English

Pesë institucionet përgjegjëse për 8 majin

“Kasetat e gatshme nuk janë gabim në vetvete, por, kur transmetohen në televizion, duhet të thuhet qartë që janë ‘material i partive politike’, në mënyrë që shikuesit të mund të dallojnë gazetarinë nga ajo çfarë është thjesht reklamë e partive politike”...

Nga Eugen Wollfarth*

Më lejoni të shpreh, në emër të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, kënaqësinë që jam këtu me ju sot dhe që shoh të pranishëm kaq shumë përfaqësues të brezit të ri. Ndërsa shoh me modesti veten dhe kolegët e mi ndërkombëtarë, mund të them se ka kaluar kohë e gjatë që kur kemi qenë ulur aty ku jeni ulur ju tani. Por ne kemi qenë të interesuar për jetën, ashtu si dhe ju tani, për të mësuar më shumë për të ardhmen tonë; dhe jo thjesht për të qenë pjesë e jetës, por për ta pasur atë nën kontroll, të paktën pjesërisht.

Zonja dhe zotërinj, tema e diskutimit këtë paradite do të jenë zgjedhjet – besoj nuk habiteni, duke qenë se po i afrohemi zgjedhjeve vendore të 8 Majit. Duke theksuar të gjitha komentet e Shkëlqesisë së Tij, Presidentit të Republikës dhe dy homologëve të mi të afërt, kolegëve dhe partnerëve të vlerësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, do të doja të shfrytëzoja rastin për të ngritur shkurtimisht disa çështje, që unë besoj se janë shumë të rëndësishme, teksa i afrohemi ditës së zgjedhjeve dhe më tej.

Përpara se të filloj, duhet të theksoj se nuk pretendoj aspak që komentet e mia të përbëjnë ndonjë studim teze akademike.

Si profesionist në fushën e jetës publike dhe diplomacisë, ku përfshihet edhe eksperiencë me zgjedhjet, komentet e mia sot duhen parë thjesht si pika të mundshme diskutimi në seminare të ardhshme. Pas përcaktimit të këtyre parametrave të qarta, mendoj se është e rëndësishme që, së pari, të them se çfarë janë zgjedhjet publike – duke u fokusuar veçanërisht te zgjedhjet vendore.

Për mua, zgjedhjet publike përbëjnë kohën kur qytetarët e thjeshtë kanë mundësinë të zgjedhin, duke qenë të informuar, midis platformave të partive të ndryshme politike dhe midis kandidatëve të ndryshëm se kush duhet të drejtojë zonën e tyre. Dallimi i zgjedhjeve të qeverisjes vendore qëndron në vetë faktin se ato janë ‘vendore’.

Në këto zgjedhje, votuesit zgjedhin atë që dëshirojnë të drejtojë ofrimin e shërbimeve publike vendore. Ka të bëjë me menaxhimin dhe aftësitë menaxheriale. Ka lidhje me jetën praktike dhe jo me ëndrra te mjegullta.

Z. President, Ambasador Arvizu, Ambasador Sequi, Rektor Qarri, zonja dhe zotërinj!

Nuk mendoj se është mirë kur zgjedhje të tilla, dhe këtu nuk po flas vetëm për Shqipërinë, por edhe për shumë vende të tjera evropiane, shndërrohen në një lloj konkursi bukurie politik midis drejtuesit A të një partie politike dhe drejtuesit B të një partie tjetër.

Kur ndodh një gjë e tillë, thelbi i vërtetë, rëndësia dhe vlera strategjike e kuptimit të vërtetë të vetëqeverisjes vendore, fatkeqësisht, zvogëlohet. Bëhet fjalë për jetën reale dhe administrimin e saj. Zgjedhjet vendore duhet të jenë koha kur anëtarë të komunitetit që kandidojnë të kenë mundësinë të tregojnë se si do ta përmirësonin ata zonën e tyre. Ata nuk duhet të bien pre e interesave politike të drejtuesve të partive ku aderojnë.

Në kontekstin aktual shqiptar, edhe pse i vështirë për disa, ka vend për optimizëm. Unë besoj se zgjedhjet e ardhshme vendore bazohen tashmë në lista më të mira zgjedhësish, pas krijimit nga Ministria e Brendshme të një regjistri të ri të gjendjes civile dhe një sistemi të adresave në zbatim të një projekti prej miliona eurosh të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Një nga rezultatet e drejtpërdrejta të projektit është numri shumë më i vogël i dublikimeve të emrave të njerëzve mbi 100 vjeç në listat e zgjedhësve – që, siç e dimë, ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara. Ky duhet të shërbejë si element pozitiv për zgjedhjet e tanishme dhe t’i bëjë qytetarët shqiptarë të besojnë vërtet se vota e tyre ka rëndësi.

Pasi trajtova se çfarë janë zgjedhjet dhe për kë bëhen ato, mendoj se është e rëndësishme të shohim ato institucione publike që do të luajnë një rol integral për t’u garantuar qytetarëve se vullneti i tyre do të zbatohet dhe se këto zgjedhje do të zhvillohen duke shënuar një sukses absolut.

Ja, cilat janë për mua pesë institucionet më të rëndësishme: E pesta është media.

Ndoshta edhe më tepër se në të kaluarën, tani media do të luajë një rol kryesor në informimin e publikut dhe në shqyrtimin e aktivitetit të partive politike. Pra, është një përgjegjësi jo e vogël e atij që njihet si pushteti i katërt. I nxis gjitha organet e medias së shkruar dhe elektronike që të tregohen të drejtë dhe të ekuilibruar, në mënyrë që gjithë qytetarët të kenë mundësi të vendosin vetë se për cilin do të votojnë. Sa i përket çështjes shumë të diskutueshme të sagës së kasetave të gatshme nga partitë politike, sinqerisht mendoj se është shumë herë më mirë që gazetarët të raportojnë duke pasur akses të drejtpërdrejtë në aktivitetet publike.

Thënë kjo, kasetat e gatshme nuk janë gabim në vetvete, por, kur transmetohen në televizion, duhet të thuhet qartë që janë ‘material i partive politike’, në mënyrë që shikuesit të mund të dallojnë gazetarinë nga ajo çfarë është thjesht reklamë e partive politike.

E katërta renditet Policia e Shtetit. Shpresoj të shoh Policinë e Shtetit të luajë të njëjtin rol të paanshëm dhe profesional që ka luajtur gjatë dy palë zgjedhjeve të kaluara në vend.

Si shërbim policor, dhe theksoj këtu fjalën shërbim, të gjithë qytetarët shqiptar do t’i kenë sytë nga policia që ajo të garantojë se zgjedhjet do të mbahen në një ambient të qetë.

Jam i sigurt se në krahasim me dy zgjedhjet e fundit, policia e shtetit do të arrijë të ngrejë ‘nivelin e suksesit’ në shkallë më të lartë.

Në vend të tretë duhet të qëndrojë Komisioni Zgjedhor i Zgjedhjeve.

Besoj nuk është e nevojshme të theksoj se KQZ-ja do të duhet të luajë një rol kyç. Duke punuar së bashku – në mënyrë kolektive, bashkëpunuese dhe konstruktive, ata do të jenë në gjendje që mes veprimeve të tyre të sigurojnë arritjen e mjedisit të duhur. Si nëpunës civilë të zgjedhur për të kryer një funksion gjyqësor nuk kam dyshim që të shtatë anëtarët e KQZ-së do të vendosin interesin e publikut para çdo presioni të jashtëm politik.

Jam po aq i sigurt që, si kryetari, ashtu edhe nënkryetarja e KQZ-së, e kuptojnë se kanë mundësinë të ndërtojnë një mjedis të përgjithshëm, ku ose të mbretërojë paqja dhe qetësia, ose të mbizotërojnë mosmarrëveshjet dhe fryma negative.

Këto janë dy mundësitë e vetme të zgjedhjes. Së dyti, dhe s’është çudi, renditen partitë politike. Dhe këtu e kam fjalën për partitë - të gjithë anëtarët e tyre, jo vetëm kryetarët – sidomos në zgjedhjet vendore. Ato duhet të jenë të ndërgjegjshme për përgjegjësinë e madhe mbi shpatullat e tyre – për të siguruar suksesin e zgjedhjeve, sipas standardeve ndërkombëtare.

E thënë thjesht: këto zgjedhje, këto zgjedhje vendore, duhet të funksionojnë. Të mos harrojmë se të dyja partitë kryesore politike kanë lidhur në mënyrë te pazgjidhshme një marrëveshje në Kodin aktual Zgjedhor, sipas së cilit do të zhvillohen këto zgjedhje.

Duke qenë se ato i kanë shkruar vetë rregullat e lojës, atëherë nuk duhet ta kenë aq të vështirë, asnjëra palë, që ta drejtojë këtë anije të quajtur ‘zgjedhje vendore’ në ujëra më të qeta e më paqësore.

Rekomandimi i parë i OSBE/ODIHR-it shprehet qartë se çështja kryesore është që partitë politike të shkojnë mirë me njëra-tjetrën. Të dyja palët arritën në një farë mënyre të gjejnë konsensus në pranverën e vitit 2008, kështu që mund ta bëjnë përsëri, nëse duan vërtet. Gjithashtu, ato duhet të sigurojnë që retorika politike të jetë e qetë dhe e arsyeshme.

Kjo do të thotë që qytetarët të kenë mundësi të mësojnë për politikave të kandidatëve, në mënyrë që të marrin një vendim të pavarur dhe të informuar se për kë të votojnë dhe të jenë në gjendje të shkojnë të lirë drejt qendrave të votimit për të hedhur votën e tyre.

Pra, është koha vetëm për politika dhe argumente konstruktive – dhe jo koha për ‘sharje’ apo, më keq akoma, për incidente të dhunshme të panevojshme.

Sa për shembull, javën e kaluar po udhëtoja me makinë me bashkëshorten në periferitë e Tiranës dhe rrugës u shkëmbyem me një numër të pazakontë makinash ku valëviteshin flamuj blu dhe të kuq.

Në mos tjetër gjë, dukej si një shpalosje e spektrit të ngjyrave! Edhe pse mund të jetë argëtuese deri diku dhe ndodh në shumë vende të tjera, të gjithë partitë politike duhet të kenë parasysh se nuk është ideale t’i trajtojnë rrugët e Shqipërisë si të ishin pistat e Silverstone-it apo Hockenhein-it.

Ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara dhe ish-kandidati për President i Shteteve te Bashkuara, Adlai E Stevenson, ka thënë: Ideja që dikush mund t’i tregtojë kandidatët për poste të larta si të ishin drithëra për mëngjes – që mund të mbledhin vota si të ishin bileta lotarie – është degradimi më i madh i një procesi demokratik. Ose dhe shpresoj që Ambasadorit Sequi t’i pëlqejë kjo, Leonardo Da Vinçi ka thënë: Aty ku ngrihet zëri, nuk ka dije të vërtetë. Besoj se jemi të gjithë dakord që zgjedhjet duhet të bazohen në fushatë zgjedhore me argumente politike. Duhet të them në këtë pikë se puna e KQZ-së mund të ishte më e lehtë nëse të gjithë komisionerët e niveleve më të ulëta do të qëndronin në vendet e tyre, në vend që të ‘ndërrohen’ nga partitë politike në momentin e fundit.

Kam po aq besim se partitë politike do të lejojnë që procesi ligjor të zhvillohet në përputhje me Kodin Zgjedhor, ndërsa i afrohemi ditës së zgjedhjeve dhe fillimit të pretendimeve në procesin post-zgjedhor. Siç ka thënë kohët e fundit me të drejtë Shkëlqesia e tij, z. President: Duhet të ketë transparencë të plotë për mënyrën se si marrin para partitë politike. Grupi i parë, dhe ‘kryesori’ jeni sigurisht ju, gjithë qytetarët shqiptarë.

Ju nxis të gjithë juve të pranishëm këtu, dhe atyre që do të dëgjojnë diskutimet tona, të shijojnë javët e ardhshme, sepse dita e zgjedhjeve duhet parë si një ‘festival i demokracisë‘! Të mos harrojmë që zgjedhjet janë për ju – që të vendosni se kush dëshironi t’ju përfaqësojë. Ju duhet të keni besim se do të jeni në gjendje të hidhni votën tuaj dhe të keni besim se ajo do të ketë vlerë. Është e rëndësishme të theksoj se vota juaj ka rëndësi, se të gjitha votat do të administrohen dhe numërohen në mënyrën e duhur, dhe se procesi i ankimit pas zgjedhjeve do të bazohet në ligj, dhe se procesi do të jetë i paanshëm dhe transparent.

Kam besimin se votat e shqiptarëve në 8 maj do të rezultojnë në një qeverisje vendore të zgjedhur në mënyrë të lirë dhe të drejtë; në struktura të qeverisjes vendore që do të bëjnë përpjekje edhe më të shumta në katër vitet e ardhshme për t’i shërbyer sa më mirë publikut, dhe duke kontribuar më tepër në ambiciet evropiane të Shqipërisë.

Duke njohur aspiratat e Shqipërisë për integrim në Evropë, kjo është koha e duhur për të gjithë shqiptarët që të marrin në dorë procesin – për të siguruar kryerjen e zgjedhjeve që njerëzit meritojnë.

Tregohuni aktiv, kërkoni informacion, pyesni gjithmonë dhe diskutojini çështjet me të tjerët.

Dhe si një lloj poshtëshënimi, do të thosha se jam plotësisht i ndërgjegjshëm, ashtu si edhe dy kolegët e mi, që ne, komuniteti ndërkombëtar, shihemi shpesh si gjyqtarë të çdo procesi zgjedhor.

Mund t’ju them, me përulësi, që ky perceptim është, në rastin më të mirë, çorientues dhe asgjë më shumë se tërësisht i gabuar. Besoj se Kushtetuta e Shqipërisë dhe Kodi Zgjedhor e shprehin qartë se ku fillon e mbaron pronësia e procesit zgjedhor – tek institucionet shtetërore shqiptare dhe, nëpërmjet tyre, te qytetarët shqiptarë.

E thënë thjesht, ju shqiptarët duhet të dëshironi suksesin e këtyre zgjedhjeve më shumë se ne. Z. President, Ambasador Arvizu, Ambasador Sequi, Rektor Qarri, zonja dhe zotërinj!

Le t’i shohim këto zgjedhje si sukses absolut. Dhe pasi zgjedhjet, më në fund, të jenë zhvilluar, mendoj se ka nevojë urgjente për një reformë zgjedhore në kohën e duhur, në mënyrë që të hidhen themelet më të forta të mundshme për përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Përgatitjet duhet të fillojnë menjëherë pas mbarimit të këtyre zgjedhjeve. Edhe pse s’ka ndodhur kështu në të kaluarën, mendoj se kësaj radhe duhet të ndodhë.

Nëse më lejoni ta përfundoj fjalën, dhe besoj se Ambasadorit Arvizu do t’i pëlqejë kjo, me një citim të Presidentit Obama: Ndryshimi nuk ka për të ardhur nëse presim një person tjetër apo një kohë tjetër. Ne jemi ata për të cilët kemi pritur. Ne jemi ndryshimi që po kërkojmë.

*Fjala e kryetarit të Prezencës së OSBE në takimin e Presidentit Bamir Topi, me studentët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë.

KOMENTE