English

Shalsi: Luli, kopjaci i keq i Parkut të Trenit

Tiranë, 22 prill 2011, NOA- Ashtu si edhe herë të tjera, deputeti i Partisë Socialiste Eduard Shalsi e ka akuzuar kandidatin e maxhorancës për kryeqytetin Lulzim Basha si një kopjac të projekteve të bashkisë aktuale.

“Sot kandidati i ç’orientuar i radhës i Saliut për Tiranën na paska folur për parkun e Trenit. Në fakt, sot, ne jemi të gjithë shumë të kënaqur që ideja e këtij parku, e lindur vite më parë, e përpunuar nga Bashkia e Tiranës po vite më parë, qenka kaq e bukur dhe kaq impresionuese sa që e ka bërë tashmë për vete edhe Luli i Saliut”, deklaroi Shalsi.

Më tej ai tha se, aktualisht Bashkia e Tiranës nuk ka thjesht një ide mbi Parkun e Trenit, por ka një projekt të plotë zhvillimi, ka një ide shumë të qartë se si do të zbatohet.

Ai u shpreh se, “Madje, madje Lulit të Saliut me shumë kënaqësi do t’i tregonim dhe maketin e Parkut të Trenit që siç e shihni është bërë dhe pret vetëm e vetëm zbatimin”.

Sipas tij, projekti për këtë park përfshin që nga ambientet sportive e deri te ambientet e gjelbra dhe relaksuese.

Në mbyllje të fjalës së tij Shalsi tha: “ Edhe njëherë do donim ta falenderonim kopjacin e keq Lul që solli në vëmendjen e qytetarëve të Tiranës projektin ambicioz të së ardhmes që është Parku i Trenit. Projekt, të cilin në ditët në vijim do ta mësoni në detaje me të gjithë tematikat mjedisore, hapësinore të kësaj zone”.

a.y/NOA

KOMENTE