English

Idrizi: Në 8 maj PDIU do të jetë surpriza e radhës

Fier, 12 prill 2011, NOA- Në vijim të fushatës së saj elektorale Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, u ndal në qytetin e Fierit ku mbështetën edhe kandidatin e koalicionit “Aleancë për qytetarin”, Ilir Bele.

Gjatë fjalës së tij, kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi u shpreh se në 8 maj kjo parti do të jetë surpriza e radhës, pasi shtoi ai, kjo parti përpara siglave të partive vendos flamurin kombëtar.

“Zgjidhja e çështjes kombëtare, pra bashkimi ekonomik Shqipëri-Kosovë i jep një hov të paimagjinueshëm zhvillimi shqiptarëve. Pse të mos përqendrohemi tek ky lloj zhvillimi, por të zihemi se kush forcë politike do të vijë në pushtet që të hapë një vend të ri pune për militantin e vetë? Vendet e punës do ti krijojmë duke bashkuar ekonomitë e Shqipërisë dhe Kosovës”, u shpreh Idrizi.

Ndërsa Presidenti i Nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini deklaroi se mesazhi i partisë në këto zgjedhje është bashkimi rreth idealeve të njëjta.

“Ne jemi për bashkimin, sepse ne e duam Shqipërinë dhe e duam Çamërinë. Ne jemi së bashku për të thënë se votat tona janë të rëndësishme. Mesazhi ynë në këto zgjedhje është mesazhi i bashkimit”, deklaroi ai.

Ndërsa kandidati i koalicionit Aleanca për Qytetarin për Bashkinë e Fierit, Ilir Bele theksoi se, “Ndihem mirë kur më mbështet PDIU-ja, sepse programi i saj politik është zgjidhja e kauzës çame. Aleanca për Qytetarin është aleanca për ndryshimin e qytetit”.

a.y/NOA

KOMENTE