English

Rama nga Fieri: Vota e 8 majit, arma e vetme kundër Saliut

Fier, 18 prill 2011, NOA – Lideri i opozitës Edi Rama i bëri thirrje qytetarëve të Fierit që ta përdorin votën e 8 majit, si armën e vetme për të çliruar Shqipërinë nga regjimi i Sali Berishës. “Në 8 maj duhet të çlirojmë Shqipërinë nga regjimi i Saliut, pavarësisht partive që përfaqësojmë, vota është e vetmja fuqi, që kemi për ta nxjerrë të keqen që vazhdon t’ju marrë shpirtin e dinjitetin”, tha Rama.

Ai theksoi se “vota është e vetmja armë që keni për të marrë hak për plumbat e 21 janarit, për viktimat e Gërdecit, për deputetin Fatmir Xhindi e për Fatmir Myrtajn, e për të gjithë ata që vidhen nga ky regjim kusarie”.

Lideri i opozitës deklaroi se Fieri do të udhëheqë lokomotivën e fitores së PS-së në zgjedhjet e 8 majit.

Kryesocialisti Rama, i cili zbriti këtë pasdite në Fier për të prezantuar kandidatin për kryetar të kësaj bashkie, kryebashkiakun aktual të Fierit Baftjar Zeqon, u kërkoi votën për Zeqon banorëve të Fierit, si simpatizantëve demokratë edhe atyre socialistë.

“Puna e Baftjar Zeqos i bën qytetarët e këtij komuniteti të besojnë tek e nesërmja pa asnjë mëdyshje. Baftjari është një shembull për të cilin të gjithë jemi krenarë dhe e bën votën për të një votë përtej kufijve të partive”, nënvizoi kryesocialisti.

Zoti Rama i bëri thirrje fierakëve se duhet të marrin në dorë fatin e tyre, me qëllim që të mos ketë më 1 milion të papunë, dhe kufij dallues mes fshatit e qytetit.

“Domosdoshmëri marrja në dorë e të ardhmes, të kthejmë popullin në protagonist të zhvillimit. Është koha e pjesëmarrjes së madhe, koha për një aksion politik”, tha lideri i opozitës.

Ai vërejti se Partia Socialiste dhe kandidatët e saj janë e vetmja rrugë që ndan shqiptarët nga frika ndaj qeverisë, vuajtjet dhe varfërimi i tejskajshëm.

“Ne jemi e vetmja rrugë, që asnjë shqiptar në rregull me ligjin të mos i friket qeverisë për shkak të zgjedhjeve të tij”, tha kryesocialisti duke rikujtuar se rruga e kundërshtarëve të tij të çon në fashizëm e dhunë, ndërkohë që rruga e vetme është ajo e mirëqeverisjes.

mit/NOA

KOMENTE