English

Dako: Xhaferraj sa herë hap gojë thotë gafa, PD na bllokon

Durrës, 18 prill 2011, NOA – Kryebashkiaku i qytetit të Durrësit Vangjush Dako në takimin e tij elektoral me banorët e lagjes nr. 18 u bëri publike banorëve dokumente që provojnë bllokimin e investimeve në këtë lagje nga anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin bashkiak. Duke iu referuar dokumenteve Dako tha se ato dëshmojnë se në plan të parë të PD-së nuk janë interesat e qytetarëve durrsakë, por interesat e ngushta e hakmarrëse ndaj punës së Bashkisë.

Gjatë takimeve derë me derë me banorët e zonës, kryebashkiaku i Durrësit u kërkoi votën banorëve të lagjes nr. 18 në 8 maj, duke u premtuar atyre se do të çojë përpara projektet ambicioze të Bashkisë së Durrësit për transformimin e qytetit në destinacionin kryesor të turizmit shqiptar.

Sipas Dakos, në 8 maj qytetarët durrsakë duhet të ndëshkojnë nëpërmjet votës kandidatin e qeverisë Ferdinand Xhaferraj, i cili sa herë ka hapur gojën gjatë kësaj fushate ose ka thënë shpifje dhe mashtrime ose ka thënë gafa nga padituria.

“Durrësi nuk duhet të votojë qeverinë e z. Xhaferraj, e cila ka përgatitur një masakër mjedisore për qytetin, nuk duhet të votojë për z. Xhaferraj i cili mashtron haptazi “pa u skuqur dhe u zverdhur” qytetarët e Durrësit se gjoja do të ulë taksat, do të zhvillojë turizmin, ndërkohë që me TEC-in në Porto- Romano qeveria e z. Xhaferraj vetëm sa do ta shkatërrojë tërësisht turizmin dhe do ta kthejë Durrësin në një “Çernobil ballkanik”, theksoi kandidati i “Aleancës për të ardhmen” Vangjush Dako.

Bashkia e Durrësit ka investuar plot 159.643.098 lekë në këto katër vite në këtë lagje, investime të zbatuara në rrugë, blloqe banimi, kanalizime, ndriçim dhe gjelbërim, që i kanë ndryshuar imazhin kësaj zone.

Kryebashkiaku Dako prezantoi punën e kryer nga bashkia në këtë zonë duke rikujtuar se “Janë 30. 412 sipërfaqe e shtruar në këtë lagje; janë ndërtuar 15. 080 m2 trotuare, janë vendosur 175 shtylla ndricimi, është shtuar gjelbërimi me 304 pemë dekorative, si dhe është bërë kanalizimi i ujrave të bardha dhe të zeza në gjatësi prej 5791 metër linearë dhe 405 metër linearë”.

Dako tha se këto arritje përbëjnë një bazë dhe një motivacion edhe më të madh për Bashkinë e Durrësit në mandatin e ardhshëm.

mit/NOA

KOMENTE