English

Monitorimi i medias, debate mbi transmetimet televizive për fushatën

Tiranë, 23 prill 2011 NOA/ Ervin Tirana - Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë tha sot se Bordi i Monitorimit të Medias kompromenton vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë reagoi pasi u njoh me vendimin e marrë sot nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për lejimin e kasetave filmike nga shtabet elektorale të kandidatëve.

Ky vendim erdhi pas propozimit të bërë nga Bordi i Monitorimit të Mediave më datë 21.04.2011, në kapërcim të kompetencave të tij, të cilat, sipas nenit 85 pika të Kodit Zgjedhor, shtrihen vetëm në “monitorimin e zbatimit të dispozitave të këtij Kodi për fushatën zgjedhore në radion dhe televizionin publik dhe ato private”.

Koalicioni kishte publikuar më datën 14 Prill 2011 një deklaratë mbi rolin dhe standardet që duhet të ndjekin mediat në pasqyrimin e fushatës zgjedhore, ku ka shprehur qëndrimin e tij në lidhje me kasetat e përgatitura të subjekteve elektorale që iu imponohen mediave televizive për t’i transmetuar në edicionet e tyre informative.

Kodi Zgjedhor shprehet qartë në lidhje mënyrën e pasqyrimit të fushatës elektorale në mediat televizive, e posaçërisht në edicionet informative të tyre.

Pavarësisht, synimit të këtij vendimi të KQZ-së, për të siguruar një mbulim të barabartë për subjektet elektorale nga të gjithë operatorët televizivë, edhe në rast të “pamundësisë së mbulimit me resurset e veta”, ky vendim është i paplotë përsa kohë ai nuk detyron qartë partitë dhe në veçanti kandidatët në garë që paraprakisht të njoftojnë dhe të lejojnë operatorët televizivë në takimet e tyre elektorale.

Koalicioni, gjithashtu, shpreh rezerva për bazën ligjore dhe llojin e këtij vendimi, pasi ai del mbi dispozitat e parashikuara në Kodin Zgjedhor.

Koalicioni i bën thirrje organeve të administrimit të zgjedhjeve e në veçanti Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në punën dhe misionin e tyre të mos orientohen nga dëshirat apo imponimet politike që mund t’i vijnë nga kandidatët në garë.

Gjithashtu, Bordi i Monitorimit të Medias duhet të përmbushë detyrën dhe funksionin e parashikuar nga ligji duke vepruar në mënyrë jopartizane dhe jopolitike, kërkon ky Koalicion.

e.t/NOA

KOMENTE