English

Haxhinasto: Partneriteti strategjik NATO-BE, i rëndësishëm për Shqipërinë

Berlin, 15 prill, NOA – Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto mori pjesë në Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, i cili u zhvillua në Berlin, Gjermani.

Në takim morën pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, por edhe ministrat e Jashtëm të Rusisë, Ukrainës dhe vendeve që janë të angazhuara në Afganistan dhe Libi, si Australia, Suedia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Katari, Koreja e Jugut, etj.

Një nga temat qendrore të punimeve të këtij ministeriali ishte ajo mbi zhvillimet në Libi dhe përgjigja e komunitetit ndërkombëtar ndaj kësaj çështje.

Për situatën në Libi, Shqipëria tregoi se kërkon zbatimin e plotë të rezolutave 1970 dhe 1973 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vendimeve të Konferencës së Londrës mbi Libinë dhe mbështet operacionin “Unified Protector”.

Ajo ka ofruar tashmë portet dhe aeroportet shqiptare si për operacione ushtarake ashtu edhe ato humanitare.

Po ashtu, Shqipëria do të ndihmojë edhe në drejtim të ndihmës dhe asistencës humanitare për popullin libian.

Ndërsa gjatë diskutimit mbi çarmatimin, mospërhapjen e armëve dhe pranisë ushtarake, Haxhinasto theksoi se prezenca ushtarake e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë, duke përfshirë aspektet konvencionale dhe ato bërthamore, ka një rëndësi të veçantë për sigurinë në këtë kontinent e përtej tij.

“Në këtë kuadër, ne përshëndesim vendimin e Presidentit Obama për ruajtjen e pranisë ushtarake amerikane në Evropë. Bashkëpunimi i NATO-s me vende apo organizata partnere mbetet i një rëndësie të veçantë për të përballuar sfidat e sigurisë për shekullin e 21-të”, tha ai.

Duke shtuar se si një vend që aspiron të marrë së shpejti statusin kandidat, Shqipëria vlerëson rëndësinë e veçantë që ka partneriteti strategjik midis NATO-s dhe BE-së.

n.e/NOA

KOMENTE