English

Meta në Korçë: Koalicioni ynë u provua, ne nuk i ndajmë qytetarët në llogore politike

Korçë, 15 prill 2011, NOA- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta është ndalur në qytetin e Korçës në vijim të fushatës elektorale.

Gjatë fjalës së tij ai shprehu bindjen se koalicioni “Aleanca për qytetarin” do të korrë një fitore bindëse.

Më tej ai shtoi se më 8 maj Korça do votojë për LSI-në pasi ka nevojë për integrimin e vendit dhe jo për izolimin e saj.

Kreu i LSI-së tha se në qytetin e Korçës, kjo parti ka paguar një gjobë sepse në krye të listës janë tre gra dhe jo një siç e parashikon Kodi Zgjedhor, pasi tha ai kjo parti është e vendosur për të dhënë imazhin e një force të emancipuar.

“Projekti i koalicionit të maxhorancës përfaqësohet nga zoti Andrea Mano dhe ne i shprehim sot mbështetjen më të plotë, pasi projekti i tij ka në plan të parë ruajtjen e Korçës, duke zhvilluar qytetin, por pa cenuar vlerat muzeale e turistike, ashtu sikurse ka bërë projekti i betonizimit i cili do dështojë më 8 maj”, deklaroi Meta.

Sipas tij, me votën për maxhorancën qytetarët nuk do ndihen të ndarë në llogore politike, pasi deri më sot bashkia e Korçës është përdorur politikisht.

Meta tha se suksesi i koalicionit të pas 28 qershorit u provua që në vitin e parë, duke u kurorëzuar me liberalizimin e vizave.

Sakaq ai shtoi se punësimi do të jetë vëmendja kryesore e qeverisjes vendore, pasi deri tani tha ai koncepti për kryebashkiakët ka qenë vetëm ai i firmosjes së lejeve të ndërtimit.

a.y/NOA

KOMENTE