English

Operacioni “Kërkimi Intensiv II”, kap 3 persona të kërkuar

Tiranë, 19 prill, NOA – Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kërkimi Intensiv II”, brenda 24 orëve të fundit Policia e Tiranës ka mundur të realizojë kapjen e 3 personave të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Siç ajo bën me dije për agjencinë e Lajmeve NOA, i pari i ndaluar është 24-vjeçari Denis Braho, lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë.

Në ngarkim të tij, Gjykata e Shkallës Parë për Krimet e Rënda, me vendim të datës 16.12 2010, ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”.

Kurse i ndaluari i dytë mësohet se është Mehmet Capa, 38 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Sharrë, Tiranë.

Ai rezulton si i shpallur në kërkim pasi gjykata e Dibrës me vendim të datës 10.03.2011, e ka dënuar me një vit burg dhe një milion lekë gjobë, për veprën penale të “Kalimit të paligjshëm të kufirit”, parashikuar nga neni 298/1 i Kodit Penal.

Dhe në fund, është kapur Përparim Bashmeta, 39 vjeç, banues në fshatin Bago, të Kavajës, i dënuar më parë për veprën penale “Prishje rendi dhe qetësi publike”, pasi ka shkuar në qendrën mjekësore të fshatit dhe është konfliktuar me personelin mjekësor, si dhe ka dëmtuar objekte zyre duke thyer xhamat e dritareve të kësaj qendre.

Materialet hetimore në ngarkim të tij, iu kaluan prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Prishjes së rendit dhe të qetësisë publike”, parashikuar nga nenet 274 dhe “Shkatërrimit të pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE