English

Dako: Xhaferraj dhe projektet e tij bëjnë masakër mjedisore

Durrës, 20 prill 2011, NAO- Kandidati i socialistëve për zgjedhjet e 8 majit në Durrës, Vangjush Dako ka zhvilluar disa takime me banorët e zonës së Plazhit, me gratë e qytetit dhe të moshuarit e vendit bregdetar.

Zona e Plazhit do të jetë një ndër qendrat më të frekuentuara turistike gjatë katër viteve që do të vinë, u ka thënë Dako banorëve të kësaj zone gjatë një takimi.

Ai e ka cilësuar këtë zonë si dëshmi të punës së vazhdueshme të bashkisë të bërë në vite.

“Projektet e mia për të ardhmen janë konkrete të arritshme. Ato nuk janë premtime mashtruese siç janë ato të kundërshtarit tim Xhaferraj që jo vetëm bën premtime që bien në kundërshtim me ligjin, siç është ai për uljen e taksave me 50%, por edhe premtime të tjera që nuk kanë asnjë lidhje me fuqinë reale të buxhetit të Bashkisë dhe si të tilla nuk mund të mbahen”, ka theksuar Dako.

Kryebashkiaku ka apeluar përpara të rinjve që të mos votojnë njerëz të cilët i kanë përgatitur Durrësit një masakër mjedisore, siç është vendimi i qeverisë së kandidatit Xhaferraj për ndërtimin e TEC-it në Porto- Ronamo, i cili sipas Dakos, është një projekt që do të shkatërrojë jo vetëm mjedisin, por edhe industrinë e turizmit me të cilin shumë familje në qytetin e Durrësit sigurojnë të ardhurat.

Më tej ai ka publikuar projektin më të ri të bashkisë së qytetit bregdetarë “ Forcimi i të rinjve nëpërmjet zhvillimit të komunitetit “ që do ti dedikohet të rinjve, projekt i financuar nga Qeveria Japoneze që ka parë me përparësi fuqizimin e pjesëmarrjes së të rinjve në aktivitete që nxisin punësimin dhe vetëpunësimin, në promovimin e sjelljeve të shëndetshme, dhe fuqizimin e një pjesëmarrje aktive në jetën sociale të komunitetit.

Më tej kryebashkiaku Dako ka vizituar të moshuarit në qendrën ditore të të moshuarve, e cila financohet nga Bashkia e Durrësit.

Ai u tha të moshuarve se mosha e tretë ka qene gjithmonë në fokus të programeve sociale të Bashkisë.

Ndër të tjera një tjetër takim i tij është zhvilluar edhe me gratë e këtij qyteti ku ai shoqërohej nga deputetja socialiste Klodiana Spahiu.

Sipas Dakos, në Durrës, barazia gjinore nuk është thjeshtë një deklamim politik, por një realitet konkret. Ai ka nënvizuar përpara të pranishmeve se Bashkia e Durrësit është e vetmja në Shqipëri që ka një zyrë për barazinë gjinore.

Për të ilustruar këtë Dako nuk ka ngurruar të sjellë si shembull dhe stafin e bashkisë që ai drejton ku nga 240 punonjës nga këta 118 janë femra dhe 122 meshkuj, nga 10 drejtorë 6 janë drejtuese femra dhe se që nga viti 2007 e deri më sot janë punësuar 92 punonjës të rinj nga këto 40 femra.

a.y/NOA

KOMENTE