English

Ambasada e SHBA, letër botuesit të “Shekulli”

Tiranë, 15 prill 2011 NOA – Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i është drejtuar me një letër gazetës së përditshme “Shekulli” ku e njofton se ka vendosur të ndërpresë marrëdhënien e saj profesionale me gazetën 'Shekulli' deri në një njoftim të mëtejshëm.

Ambasada thotë se e ndërmor këtë hap në përgjigje të një opinioni nga Ilir Yzeiri, botuar në gazetën tuaj më datën 9 prill, me titull, "Intelektualët dhe Ambasadori i Vogël i një vendi të Madh”.

Më poshtë, vijon teksti i letrës së Ambasadës Amerikane dërguar në redaksinë e "Shekulli"-t:

"I dashur z. Kokëdhima! Po ju shkruaj për t'ju informuar që Ambasada e SHBA ka vendosur të ndërpresë marrëdhënien e saj profesionale me gazetën 'Shekulli' deri në një njoftim të mëtejshëm. Duke hyrë në fuqi menjëherë, Ambasada do të anulojë të gjitha pajtimet e saj me gazetën 'Shekulli', dhe stafi i gazetës nuk do të ftohet më për të marrë pjesë në aktivitete, apo trajnime, të sponsorizuara nga Ambasada. Gjithashtu, Ambasada nuk do t'i dërgojë më gazetës 'Shekulli' njoftime për shtyp, apo deklarata të Ambasadës.

Ambasada e ka marrë këtë vendim në përgjigje të një opinioni nga Ilir Yzeiri, botuar në gazetën tuaj më datën 9 prill, me titull, "Intelektualët dhe Ambasadori i Vogël i një vendi të Madh." Më lejoni të jem shumë i qartë. Ambasada nuk kundërshton në asnjë mënyrë faktin që Z. Yzeiri nuk është në një mendje me disa prej pikëpamjeve të Ambasadorit Arvizu, apo politikën e SHBA. Në fakt, javën e kaluar Ambasadori Arvizu u takua me disa prej kritikëve të tij më të njohur në media për të diskutuar politikën e SHBA në Shqipëri. Megjithatë, artikulli i Z. Yzeiri shkoi shumë përtej kufijve të gazetarisë profesionale dhe opinioneve. Përkundrazi, kapërceu kufirin dhe u shndërrua në një sulm personal të papërshtatshëm dhe ad-hominem ndaj Ambasadorit Arvizu dhe Shteteve të Bashkuara. Përgojimet e lidhura me racën dhe etninë veçanërisht ishin të pavend për një gazetë, e cila pretendon të përfaqësojë opinionin kryesor. Jam në dijeni se në faqet e gazetës për editorialet dhe opinionet ka një shënim të redaksisë për pikëpamjet e shprehura. Megjithatë, nuk ka asnjë shënim redaksional që mund ta shfajësojë këtë botim nga përgjegjësia për të mos lejuar artikuj opinioni që qartazi sulmojnë individët mbi bazat e prejardhjes së tyre racore etnike. Gjatë njëzet viteve të kaluara, Shtetet e Bashkuara kanë punuar me organet e mediave shqiptare të të gjitha llojeve për të mbështetur krijimin e mediave të pavarura e profesionale në Shqipëri, sepse dimë që një media e lirë, e përgjegjshme, dhe e pavarur është me rëndësi kritike për funksionimin e një shteti demokratik. Përgjegjësia juaj është e madhe, sepse me gazetën tuaj keni fuqinë të ndikoni debatin dhe të informoni qytetarët. Shpresoj që në të ardhmen gazeta 'Shekulli' do të marrë këtë detyre më seriozisht dhe do të ribashkohet me radhët e gazetarisë së përgjegjshme..."

KOMENTE