Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
S’ka alibi për të cënuar vlerën e zgjedhjeve
English

S’ka alibi për të cënuar vlerën e zgjedhjeve

“Unë kam besim se ky mesazh është dëgjuar dhe besoj se do të kuptohet nga të gjithë aktorët politikë, ashtu siç besoj shumë se asnjë motiv, asnjë arsye dhe asnjë procedurë teknike apo skenar politik nuk mund të shërbejë si alibi për të cënuar sadopak vlerën e madhe të këtyre zgjedhjeve”.

Nga Bamir Topi*

Kam një gëzim të veçantë, një emocion të veçantë që ndodhem këtu midis jush në këtë qytet me bukuri të jashtëzakonshme, në një mjedis universitar, i cili mban një emër të madh, emrin e Ismail Qemalit, figurës simbol të pavarësisë, me të cilin është lidhur historia moderne e shtetit shqiptar. Më lejoni me këtë rast, t’ju falenderoj për mikëpritjen dhe ta vlerësoj këtë ditë si një ditë të shënuar në jetën time si qytetar, si politikan, edhe si President i Shqipërisë.

Ndihem i privilegjuar dhe i gëzuar të jem këtu në Vlorë midis një brezi të ri që përfaqëson të ardhmen elitare të këtij qyteti, për të ndarë me ju disa mendime mbi aktualitetin politik në vend, dhe në veçanti mbi procesin zgjedhor të 8 majit. Zgjodha takimin me ju, sepse përveçse përfaqësoni një brez të lindur e rritur kryesisht në vitet e tranzicionit demokratik, jeni ajo pjesë, për zërin e së cilës kanë gjithnjë e më shumë nevojë komuniteti i qytetit, partitë politike dhe kandidatët e tyre. Për nga formimi juaj, ju jeni të çliruar nga mentalitetet dhe praktikat e vjetra, përfaqësoni energji të reja, vizion të ri, një publik të ri të kualifikuar dhe njëherësh një potencial të madh qytetar, të vetëdijshëm për rolin dhe përgjegjësitë e veta në shoqëri.

8 maji është e duhet të jetë një ditë e veçantë për të gjithë qytetarët e Vlorës dhe të Shqipërisë. Është dita kur qytetarët ushtrojnë pushtetin e tyre demokratik, dita kur sovrani gjykon qeverisjen e katër viteve të fundit dhe me vullnet të lirë vendos për qeverisjen e katër viteve që vijnë. Gjatë këtyre 20 viteve në Shqipëri janë zhvilluar 7 zgjedhje parlamentare, 5 zgjedhje lokale dhe 3 referendume. Në total 15 procese zgjedhore në 20 vjet janë një numër i mjaftueshëm për të krijuar një traditë demokratike zgjedhore. Fatkeqësisht, shifrat ndonëse vlejnë shumë, nuk janë gjithçka. Krahas arritjeve këto procese kanë shfaqur edhe probleme të mëdha integriteti e besueshmërie. Për pasojë, pas 20 vitesh, ne përballemi ende me sfidën politike e qytetare për të organizuar e zhvilluar procese zgjedhore vërtetë të lira, të ndershme dhe demokratike.

8 maji është dita kur ky kapitull debati e kontestimesh duhet të mbyllet. Ky është urimi i gjithësecilit dhe natyrshëm për momentin është edhe interesi ynë madhor. Shqipëria e vitit 2011 i meriton zgjedhjet me standardet më të larta demokratike. Shqipëria e vitit 2011 i ka të gjitha potencialet të zhvillojë zgjedhje të tilla, në përputhje të plotë me standardet e një vendi anëtar në NATO dhe kandidat potencial për në Bashkimin Evropian. Unë kam besim se ky mesazh është dëgjuar dhe besoj se do të kuptohet nga të gjithë aktorët politikë, ashtu siç besoj shumë se asnjë motiv, asnjë arsye dhe asnjë procedurë teknike apo skenar politik nuk mund të shërbejë si alibi për të cënuar sadopak vlerën e madhe të këtyre zgjedhjeve.

Ju të gjithë jeni ftuar që më 8 maj të votoni për kandidatin tuaj të preferuar për kryetar bashkie dhe për këshilltarët tuaj të preferuar në këshillin bashkiak. Ligji ynë zgjedhor u ka dhënë qytetarëve vetëm një votë për të zgjedhur të vetmin institucion me zgjedhje direkte, - kryetarin e bashkisë apo të komunës, siç edhe ua ka kufizuar mundësinë e përzgjedhjes midis emrave të listës partiake për këshilltarët. Kjo është vota e vetme që ju jepni direkt për një kandidat, për një emër, për një pushtet, ndaj vendimi për të meriton të gjithë respektin dhe solemnitetin e duhur, për të cilin meriton patjetër një vëmendje të plotë nga të gjithë qytetarët. Sot ju keni përballë disa kandidatë, secili me platformat e veta elektorale, secili me programin dhe premtimet e veta. Përgjegjësia e juaj qytetare dhe kushtetuese është të gjykoni çdonjërin prej tyre, punën dhe ofertën, karrierën dhe besueshmërinë, programin dhe premtimet, - dhe në fund, të dielën e 8 majit t’i kushtoni jo shumë, vetëm pesë minuta kohë institucionit më të fortë të demokracisë, - votës së lirë e të fshehtë. Këto janë janë zgjedhjet tuaja, sepse zgjedhjet nuk bëhen vetëm për ata që kanë interesa direkte elektorale, pra, për partitë dhe kandidatët. Zgjedhjet bëhen në radhë të parë për qytetarët, mbi të gjitha për qytetarët. Ato mund të mos jenë zgjidhja ideale e problemeve tuaja, por me siguri janë mekanizmi i vetëm demokratik që të çon tek zgjidhjet. Ato fitojnë vlerë cilësore kur kanë pjesëmarrje të lartë qytetare, kur qytetarët kanë disa alternativa për të zgjedhur dhe kur qytetarët janë sovranë në vendimmarrjen e tyre mbi alternativën më të mirë.

Si President, si politikan me një karrierë relativisht të gjatë, por dhe si qytetar, e di se disa prej jush këtu në Vlorë, si edhe në qytete e komuna të tjera të vendit janë në dilemë nëse duhet marrë pjesë në zgjedhje, nëse produkti i tyre ka vlerë, nëse vota ndryshon diçka në jetën tonë dhe nëse ajo respektohet si duhet. Gabimet e të kaluarës e favorizojnë këtë ndjenjë zhgënjimi, por të dashur zonja e zotërinj, të dashur studentë, - ky sistem demokratik që kemi zgjedhur ka në themel të vet votën dhe sovranitetin qytetar, ndaj për t’u përmirësuar, ai ka nevojë jetike për votën, pjesëmarrjen dhe fjalën tuaj. Mund të ketë probleme, mund të ketë zhgënjime, por tradita edhe e vendeve të tjera na mëson se nuk ka absolutisht asnjë mekanizëm tjetër më të mirë kurues e përmirësues për sistemin se sa vetë pjesëmarrja masive në votime e qytetarëve të lirë. Shpesh na ndodh të ndjehemi të lodhur nga tranzicioni, nga partitë dhe nga konflikti i tyre permanent, nga fjalimet boshe dhe mosmbajtja e premtimeve. Dita e zgjedhjeve na jep mundësinë që ata të heshtin, ata që na zhgënjejnë ndonjëherë edhe me veprimet e tyre, por në këtë ditë prevalon, merr vlerë të jashtëzakonshme vendimi i qytetarit, prandaj keni rastin që më datë 8 maj, të gjithë së bashku të shkojmë në votime, sepse është e drejta jonë, është e drejta e çdo individi, që fatin tonë ta kenë pikërisht ata që ne i japim mundësi, ata që ne përfaqësojmë në institucionet demokratike të vendit.

Imagjinoni një situatë optimiste: nëse ju në këtë sallë e kushdo jashtë saj vendos të marrë pjesë aktive në procesin zgjedhor; t’u kërkoni palëve konkurruese program konkret dhe transparencë, të mbani shënim premtimet dhe t’u kërkoni për katër vjet llogari deri në realizimin e tyre në zgjedhjet që vijnë. Ne këtë s’e kemi bërë asnjëherë. Shqipëria ka 20 vjet në një proces reformimi demokratik, në një tranzicion, i cili vërtet ka pasur progres, por ka pasur dhe zhgënjime, asnjëherë nuk kemi pasur metodikën e duhur që t’i ndjekim zgjedhjet me vëmendje të veçantë, të takojmë kandidatët, të mbajmë shënim premtimet e tyre dhe t’i nxjerrim këto shënime mbas katër viteve. Ky është rregulli i demokracisë. Ky është rregulli i qytetarëve në vendet e përparuara, që mbajnë shënim, kanë memorje. Dhe pastaj, mbas katër viteve, apo në takimet e tjera me kandidatët, kur ata kthehen në institucione, të kemi mundësi t’u kërkojmë atyre pikërisht realizimin e asaj që ata kanë premtuar. Ndaj ju ftoj dhe përsëri ju ftoj, - bëhuni pjesë e procesit zgjedhor, merrni pjesë masive në votime, nxitini kolegët, shokët dhe të afërmit tuaj t’ju bashkohen në këtë rrugë, sepse me 8 maj ky është investimi më i mirë që mund të bëni për veten tuaj, për familjen, për komunitetin dhe për vetë sistemin demokratik! Vendosni ju për veten tuaj, për qytetin tuaj, që të mos vendosin të tjerët për ju!

Zonja e zotërinj, të dashur studentë,

Përfitoj nga rasti t’u drejtohem nga ky auditor i nderuar edhe aktorëve politikë e institucionalë që kanë përgjegjësinë e organizimit, zhvillimit dhe administrimit të procesit zgjedhor të 8 majit. Unë, si edhe shumica absolute e qytetarëve të këtij vendi, bashkë me miqtë tanë perëndimorë, - kemi pritur dhe presim që kjo fushatë të zhvillohet brenda të gjitha standardeve të denja për një vend europian. Pritja merr rëndësi sidomos po t’iu referohemi kritikave zgjedhore në të shkuarën dhe kryesisht edhe zhvillimeve problematike që kemi përjetuar vitin apo muajt e fundit. Asnjë nuk i ka penguar partitë kryesore politike të përmirësojnë strukturën bipartiake zgjedhore, të korrigjojnë vetveten dhe mekanizmat zgjedhore, për të dëshmuar vullnet të qartë politik në zbatimin e Kodit Zgjedhor.

Kam kënaqësinë të konstatoj se disa hapa pozitivë janë shënuar: palët politike janë bërë pjesë e procesit zgjedhor, së fundi ato u përfaqësuan edhe në organet e administrimit zgjedhor; kemi një numër të madh kandidatësh dhe subjektesh konkurruese; kemi përpjekje për të folur me programe konkrete sidomos nga vetë kandidatët për njësitë vendore, siç kemi edhe një përmirësim të ndjeshëm të rolit informues të medias, rolit vëzhgues të shoqërisë civile, ndërgjegjësimit për rëndësinë e procesit dhe në tërësi, të sjelljes qytetare të kandidatëve përballë njëri-tjetrit. Natyrisht kam konstatuar me shqetësim edhe anën tjetër të zgjedhjeve; - debatet e tejzgjatura politike për përgatitjen e tyre, mungesën e besimit dhe bashkëpunimit të ndërsjelltë midis partive kryesore politike; një gjuhë të vjetër konfliktuale që kalon nga qendra në drejtim të periferisë; disa indicidente të dhunshme që cënojnë ligjin, imazhin, klimën zgjedhore; mungesën e transparencës financiare të fushatës, nivelin e ulët të përfaqësimit gjinor, si dhe çuditërisht ende vështirësi për t’i kuptuar zgjedhjet si një zhvillim normal dhe periodik në demokraci. Jeta e jonë, jeta e qytetarëve dhe e shoqërisë nuk është vetëm zgjedhje. Ato bëhen në një ditë dhe ditën tjetër nis pjesa më e rëndësishme e jetës – mbajtja e premtimeve, puna konkrete në shërbim të qytetarëve dhe të vendit.

E kam thënë dhe e përsëris, edhe në këtë auditor të nderuar, se asnjë parti apo politikan, kushdo qoftë ai apo ajo, nuk e kanë në dorë fatin tonë, jetën tonë. Çdo qytetar është sovran në të drejtën e tij kushtetuese për t’u zgjedhur e për të zgjedhur, dhe askush, për më tepër politikanët, nuk mund të cënojnë sadopak këtë të drejtë. 20 vjet kanë treguar se nuk kemi pasur një popull që ka gabuar, por kemi pasur politikanë që kanë gabuar, ndaj zgjedhjet bëhen jo për të testuar apo ndryshuar popullin, por për të testuar apo ndryshuar politikanët që marrin vendime në emër të tij.

Është luks i tepërt dhe energji e madhe e shteruar nëse ne kalojmë muaj e vite duke u grindur për votat, aq më tepër kur sistemi ynë zgjedhor ua ka njohur vetë partive politike monopolin mbi votimin, numërimin dhe administrimin zgjedhor. Ju e keni parë, vetë kandidojnë, vetë hartojnë ligjin, ato vetë votojnë dhe e zhvillojnë fushatën, ato ndajnë vetë financimin, ato monitorojnë zbatimin e ligjit, ato vetë janë subjekte ankimimi, dhe së fundi, por me shumë rëndësi, ato administrojnë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe komisionet zonale, komisionet e qendrave të votimit dhe grupet e numërimit. Pra, sikurse e shikoni, është një proces tërësisht bipartiak që detyrimisht kërkon bashkëpunim, heqje dorë nga praktikat bllokuese dhe reflektim nën frymën e ligjit dhe të praktikave më të mira demokratike.

Gjithësesi, nëse hedhim sytë përtej flamujve partiakë, nuk është vështirë të shohim një ngjashmëri të madhe midis premtimeve të kandidatëve dhe palëve politike. Ka ngjashmëri, sepse vetë problemet për zgjidhje janë të ngjashme. Çdo qytetar, i majtë apo i djathtë, me apo pa parti politike, kërkon kushte më të mira jetese, vende të reja pune, shanse më të mira për arsim dhe shërbime cilësore, infrastrukturë funksionale dhe mjedis të pastër, siguri për jetën dhe për pronën, më shumë investime të huaja dhe projekte zhvillimi. Këto janë probleme të njëjta si për Vlorën e Sarandën, ashtu edhe për Shkodrën e Kukësin, për Korçën dhe Tiranën, për Peshkopinë dhe Durrësin. Diferenca midis palëve është se çfarë projektesh ofrojnë për zgjidhjen e këtyre problemeve, sa të besueshme e funksionale janë këto projekte dhe kështu, sa transparente dhe bindëse janë ata për qytetarin votues.

Në kushtet kur diferencat janë kaq minimale atëherë përse ende dëgjojmë një retorikë të ashpër përjashtuese e denigruese për njëri-tjetrin; përse ka ende zyrtarë apo politikanë që zihen për vendosje flamujsh partiakë apo sheshe mitingjesh; situata e këtyre ditëve e dëshmon këtë. Përse kandidohen apo lejohen të jenë pjesë e fushatës individë, që duan t’i zgjidhin gjërat me forcën fizike apo të parasë; dhe së fundi, përse duhet të lejojmë që individë apo grupe të caktuara të cënojnë imazhin e zgjedhjeve dhe bashkë me to, imazhin e demokracisë dhe të vendit? Unë apeloj partitë politike të distancohen qartë dhe menjëherë ndaj çdo akti dhune e retorike kërcënuese, ndaj çdo incidenti provokues dhe dekurajues të ndërmarrë nga kandidatët apo mbështetësit e tyre elektoralë. Partitë dhe kandidatët nuk janë mbi ligjin, - ato duhet të jenë modeli i zbatimit të ligjit. Po ashtu u kërkoj organeve të zbatimit të ligjit të hetojnë çdo rast dhe të vendosin përpara drejtësisë cilindo individ, zyrtar apo qytetar tjetër, që abuzon në forma të ndryshme me ligjin.

Gjej rastin gjithashtu të përshëndes çdo deklaratë të politikanëve të caktuar apo çdo veprim konkret për ndarjen e fushatës elektorale nga burimet publike dhe zyrtare të funksionimit të shtetit. Kodi Zgjedhor përcakton kufizime të qarta të përdorimit të burimeve zyrtare e publike në fushatë elektorale, ndaj apeloj partitë e kandidatët të japin shembuj personalë e publikë të respektimit jo vetëm formal të këtyre dispozitave. Zgjedhjet janë lokale, - partitë janë në fushatë, nuk është shteti, nuk është administrata civile. Në Shqipërinë e vitit 2011, - një vend i NATO-s, duhet kuptuar përfundimisht se fushata dhe mitingjet nuk duhen bërë as në shkollë, as në kopshte, as me fëmijë dhe as me militantë fanatikë të paguar; se presionet elektorale partiake nuk duhet të cënojnë asnjë zyrtar të administratës, asnjë mjek, mësues, punonjës ministrie apo bashkie; se institucionet publike duhet të jenë të paanshme e në shërbim të publikut, - se paratë e taksave të qytetarëve nuk duhet të shpërdorohen në asnjë rast për qëllime elektorale. Këto janë përcaktime ligjore, janë parime demokracie, janë çështje standardesh, të cilat zënë vend të rëndësishëm në raportin e misionit vëzhgues të OSBE / ODIHR-it dhe që kështu përbëjnë një detyrim të dyfishtë për shtetin shqiptar.

Apeli im i adresohet gjithashtu medias, këtij instrumenti të jashtëzakonshëm të komunikimit të informimit publik. 20 vjet përvojë janë të mjaftueshme për të kuptuar sa e rëndësishme është media e pavarur dhe profesionale, për informimin dhe formimin demokratik të qytetarëve. Ne sot kemi shumë gazeta, shumë stacione televizive; pra edhe këtu jemi në rregull me shifrat, por kemi probleme të mëdha me informimin real e profesional publik. Kemi media që quhen publike, por që imitojnë mediat partiake. Kemi media që quhen të pavarura, por që me dëshirë e pasion u shërbejnë palëve politike të caktuara. Natyrisht media, ashtu sikurse edhe elementët e tjerë të shoqërisë, ka preferenca politike dhe që fatkeqësisht i shprehin këto në mënyrë më direkte, pa i kushtuar rëndësi misionit publik e kushtetues, pa llogaritur koston e pasojave të keqinformimit apo informimit të njëanshëm. Unë ftoj median që midis ofertave politike dhe qytetarëve të zgjedhin qytetarët, midis shërbimit politik dhe atij publik të zgjedhin publikun, midis bilancit financiar afatshkurtër dhe besueshmërisë afatgjatë, të zgjedhin besueshmërinë. Ky do të ishte një kontribut real, një garanci e fortë për të ruajtur e promovuar ato vlera e parime, të cilat bëjnë diferencën dhe na afrojnë gjithnjë e më shumë me familjen e madhe evropiane.

Të nderuar të pranishëm,

Siç e shihni, unë sot kam privilegjin të jem i shoqëruar në këtë takim nga ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian dhe të OSBE-së. Më lejoni që të shpreh falenderimet e mia të veçanta për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, jo vetëm në momente fushatash elektorale, por në të gjithë traditën e marrëdhënieve me këto vende kampione të demokracisë, pa të cilin Shqipëria, institucionet e saj, populli shqiptar, do ta kishte pasur të pamundur që sot në vitin 2011 Shqipëria të jetë vend i NATO-s, dhe sikurse e thashë gjatë fjalës sime, të jetë kandidat potencial për në Bashkimin Evropian. Unë i falenderoj ata edhe për angazhimin e tyre politik dhe shumë profesional, dhe për kapërcimin e situatave mjaft të vështira, që arritën kulmin e tyre në ngjarjet e janarit të këtij viti, duke u treguar vërtet jo vetëm përfaqësues dinjitoz të vendeve të tyre, por dhe duke treguar një dashamirësi të spikatur dhe profesionalizëm për zgjidhjen dhe ekuilibrimin me kujdes të një situate që realisht ishte shumë e vështirë. Falë institucioneve tona, falë aktorëve politikë, falë edhe vendeve partnere, Shqipëria sërish iu rikthye normalitetit, dhe besoj që ngjarjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet e pushtetit vendor janë zgjedhje apo zgjidhje më se normale të një vendi normal demokratik.

Më lejoni edhe njëherë, që nëpërmjet tyre, të falenderoj krerët e shteteve partnere dhe t’i siguroj që Shqipëria, institucionet e saj, populli shqiptar, do të bëjnë të pamundurën që të kapin ritmin e duhur për të plotësuar të gjitha detyrimet dhe për t’u bërë pjesë reale e familjes së madhe evropiane.

Zgjedhjet e 8 majit janë një sprovë e rëndësishme për t’u përcjellë shteteve mike dhe institucioneve partnere që ambasadorët përfaqësojnë, - vullnetin dhe përkushtimin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare për të vijuar reformat dhe angazhimet për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Zgjedhjet padyshim janë një test, një test me rëndësi, por pas tyre, vendi ka nevojë për një etapë të re bashkëpunimi ndërpartiak dhe ndërinstitucional për të fituar kohën e humbur apo vonesat e krijuara në axhendën e reformave integruese, të cilat janë në interes direkt të qytetarëve dhe njëherësh kriter politik për vendin tonë. Unë jam optimist, sepse e njoh shumë mirë energjinë pozitive që kemi, njoh kurajon dhe aftësinë krijuese qytetare, njoh aspiratat tona për një Shqipëri moderne dhe thellësisht demokratike, siç njoh maturinë e shumicës absolute të qytetarëve, partive politike apo politikanëve aktivë, për të mos lejuar për asnjë arsye apo axhendë paralele që 8 maji të mos jetë një shans i fituar. Unë padyshim jam optimist që 8 maji do të jetë një shans që ne do ta fitojmë të gjithë së bashku.

Edhe njëherë ju ftoj t’i bashkoheni apelit tim për pjesëmarrje në zgjedhje dhe kështu, të jepni një kontribut real e me vlera për veten tuaj, për komunitetin dhe për forcimin e demokracisë funksionale në Shqipëri!

*Fjala e Presidentit Bamir Topi në takimin me pedagogë dhe studentë të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë.

KOMENTE