English

Bode: Ligji i faljes së borxheve garanci për qytetarët dhe biznesin

Tiranë, 22 prill 2011, NOA – Një ditë pas miratimit të ligjit të Legalizimit dhe faljes së kapitaleve” ministri i Financave Ridvan Bode deklaroi se zbatimi i ligjit do të nisë brenda dy javëve të para të muajit maj dhe kohëzgjatja e tij do të jetë deri në fund të viti 2011.

Ministri i Financave në një konferencë për shtyp theksoi se ligji për faljen e borxheve ka në qendër qytetarin dhe sikundër tha ai i qetëson qytetarët dhe biznesin në raport me administratën fiskale.

Bode deklaroi se “ky ligj i jep fund kapitullit ku evazioni dhe informaliteti kanë qenë dominant dhe për t’iu adresuar një epoke të re të konkurrencës dhe veprimit të ligjit”. Ministri i Financave duke folur për efektin financiar të këtij ligji kur shumat që falen janë të mëdha, bëri me dije se sipas përllogaritjeve të MF-ve vetëm falja e detyrimeve të prapambetura shkon në rreth 40 miliardë lekë të reja, ndërkohë që siç tha ai “një sërë lehtësirash të reja i krijohen biznesit për të kapërcyer atë fazë jo fort të këndshme”.

Ministri Bode tha se ligji i faljes së borxheve është me një shtrirje të gjerë.

“Ai ofron një garanci solide që qytetarët dhe bizneset që nuk kanë deklaruar apo paguar taksat e tatimet, të deklarojnë dhe legalizojnë këto kapitale dhe të shkëpusin njëherë e përgjithmonë lidhjet me një të kaluar fiskale problematike, jotransparente dhe antiligjore”, nënvizoi Bode.

Ministri i Financave sqaroi edhe njëherë kategoritë që përfitojnë nga ky ligj i Legalizimit dhe faljes së kapitaleve, i cili sikundër tha ai legalizon kapitalin në vlerë monetare të qytetarëve dhe personave fizikë; rivleresimin e aseteve të qytetarëve dhe të bizneseve; vetëdeklarimin e detyrimeve tatimore për periudhat e mëparshme për të gjithë komunitetin e biznesit; faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore për qytetarët dhe për bizneset, përfshi dhe gjobat për makinat; faljen e faturave të papaguara të energjise elektrike dhe të ujësjellësave deri në momentin që këto shërbime janë ofruar nga kompani në pronësi të Qeverisë.

Në këtë kontekst, ministri i Financave theksoi se “Sikur opozita të kishte dhënë konsensusin dhe do të kishte votuar, ligji do të përfshinte dhe amnistinë penale për disa kundravajtje penale që lidhen kryesisht me tatimet dhe taksat. Si dhe një sërë çështjesh që sot janë në ndjekje dhe gjykim nga prokuroria apo sistemi gjyqësor për fshehjen e taksave, të klasifikuara si kundravajtje penale”.

Por këtu ministri Financave sqaroi për publikun edhe kategoritë që nuk përfshihen në ligjin e miratuar nga Kuvendi.

Ministri i Financave tha se nuk përfitojnë nga legalizimi i të ardhurave monetare apo nga falja e disa prej detyrimeve tatimore, zyrtarët si dhe personat e lidhur me ta qe kane apo kane pasur detyrimin për deklarim te pasurisë se tyre.

“Ky ligj në përgjithësi, nuk do te prekë asnjë nga procedurat administrative apo penale qe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka ndërmarrë apo do të ndërmarrë në të ardhmen ndaj personave që kanë detyrimin ligjor për të bërë deklarimin e pasurisë. Jashtë këtij ligji mbeten të gjitha ato vlera monetare apo pasuri të krijuara nga krimi i organizuar, trafiku dhe korrupsioni”, preçizoi Bode.

Më tej ai sqaroi në detaje edhe ofertën konkrete që ligji jep për kategoritë e ndryshme sociale dhe ekonomike në vend, të janë qytetari dhe biznesi i vogël.

Ministri Bode e cilësoi këtë inisiativë si një nismë që ka në qendër qytetarin.

Më poshtë jepen përfituesit nga ligji i Legalizimit dhe faljes së Kapitaleve:

Të gjithë ata qytetarë që kanë shuma monetare dhe duan t’i legalizojnë, mund ta bëjnë këtë dhe t’i depozitojnë në bankë, kundrejt formularit të deklaratës që do të miratohet dhe do të jepet në përdorim. Tarifa që paguajnë për këtë është sa 3% e shumës. Kjo tarifë është shumë më e vogël se interesi në lekë që japin bankat për depozitimin e shumave dhe që variojnë nga 6.5 – 7.5%.

Të gjithë qytetarët që kanë blerë pasuri të paluajtshme, toka apo apartamente, dhe që për shkak të ndryshimit të shpejtë dhe shumë të madh të tregut të pasurive të paluajtshme vitet e fundit, do të paguanin një tatim të madh mbi shitjen e pasurisë së paluajtshme, mund të bëjnë rivlerësimin e pasurisë së tyre me vlerë tregu. Tarifa për këtë rivlerësim është vetëm 1% e shumës që rivlerësohet, pra diferencës midis shumës së rivlerësuar dhe shumës që ekziston e regjistruar në zyrat e hipotekës. Kjo do të thotë që secili prej individëve në momentin e shitjes së pasurisë do të paguajë një taksë dhjetë herë më të vogël se taksa që do të paguante dhe do të paguajë normalisht sipas ligjit.

Të gjitha taksat dhe tatimet e qytetarëve të papaguara deri në fund të vitit 2010 do të falen. Këtu përfshihen dhe taksat e papaguara për makinat si dhe gjobat e makinave.

Detyrimet për pagimin e detyrimeve doganore për makinat e importuara deri në fund të vitit 2010, u falen së bashku gjobat dhe interesat, nëse do të paguhet 50% e principalit të detyrimit që ata kanë ndaj organit doganor.

Energjia elektrike për shtresat në nevojë deri në fund të vitit 2006.

Ujin e pijshëm për familjaret deri në momentin e transferimit të aksioneve tek pushteti vendor, por jo më vonë se fundi i vitit 2010.

Së dyti, ligji vë në fokus biznesin e vogël;

Të gjithë ata qytetarë që jane të regjistruar dhe si biznes i vogël dhe që deklarojnë shuma monetare në bazë të këtij ligji, do të konsiderohen se i kanë paguar të gjithë detyrimet tatimore konform ligjit, deri me 31 Dhjetor 2010. Tarifa e këtij legalizimi është sa ajo e qytetarëve, pra 3 %.

Të gjitha taksat dhe tatimet e biznesit të vogël, të papaguara deri në fund të vitit 2010, do të falen.

Të gjithë të vetëpunësuarve, u falen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe gjobat e kamat vonesat e papaguara deri me 31 Dhjetor 2008. U falen gjithashtu dhe 2 vitet e fundit nëse paguajnë detyrimin e tyre për sigurime për vitin 2011. Kjo kategori nëse deshiron të paguajë detyrimet për kontributet, u falen gjobat dhe kamat vonesat për të gjithë periudhën e kaluar. Pra në qoftë se dikush nuk preferon që t’i fallen të plota këto detyrime, pasi falje do të thotë mosnjohje e vjetërsisë së punës, dhe nësie ai preferon t’i njihet vjetërsia në punë, atëherë i hiqen gjobat edhe kamatvonesat me kusht që të paguajë principalin.

Personave fizike, biznes i vogël, u falen gjobat dhe kamatë vonesat për të punësuarit e tyre, deri më 31 Dhjetor 2010.

Biznesit të vogël i cili është pajisur me kasë fiskale deri me 28 Shkurt 2011, u falen gjobat e marra për mosvendosjen e këtyre pajisjeve më herët. Pra gjithë gjobat e vendosura nga administrate tatimore për mosvendosje të kasave fiskale para datës 28 dhe që ndërkohë e kanë respektuar afatin përfundimtar do të falen.

Së treti, kjo inisiativë ka një impakt të gjerë për bizneset që janë subjekt i

TVSH-së;

Të gjithë kompanitë shqiptare që kanë në bilancet e tyre pasuri të paluajtshme dhe makineri pajisje me vlerë poshtë vlerës së tregut, mund të bëjnë rivlerësimin e tyre duke i pasqyruar në bilancin e vitit 2011. Tarifa për pasuritë e paluajtshme është 3% e diferencës që rrjedh nga rivleresimi dhe 5% për makineri e pajisje. Të gjitha këto rivlerësime do të përfshihen në amortizim, që do të thotë se lejohet që të rriten shpenzimet e kompanive sipas amortizimit të vlerës së rivlerësuar të aseteve, që do të thotë gjithashtu se do të paguajnë më pak tatim fitimi në periudhat e ardhshme.

Biznesit u falet gjithashtu borxhi tatimor e doganor deri më 31 Dhjetor 2008. Për 2009, nëse paguajnëe 30% të principalitu falen gjobat dhe kamat vonesat; për 2010, nëse paguajnë 50% të kapitalit, u falen gjobat dhe kamat vonesat.

Bizneseve që paguajnë 50% të principalit të borxhit doganor për vitin 2009, u falen kamat vonesat dhe gjobat që lidhen me këtë borxh. Ndërsa ata që paguajnë 100% të këtij borxhi pë vitin 2010, u falen interesat, gjobat dhe kamat vonesat.

Bizneseve u falen kamat vonesat dhe gjobat për detyrimet për sigurimet shoqërore e shëndetësore të papaguara.

Bizneseve u krijohet mundësia që të vetëdeklarojnë detyrimet tatimore e doganore, që është shumë e rëndësishmë, të padeklaruara për periudhën deri më 31 Dhjetor 2010 dhe nëse paguajnë 50% të diferencës që rrjedh nga ky vetëdeklarim, u falet pjesa tjetër bashkë me gjobat e kamat vonesat që do të aplikoheshin prej mosdeklarimit.

Si e shihni, ligji që përfshin legalizimin e aseteve, rivlerësimin e kapitaleve, vetëdeklarimin në masë të plotë të detyrimeve tatimore të reduktuara ose të fshehura në periudhat e mëparshme, sikurse dhe të gjithë aktivitetet e tjera ekonomike, duke përfshirë edhe elementet e përfitimeve të drejtpërdrejta të qytetarëve, përbën një gamë shumë të gjerë të faljeve, mospenalizimeve, legalizimit në thelbin e tij që është dhe pjesë kryesore e një amnistie, pra është me një shtrirje të gjerë dhe me garanci të plota juridike për të përfituar gjithsecili nga qytetarët dhe biznesmenët e vendit.

mit/NOA

KOMENTE