English

Luan Rama: Projekti i mazhorancës, për qytetarët

Burrel, 23 prill, NOA – Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama deklaroi sot gjatë një takimi elektoral në rrethin e Matit se alternativa më e mirë në këto zgjedhje është koalicioni “Aleanca për Qytetarin”. Në takimin e organizuar në mbështetje të kandidatit të koalicionit për Bashkinë e Burrelit, Skënder Lleshi, Rama u shpreh se mazhoranca vjen në këto zgjedhje me premtime konkrete dhe program të qartë.

“Jam i bindur se ne 8 maj duke votuar për “Aleancën për Qytetarin” duke votuar për Skënder Lleshin në 8 maj dhe për LSI, ju votoni për një projekt i cili vë të parin qytetarin e Burrelit. Ju votoni për një projekt i cili merret seriozisht me problemet e qytetarëve me problemin e punësimit ndaj është për t’u përshëndetur vizioni i kandidatëve të “Aleancës për Qytetarin”, tha Luan Rama.

Luan Rama vlerësoi se kontributi i LSI-së në qeverisje ka qenë thelbësor dhe bëri të mundur liberalizimin e vizave. “LSI-ja ajo që shmangu një problem të madh që i kanosej vendi nëse LSI-ja nuk do të bënte këtë zgjedhje. Qytetarët shqiptarë nuk do të mund të udhëtonin sot pa viza në të gjithë hapësirën Evropiane. Ndaj dhe vota juaj për z. Lleshi dhe për LSI-në është një votë për të respektuar më shumë dhe për t’i shërbyer më mirë qytetarit këtu në Burrel”, tha Rama.

Sipas tij, alternativa e LSI-se dhe e këtij koalicioni është një hap përpara për këtë qytet dhe për këtë komuniteti për një jetë më të mirë, për më shumë harmoni në mes të këtij komuniteti të mrekullueshëm.

Duke kërkuar votën për LSI-në, Rama ka theksuar se LSI-ja nuk ka ardhur asnjëherë para qytetarëve të vetë pa alternativë konkrete.

“LSI-ja tha edhe në këto zgjedhje lokale ka projekte konkrete, të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e infrastrukturës, krijimin e hapësirave të reja pune, hapjen e qendrave trajnimit profesional”, tha ai.

Duke mbetur në këtë argument z. Rama i bëri thirrje atyre socialistëve që gjithmonë kanë punuar pa u lodhur për të parë Shqipërinë sa më afër pjesë e Bashkimit Europian që të votojnë LSI-në dhe kandidatët e këtij koalicioni.

a.k/NOA

KOMENTE