English

Wollfarth: Arritët konsensus për Kodin aktual, mund ta arrini edhe tani

Vlorë, 18 prill 2011, NOA Update – Nga Universiteti i Vlorës ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth i ka bërë një apel të qartë kandidatëve që garojnë për kryetarë bashkish e komunash në zgjedhjet vendore të 8 majit se ata nuk duhet të bien pre e interesave politike, por të garojnë me programe të qarta për të për të përmirësuar jetën e qytetarëve. “Zgjedhjet vendore duhet të jenë koha kur anëtarë të komunitetit që kandidojnë të kenë mundësinë të tregojnë se si do ta përmirësonin ata zonën e tyre. Ata nuk duhet të bien pre e interesave politike të drejtuesve të partive ku aderojnë”, deklaroi Wollfarth.

Vetëm gara me programe për qytetarët dhe zhvillimin e qyteteve mund t’i shndërrojë zgjedhjet në një garë të vërtetë, pasi përndryshe ato janë një konkurs bukurie.

“Nuk mendoj se është mirë kur zgjedhje të tilla, dhe këtu nuk po flas vetëm për Shqipërinë, por edhe për shumë vende të tjera evropiane, shndërrohen në një lloj konkursi bukurie politik midis drejtuesit A të një partie politike dhe drejtuesit B të një partie tjetër”, tha Wollfarth.

Këtu ai preçizoi se “Kur ndodh një gjë e tillë, thelbi i vërtetë, rëndësia dhe vlera strategjike e kuptimit të vërtetë të vetëqeverisjes vendore, fatkeqësisht, zvogëlohet. Bëhet fjalë për jetën reale dhe administrimin e saj, përsëriti ambasadori i OSBE-së.

Sipas tij në kontekstin aktual shqiptar, edhe pse i vështirë për disa, ka vend për optimizëm.

“Unë besoj se zgjedhjet e ardhshme vendore bazohen tashmë në lista më të mira zgjedhësish, pas krijimit nga Ministria e Brendshme të një regjistri të ri të gjendjes civile dhe një sistemi të adresave në zbatim të një projekti prej miliona eurosh të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri”, vijoi Wollfarth.

Një nga rezultatet e drejtpërdrejta të projektit është numri shumë më i vogël i dublikimeve të emrave të njerëzve mbi 100 vjeç në listat e zgjedhësve, që sikundër tha Wollfarth ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara dhe po sipas amsadorit duhet të shërbejë si element pozitiv për zgjedhjet e tanishme dhe t’i bëjë qytetarët shqiptarë të besojnë vërtet se vota e tyre ka rëndësi.

Ambasadori i OSBE-së i bëri një thirrje të qartë partive politike dhe jo vetëm krerëve të tyre, se duhet të jenë të ndërgjegjshme për përgjegjësinë e madhe mbi shpatullat e tyre, për të siguruar suksesin e zgjedhjeve, sipas standardeve ndërkombëtare.

“E thënë thjesht: këto zgjedhje, këto zgjedhje vendore, duhet të funksionojnë”, theksoi ambasadori i OSBE-së.

Këtu ai deklaroi se nuk duhet harruar fakti se të dyja partitë kryesore politike kanë lidhur në mënyrë te pazgjidhshme një marrëveshje në Kodin aktual Zgjedhor, sipas të cilit do të zhvillohen këto zgjedhje.

“Duke qenë se ato i kanë shkruar vetë rregullat e lojës, atëherë nuk duhet ta kenë aq të vështirë, asnjëra palë, që ta drejtojë këtë anije të quajtur ‘zgjedhje vendore’ në ujëra më të qeta e më paqësore”, tha Wollfarth.

Ai përmendi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it ku shprehet qartë se çështja kryesore është që partitë politike të shkojnë mirë me njëra-tjetrën.

Në këtë kontekst ambasadori Wollfarth u tërhoqi vëmendjen liderëve të partive kryesore politike duke thënë shkoqur se “përderisa të dyja palët arritën në një farë mënyre të gjejnë konsensus në pranverën e vitit 2008, kështu mund ta bëjnë përsëri, nëse duan vërtet”.

Në këtë aktivitet në universitetin e Vlorës merrnin pjesë edhe Presidenti i republikës Bamir Topi, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, ai i BE-së Ettore Sequi.

mit/NOA

KOMENTE