English

Rama: Socialistët do i heqin perden e injorancës pushtetit, do çlirojnë vendin nga mjerimi

Berat, 14 prill 2011, NOA- (Update) Në vijim të fjalës së tij në Berat kryesocialisti Edi Rama deklaroi se, qeveria duhet të ketë sy për të parë e vlerësuar pasurinë e çmuar që ka dhënë zoti e që ka kultivuar njeriu.

Si pas tij, e gjithë kjo pasuri po shkon duke humbur për shkak të mungesës së vëmendjes dhe shurdhërisë e verbërisë nga qeveria për të vjedhur Shqipërinë e jo për ta ndritur atë.

Sipas Ramës, Kalaja e Beratit duhet të ishte një nga burimet e rritjes ekonomike të qytetit, por ajo është lënë mbas dore.

Ai tha se kryeministri është një drejtor komunaleje, pasi bën vetëm detyra të tilla si kryetar komune, pasi shtron vetëm rrugë në fshatra dhe këto inaugurime sipas Ramës nuk janë punët e një kryeministri.

Ai theksoi se rruga e socialistëve shkon më larg se mandati i tyre, madje shtoi se është krenar që është në këtë qytet për t’u bërë pjesë e përpjekjes e cila në 8 maj do të kurorëzohet me një fitore të madhe por që do i hapë rrugë transformimit tërësor Beratit e gjithë Shqipërisë.

Më tej ai tha se socialistët do heqin perden e injorancës në pushtet që e ka lënë këtë qytet në varfëri e mjerim.

Shefi i opozitës deklaroi se rruga tjetër është rruga e kusarisë dhe matrapazllëkut, për shkak të një vizioni të cungët e një babëzie ulëritëse që sipas tij është shëmbëlltyra e një pushteti vjedhës.

“Në rrugën e tyre ata i bashkon kusaria që futi në një shtrat Saliun e Ilirin, ndërsa ne na bashkon qytetaria, ne jemi e vetmja rrugë që asnjë shqiptar të mos i friket qeverisë dhe pushtetit, që askush të mos trembet për vendin e punës”, deklaroi Rama

Sakaq ai deklaroi se në 8 maj qytetarët duhet të marrin hakun duke i thënë Saliut e Ilirit, Kurrë më.

E vetmja rrugë është aleanca e madhe për të ardhmen, për çdo qytetar, ai i cilësoi kandidatët si fitimtar dhe si shpëtimtar të qytetarëve.

a.y/NOA

KOMENTE