English

Krasniqi: Serbia ende jo e gatshme për fqinjësi të mirë me Kosovën

Amsterdam, 21 prill 2011, NOA - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë takimit me kryeparlamentaren holandeze deklaroi se Serbia nuk është ende e gatshme që të vendosë marrëdhënie fqinjësie me Kosovën. Gjatë takimit me kryetaren e Parlamentit të Mbretërisë së Holandës, Gerdi Verbeet dhe Komisionin për Çështje Evropiane dhe Politikë të Jashtme kryekuvendari i Kosovës ku foli për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, zoti Krasniqi shtroi nevojën e përshpejtimit të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe për qartësimin e hapave që duhet të ndërmarrë ajo në këtë proces.

“Ne presim që Komisioni Evropian shumë shpejt të na japë udhërrëfyesin për liberalizmin e vizave dhe qartësimin e hapave që duhet të ndjekë Kosova”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.

Ai foli edhe për raportin e Dik Martit dhe dëmet që ka shkaktuar, theksuar se lufta çlirimtare e Kosovës ka qenë e pastër dhe se raporti është tërësisht me të pavërteta.

Krasniqi u kërkoi ndihmë autoriteteve holandeze për njohjen e gjerë ndërkombëtare, që i duhet kaq shumë Kosovës dhe paraqiti pengesën e madhe që i vjen Kosovës nga mosnjohja prej të gjithave vendeve të Bashkimit Evropian.

Ai kërkoi, gjithashtu, që Kosova të trajtohet njësoj sikurse të gjitha shtetet e tjera të rajonit, në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në takimet rajonale e ndërkombëtare, si dhe kërkoi ndihmë në procesin e integrimit evropian e të krijimit të marrëdhënie kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës, si dhe për rikthimin e marrëveshjes për masat preferenciale tregtare.

Në këto takime, kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi falenderoi zyrtarët holandezë për kontributet që Holanda ka dhënë për Kosovën, që nga angazhimet e saj në forcat ndërhyrëse të NATO-s, të KFOR-it e të EULEX-it, për njohjen e hershme të pavarësisë së Kosovës dhe për mbrojtjen e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Krasniqi konfirmoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës janë të shkëlqyeshme.

Ai i njoftoi mikpritësit me situatën e brendshme në Kosovë, për stabilitetin e saj politik, zgjedhjet, konsolidimin e institucioneve demokratike, ndërtimin e shtetit ligjor, mbrojtjen të drejtave të pakicave dhe për problemet që ka Kosova në veriun e saj.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Holandës e veçanërisht ndërmjet dy parlamenteve, kryetari Krasniqi shprehu nevojën e shpeshtimit të kontakteve dhe thellimin e marrëdhënieve ndërparlamentare.

Ai konstatoi se në Kosovë ka mbi dyzet biznese holandeze, si në tregti, prodhim, shërbime etj., duke nënvizuar nevojën e shtimit të investimeve holandeze në Kosovë.

Kryeparlamentari i Kosovës parashtroi nevojën e nënshkrimit të marrëveshjeve, edhe të atyre të trashëguara nga ish-Jugosllavia, si për tregtinë, transportin, shërbimet ajrore, kulturën, sigurimin social, anulimin të taksave të dyfishta, marrëveshjen për riatdhesimin në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, e mjaft të tjera.

Nga ana e saj Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Holandës, Gerdi Verbeet, tha se në Parlamentin e Holandës ka pasur gjithmonë përkrahje për Kosovën. “Ne e kemi kontribuar në NATO dhe e kemi njohur Kosovën me një përkrahje shumë të gjerë në parlament. Edhe sot, parlamenti holandez i jep një përkrahje shumë të fuqishme Kosovës në procesin e integrimit të saj në BE. Ne kemi kritere strikte por të ndershme, për këto procese”, theksoi ajo, ndërsa shtoi se Kosova ndodhet në hapat e parë drejt integrimit.

Zonja Verbeet e cilësoi vizitën e kryeparlamentarit të Kosovës si shumë të qëlluar dhe se do t’i kontribuojë thellimit të marrëdhënieve ndërmjet dy parlamenteve dhe vendeve tona.

Ajo theksoi që Dhoma e Përfaqësuesve e Mbretërisë së Holandës, i kushton rëndësi të madhe sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi e ftoi kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Holandës për një vizitë zyrtare në Kosovë, ndërsa Komisioni parlamentar për Çështje Evropiane dhe Politikë të Jashtme, do të vizitojë Kosovën gjatë muajit maj të këtij viti.

Kryeparlamentari i Kosovës ishte edhe në Komisionin për Çështje Evropiane dhe Politikë të Jashtme, ku diskutuan pothuajse të gjithë anëtarët e komisionit që ishin të pranishëm, kurse kryesuesi i tij, e quajti këtë një vizitë historike, sepse, siç tha ai, është e para e këtij niveli nga Kosova në Holandë.

Kryetari i këtij komisioni Van Bonmel tha se janë në një debat parlamentar në Holandë. Anëtarët e komisionit i bënë pyetje të shumta kryetarit Krasniqi, të cilat kishin të bënin me marrëdhëniet me Serbinë, diplomacinë parlamentare, mundësinë e zhvillimit të takimeve ndërmjet deputetëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, dialogun që po zhvillohet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, raportin e Dik Martit, raportet e shtetit të Kosovës me fenë, decentralizimin etj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi bëri sqarimet e nevojshme për të gjitha çështjet që parashtruan anëtarët e këtij komisioni.

Gjatë ditës së sotme, kryetari Krasniqi do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Philippe Couvrer dhe do të vizitojë mjediset e kësaj gjykate.

mit/NOA

KOMENTE