English

PDIU: Parullat antishqiptare në Himarë, provokim në prag të zgjedhjeve

Tiranë, 16 prill, NOA - Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka reaguar në lidhje me ato që i ka quajtur “provokime të qarqeve nacionaliste greke”, që kanë mbushur rivierën shqiptare me parulla kundër kombi, kundër Himarës dhe kundër shqiptarëve të Çamërisë.

“PDIU nuk bie pre’ e këtyre provokimeve të ulëta, të cilat kanë funksion tërësisht elektoral. Për ne, këto provokime në prag të zgjedhjeve të 8 Majit, nuk janë gjë tjetër veçse rritje e tensionit kombëtar me qëllim përfitimin politik të disa individëve të veçantë”, ka pohuar në një deklaratë për shtyp, sekretari politik i kësaj force politike, Ardian Tana.

Sipas tij, Himara dhe himariotët nuk mund të kenë urrejtje ndaj askujt dhe se Himara me standardet e larta intelektuale prej vitesh, është shndërruar në një terren eksperimental, të drejtuar nga Vasil Bollano, nëpërmjet individëve të paguar, që provokojnë ndjenjat e shqiptarëve

“Parullat e shkruara në mes të natës, nuk janë provokimi i parë që i bëhet këtij vendi, ndaj ne kërkojmë me forcë reagimin e institucioneve shtetërore, duke nisur nga Prokuroria, që të vendosin përpara drejtësisë autorët e këtyre akteve që provokojnë urrejtje dhe dhunë ndaj shqiptarëve”, shton deklarata e PDIUI-së.

Duke u bëjmë thirrje forcave politike në Himarë që të distancohen dhe të kundërpërgjigjen ndaj këtyre provokimeve dhe që të mbështesin një kandidat të përbashkët në Himarë.

n.e/NOA

KOMENTE