English

Mediu në Vlorë: Rama propagandon rrugën kundër interesave të vendit

Vlorë, 13 prill 2011, NOA - Kryetari i Partise Republikane, Fatmir Mediu në vijim të fushatës elektorale për zgjedhjet administrative të 8 majit zbriti sot në qytetin e Vlorës ku u takua me mbështetësit e PR-së.

Kreu i PR-së Fatmir Mediu i ka kërkuar elektoratit republikan në Vlorë votën për kandidatin e “Aleancës për qytetarin” për kryetar bashkie të Vlorës, Ardian Kollozi. Para qindra simpatizanteve republikanë, Mediu shprehu besimin se kandidati Kollozi, por dhe këshilltarët bashkiakë republikanë do të bashkëpunojnë për një administrim model të qytetit të Vlorës.

“Përkushtimi ynë, do të shoqërohet me përgjegjësi të tjera, për të materializuar projekte të reja, për ta kthyer këtë hapësire shqiptare në një treg të favorshëm për investime të huaja dhe shqiptare, për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme dhe për një shkëmbim intensiv idesh, kapitalesh, mallrash e vlerash për të sotmen e të ardhmen”, deklaroi kreu i PR-së.

Ai theksoi se mazhorancës i është dhënë pushteti për të qenë të ndershëm dhe për të punuar për të ardhmen.

“Të ndikojmë për Kosovën, zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në Maqedoni si dhe zgjidhjen e çështjes Çame”, nënvizoi Mediu.

Mediu akuzoi opozitën se ka kërkuar të pengojë proceset integruese të vendit.

“Asnjë herë Partia Socialiste nuk ka pranuar të bashkëpunojë në këto procese madhore, duke parë vetëm interesin e saj për përfitime personale”, tha Mediu, duke nënvizuar se “Kjo është rruga e vetme që propogandon Rama, rrugë kundër interesave madhore të vendit”.

Mediu tha se sot shqiptarët kanë nevojë për një vizion të ri e të sigurt.

Kreu i PR-së i kërkoi qytarëve të Vlorës të votojnë Partinë Republikane në 8 maj.

mit/NOA

KOMENTE