English

Secili për flamurin e tij

“Secili të votojë për flamurin e tij, secili të promovojë flamurin e tij, por secili duhet të respektojë, të ketë tolerancën e plotë dhe vetëdijen se edhe flamuri tjetër është kusht që ai të jetë i lirë”

Nga Sali Berisha

“Sërish, kryefjala e kësaj mbledhjeje janë zgjedhjet, si dhe në çdo mbledhje tjetër deri në datën 8 maj. Edhe një herë, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, të të gjitha bindjeve politike, të shfrytëzojnë këtë proces për të dhënë kontributin e tyre personal në një proces të lirë, të ndershëm zgjedhor, të shfrytëzojmë këto javë për të dhënë gjithsecili kontributin e tyre personal në procesin më themelor, më të rëndësishëm, më jetik për Shqipërinë dhe shqiptarët, procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Për ne, shqiptarët të të gjitha bindjeve, integrimi europian është procesi i vetëm më kryesor, më i rëndësishëm, për të gjithë këtë shekull. Në këtë proces kompleks, të gjerë, jo të lehtë, çdo qytetar kontribuon me punën, përkushtimin e të gjithë qëndrimet e tij. Por kontribut më të madh, se në çdo rrethanë tjetër, në procesin e integrimit, qytetari shqiptar mund të japë duke ndihmuar dhe duke u angazhuar për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm.

Ndaj thirrja ime, të shmangim çdo akt dhune, çdo akt tensionimi, çdo akt fanatizmi, të vendosin me qëndrimin e tyre qytetar një tullë të re në ngrehinën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Ata, të cilët verbërisht i lejojnë vetes akte dhune, tensionojnë situatën, duhet ta dinë se në mënyrë absolute veprojnë kundër interesave personale jetike të çdo shqiptari, edhe të vetes së tyre.

Sikundër u bëj thirrje organeve të rendit dhe të organeve të tjera të zbatimit të ligjit të adaptojnë zero tolerancë ndaj çdo lloj abuzimi. Zgjedhjet, karakteri i tyre përcaktohet para së gjithash e mbi të gjitha, nga zbatimi i ligjit zgjedhor dhe ligjeve të tjera të lidhura me zgjedhjet.

Çdo qytetar, çdo komisioner, çdo anëtar i organizatave të shoqërisë civile, ka shansin e madh të ndihmojë në këtë proces, duke kontribuar në zbatimin me korrektesë të ligjit të zgjedhjeve dhe ligjeve të tjera të lidhura me zgjedhjet.

Policia e shtetit ka marrë e merr të gjitha masat për një qëndrim të rreptë ligjor ndaj çdo shkelësi. Është e hidhur dhe realisht lënduese kur sheh përplasje për çështje flamurësh. Për ata që përplasen për problemin e flamurëve, unë kam këtë mesazh dhe theksoj se flamujt e forcave politike shqiptare, flamujt e spektrit politik shqiptar janë flamujt e pluralizmit.

Këto flamuj shkëlqejnë vetëm kur rrinë në tërësinë e tyre, sepse, pa ta dhe me flamuj të veçantë, Shqipëria nuk do të ishte kurrë kjo që është. Ndaj flamujt vërtet janë të forcave politike, por janë flamujt e pluralizmit.

Secili të votojë për flamurin e tij, secili të promovojë flamurin e tij, por secili duhet të respektojë, të ketë tolerancën e plotë dhe vetëdijen se edhe flamuri tjetër është kusht që ai të jetë i lirë.

Tani që po ecin drejt javëve më të rëndësishme të fushatës ka një rrugë, ka një mënyrë të sigurt për t’i shndërruar këto zgjedhje në fitore për çdo qytetar shqiptar. Në këto zgjedhje do të fitojë çdo shqiptar, kur këto të jetë të lira e të ndershme.

Pastaj do të jenë edhe kandidatët që, sigurisht, qytetarët do të zgjedhin më të mirët e më të mirëve. Kjo ishte kryefjala e mbledhjes dhe kjo do të jetë kryefjala në çdo mbledhje të qeverisë, pasi qeveria ka vetëm një apel”.

KOMENTE