithë në mënyrë që të arrihet një klimë zgjedhjesh të lira e të ndershme.

Ministri i Punëve të Jashtme bëri me dije se delegacioni i KiE-s do të qëndrojë vetëm tri ditë në Tiranë, duke rikujtuar se një tjetër delegacion do të vijë për zgjedhjet e 8 majit vetëm pak ditë para tyre.

Ai tha se KiE është impenjuar që të dërgojë sa më shumë vëzhgues për të monitoruar procesin zgjedhor të 8 majit.

mit/NOA

KOMENTE