English

Haxhinasto: Vëzhguesit kërkojnë angazhimin e politikës për zgjedhje me standarde

Tiranë, 12 prill 2011, NOA- (Update) Kreu i diplomacisë shqiptare njëherësh numri dy i qeverisë, Edmond Haxhinasto gjatë ditës së sotme priti në një takim delegacionin e vëzhguesve parazgjedhorë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës.

Kjo vizitë erdhi në përgjigje të ftesёs sё qeverisё shqiptare drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të këtij Kongresi, për pjesëmarrje në monitorimin e zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011.

Mësohet se në takim është diskutuar lidhur me situatën parazgjedhore dhe përgatitjet për zhvillimin e zgjedhjeve të 8 majit 2011.

Ministri Haxhinasto vlerësoi rolin e Kongresit të autoriteteve lokale dhe rajonale për kontributin e vlefshëm në funksionimin e qeverisjes vendore nё vendin tonё.

Matej ai theksoi se qeveria shqiptare është e angazhuar plotësisht për realizimin e një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm e transparent.

Sipas zëvendës-kryeministrit Haxhinasto, krijimi i kimës së duhur të bashkëpunimit mes gjithë forcave politike do të ndihmonte në zhvillimin e suksesshëm të procesit zgjedhor.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e misionit bënë një paraqitje të shkurtër të qëllimit të misionit të tyre, duke thënë se nuk do të jenë vetëm monitorues, por do të ofrojnë edhe ndihmën dhe eksperiencën e tyre në menaxhimin e suksesshëm të procesit zgjedhor.

Në vijim, ata vlerësuan progresin e bërë në Shqipëri dhe shprehen besimin për një proces zgjedhor të drejtë më 8 maj.

Në mbyllje të takimit ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto doli në një konferencë për mediat ku tha se, “Është theksuar në takim nga përfaqësuesit e Kongresit, përparimi i madh që ka bërë Shqipëria në të gjitha aspektet, përfshi dhe fushën e administrimit zgjedhor krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. U theksua se është e domosdoshme që zhvillimi i këtyre zgjedhjeve sipas standardeve demokratike, kërkon një angazhim të të gjitha forcave politike në një proces të lirë e të drejtë, duke zbatuar ligjet dhe kodin zgjedhor të vendit tonë. Gjithashtu, përfaqësuesit e KiE janë informuar edhe me elementë të veçantë të përgatitjes së administrimit zgjedhor si për çështjen e listave, komisioneve, por edhe për disa çështje të tjera për të cilat ata kanë patur interes”.

Lidhur me incidentet në radhët e militantëve partiakë, ai tha se lidhur me këtë të gjitha forcat politike duhet të reflektojnë përgjegjësitë e tyre institucionale, politike dhe kushtetuese që kanë, gjithashtu shtoi ai edhe militantët e forcave politike duhet ta bëjnë këtë gjë.

Madje tha Haxhinasto, këto incidente do të shikohen në bazë të hapësirës ligjore, pasi sipas tij mazhoranca ka bërë një deklaratë, dhe ka kërkuar që të gjitha forcat të bëhen pjesë, duke ofruar një klimë të përshtatshme në respektim të rregullave të lojës, në respektim të etikës politike zgjedhore.

a.y/NOA

KOMENTE