Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Mendimi Politik Shqiptar
English

Mendimi Politik Shqiptar

Nga Nexhmedin Spahiu

Ndriçim Kulla ka bërë një punë me vlerë: Lëndën në dy semestra Mendimi Politik Shqiptar (I) dhe Mendimi Politik Shqiptar (II) do të duhej ta kishin të gjitha universitetet publike e private në Shqipëri e Kosovë në degët: Shkenca Politike, Gazetari, Sociologji, Filozofi, Histori, Juridik e të ngjashme

Kur miku im, poeti dhe gazetari, Ndrek Gjini më dhuroi librin e Ndriçim Kullës “Antologji e Mendimit Shqiptar” nuk isha aq mirënjohës sa jam tani për këtë dhuratë të çmuar. Kur mora librin pashë se të 25 autorët e përfshirë në këtë antologji i kisha lexuar më parë dhe nuk mu duk asgjë e veçantë në këtë libër. Por, obligimi moral kur tjetri të dhuron librin është ta lexosh, dhe unë thash me vete hajt se ndoshta tani pas disa viteve këta autorë mund t’i shoh me tjetër sy.

Fillova me leximin e kësaj antologjie dhe autorët që kisha lexuar vite më parë në periudha të ndryshme të jetës, disa prej këtyre madje edhe nga disa herë nuk i pashë me sy tjetër nga çfarë i kam parë më përpara, por pashë diçka të mrekullueshme: pashë vijimësinë e mendimit politik shqiptar shumë më të artikuluar se sa mund ta imagjinoja. Pashë se Ndriçim Kulla ka bërë punë shumë të vlershme meritore për lëvdatë publike dhe miku im Ndrek Gjini falënderim publik.

Do të ishte mirë që nxënësit e vitit të fundit në gjimnaz ta kishin për lëndë thelbin e kësaj materieje me titull: Mendimi Politik Shqiptar. Po këtë lëndë në dy semestra, dmth Mendimi Politik Shqiptar I dhe Mendimi Politik Shqiptar II do të duhej ta kishin të gjitha universitetet publike e private në Shqipëri e Kosovë në degët: Shkenca Politike, Gazetari, Sociologji, Filozofi, Histori, Juridik e të ngjashme.

Sigurisht, që për këtë mungon kuadri gjegjës, por sa për fillim libri i Ndriçim Kullës kishte me shërbye si tekst bazë për syllabusin e kësaj lënde, ndërsa me kohën do të ishte përsosur edhe kuadri mësimor për këtë lëndë shumë të domosdoshme jo vetëm për kulturën politike, por në rend të parë për konceptin politik shqiptar të çorientuar gjatë sundimit komunist.

Të gjithë ata që po i lexojnë këto rreshta e nuk e kanë lexuar antologjinë e Ndriçim Kullës, besoj, se janë kuriozë të dinë se cilët janë 25 autorët shqiptarë të përfshirë në këtë antologji të mendimit shqiptar. Këta janë: Vaso Pasha, Sami Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Mit’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Eqrem bej Vlora, Branko Merxhani, Anton Harapi, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, Zef Valentini, Stavro Skendi, Ismet Toto, Safet Butka, Nebil Çika, Sejfullah Malëshova, Zef Mala, Nonda Bulka, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Krist Maloki e Gjon Shllaku.

A janë pikërisht këta 25 kolosët e mendimit politik shqiptar apo ka emra të tjerë më të merituar se ndonjëri prej këtyre, është çështje e vlerësimit të studiuesve të kësaj fushe. Vlerësimi im nuk është i përputhshëm me vlerësimin e Ndriçim Kullës, por kjo nuk e zvogëlon vlerën e punës që ka bërë Ndriçim Kulla. Tek e fundit se kush duhet të jetë i përfshirë në antologjinë e 10-ve, 20-ve, 25-ve apo 100-ve, është çështje e debatit të përhershëm mes studiues të kësaj fushe. Ajo çfarë është me rëndësi momentalisht është që ky debat të fillojë sa më parë.

Nëse kjo lëndë do të futet në gjimnazet dhe universitetet tona, e kjo gjë është e nevojshme një minutë e më parë, atëherë ajo çfarë do të duhej bërë kujdes është që në përmbajtje të mos përfshihet ndonjë autor i gjallë, sepse kjo kish për ta banalizuar tej mase intencën e kësaj lënde mësimore: konceptimin tonë politik.

NOA

KOMENTE