English

Pollo: Berati unik për Shqipërinë, do bëhet qendër e arritshme

Berat, 18 prill 2011, NOA – Përurimi i revistës kulturore “Art & Trashëgimi” ka vënë në qendër të aktivitetit Beratin, qytetin muzeal të njëmbinjë dritareve, të cilit iu kushtua edhe numri i parë i kësaj reviste.

Gjatë përurimit të revistës në muzeun ‘Onufri’ të qytetit merrte pjesë edhe deputeti i qarkut, Genc Pollo, i cili vlerësoi se evidentimi i vlerave të Beratit i jep vlerë kësaj reviste, e vetmja e këtij lloji.

“Ky ka qenë edhe qëllimi ynë, ekspozimi i vlerave unike, të veçanta, të mrekullueshme, që ky qytet ka sjellë nga historia dhe ende i ruan, për t'i ekspozuar dhe për t'i bërë të aksesueshme ato për një publik të gjerë. Natyrisht që nuk ka qenë e lehtë, është dashur shumë punë, por sot ne kemi një hartë tjetër të Beratit si qendër turistike botërore, ku një hap i rëndësishëm ka qenë edhe ai i disa viteve më parë, i përfshirjes së Beratit në sitet e trashëgimisë kulturore botërore nga ana e UNESCO-s”, theksoi ministri i Inovacionit dhe teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Ministri Pollo duke iu referuar fushatës elektorale të 8 majit, shprehu njëherësh edhe angazhimin e madh të qeverisë shqiptare për investime në infrastrukturën që lidh Beratin me pjesën tjetër të vendit, ku përmendi ndërtimin e rrugës së re Berat-Lushnje si dhe atë të Boshtit të Jugut.

“Është një lajm i mirë që së shpejti do të fillojë puna për një rrugë të re, Lushnje- Berat, siç është edhe një lajm i mirë ai që kemi thënë prej disa kohësh për fillimin konkret të Boshtit të Jugut, që fillon nga Tirana, përmes Elbasanit, kalon në Berat, për në Gjirokastër, që do ta kthejë këtë qytet në një qendër vërtetë të arritshme nga një numër i madh njerëzish, që mund të jenë vendas, por mund të jenë edhe të huaj”, premtoi deputeti demokrat i Beratit Genc Pollo.

Revista “Art &Trashëgimi” publikohet nga Qendra e Studimeve Albanologjike me përkrahjen e ambasadës së Francës, PNUD-it dhe delegacionit të Bashkimit Evropian.

Sipas Irina Bokovës, Drejtoreshë e Përgjithshme e UNESCO-s, “Shqipëria gjithmonë ka mbërthyer zemrat e poetëve, të piktorëve, të historianëve, të arkeologëve dhe të udhëtarëve, pasi sikundër tha ajo, Shqipëria është e mveshur me një të shkuar magjike, e cila ruhet dhe respektohet, një vlerë që sipas saj është paracaktuar të vazhdojë gjatë edhe në të ardhmen.

mit/NOA

KOMENTE