English

Basha: Çiftet e reja, ofrohet strehim nga bashkia e Tiranës

Tiranë, 23 Prill 2011 NOA/ Ervin Tirana - Një fond i veçantë do të ngrihet për të ndihmuar çiftet e reja të marrin kredi me kushte lehtësuese për strehimin dhe njëkohësisht, brenda katër vitesh do të ndërtohen 1 000 apartamente për të pastrehët.

Premtimin e bëri sot kandidati i mazhorancës për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, me moton “Bashkia do të jetë në anën e qytetarëve”.

Gjatë prezantimit të kandidatit për njësisë vendore nr 3 në Tiranë Ilir Kokona, Basha shpjegoi dhe politikën e uljes së çmimeve dhe krijimit te vendeve të punës,

Ndonëse paguajnë taksa të larta, qytetarët dhe bizneset e Tiranës nuk marrin shërbimin e merituar. Për këtë arsye, ata janë të detyruar të paguajnë sërish. Këtë pagesë të dyfishtë, bizneset e nxjerrin tek qytetarët konsumatore përmes rritjes së çmimeve. Në këtë rast, të penalizuarit janë banorët, të cilët detyrohen të nxjerrin 3 herë para nga xhepi, si pasojë e abuzimit nga ana e bashkise.

Pikërisht, tek ky fakt, Lulzim Basha tha se e bazon politikën e tij të uljes se çmimeve, duke ulur taksat dhe ofruar shërbimet që i takojnë Bashkisë duke premtuar t’u rikthejë qytetarëve të Tiranës çmime normale dhe një treg normal.

“Është e vërtetë, nuk janë 82 taksa dhe tarifa, janë plot 85 taksa dhe tarifa vendore. Këto taksa mblidhen, por shërbime nuk ofrohen, dhe për ato shërbime që nuk ofrohen, ju si qytetarë dhe akoma më shumë punëdhënësit e këtij qyteti, nxjerrin përsëri leke nga xhepi për të kryer shërbime të cilat nuk kryhen me taksat tona. Ndaj unë, ju them sot se ulja e taksave, heqja e mbi 60 taksave dhe tarifave vendore, nuk është slogani im politik, por është zotimi im, dhe unë do ta bëj realitet brenda javës time të parë si Kryebashkiaku juaj i ardhshëm”, - tha Basha.

Përveç taksave të ulëta, ai premtoi të ngrejë brenda muajit maj, agjencinë Bashkiake të Tiranës për mbrojtjen e konsumatorit dhe detajoi:

“Kjo agjenci do ketë një dhe vetëm një detyrë. Të identifikojë, hulumtojë, investigojë dhe të godasë me forcën e ligjit këdo që spekulon me çmimet e larta në tregjet e qytetit tonë. Punësimi i qytetarëve të Tiranës jo vetëm nuk do jetë diçka e huaj, e pakuptueshme, larg kompetencave të Bashkisë, por do të jetë detyra numër një e Kryebashkiakut tuaj të ardhshëm”.

Basha tha se taksat e ulëta do të bëjnë të mundur hapjen e 4 mije vendeve të reja të punës në Tiranë, brenda 6 mujorit e parë.

“Të bashkuar siç jemi sot në një qëllim të vetëm, ti përvishemi punës për Tiranën dhe qytetarët e Tiranës”, u shpreh Lulzim Basha.

Duke prezantuar kandidatin për kryetar të njësisë bashkiake numër 3, Basha bëri të ditur se përmes krijimit të garancisë për kreditimin e biznesit dhe nisjen e ndërtimit të Unazës së Madhe, do të hapen edhe 11800 vende të reja pune.

Basha premtoi po ashtu përmirësim rrënjësor të rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve. Kandidati për kryebashkiak tha se puna për Tiranen europiane do të nisë me ndërtimin e lagjeve të saj.

e.t/e.r/NOA

KOMENTE