Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Xhaferaj, i pari që prezanton programin e plotë elektoral
English

Xhaferaj, i pari që prezanton programin e plotë elektoral

Durrës, 23 prill 2011 NOA - Kandidati demokrat Ferdinand Xhaferaj prezantoi sot programin e plotë të qeverisjes së Durrësit duke u bërë kështu i pari që ndërmerr këtë hap në mënyrë të plotë.

“Ne tani kemi të plotë programin e zhvillimit të Durrësit për katër vitet që vijnë dhe për më tej,” - tha kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kreun e Bashkisë së Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, gjatë prezantimit të platformës së tij për qeverisjen e qytetit.

Në zgjedhjet vendore të 8 majit, kandidati demokrat Xhaferaj gjendet përballë rivalit socialist Vangjush Dako.

“Ky program bëhet nga qytetarët dhe për qytetarët, sepse të gjithë bashkë kemi rënë dakord se qyteti ynë meriton më shumë,” - vijoi Xhaferaj.

Kandidati demokrat vazhdoi duke treguar shtyllat se ku mbështetet programi i tij, që janë: shërbimet urbane, mbrojtja e mjedisit, infrastruktura rrugore dhe transporti, infrastruktura sekondare, dhe zhvillimi urban.

“Në fakt, shtyllat e programit janë në vetvete shërbime që ofrohen nga Bashkia, sepse gjatë katër viteve të këtij mandati ajo që mungoi më shumë ishin shërbimet, - tha Xhaferaj, - për asnjë moment Bashkia nuk i shërbeu qytetarëve.” “Këto shtylla do të mundësojnë një zhvillim të qëndrueshëm për qytetin, që do të thotë një Durrës më të mirë për gjeneratën tonë, por njëkohësisht edhe një Durrës më të mirë për gjeneratat që do të vijnë,” - shtoi Xhaferaj.

Shërbimet urbane

Kandidati Xhaferaj identifikoi ndërhyrjet në rrjetin e kanalizimeve, veçanërisht në zonën e Plazhit. Me anë të një projekti prej 11 milion dollarësh, me fonde të Bankës Botërore dhe të Komisionit Evropian, i gjithë rrjeti i kanalizimeve dhe stacionet e pompimit në Plazh do të rehabilitohen plotësisht. Ndërhyrje të tjera do të ketë edhe në qytet, veçanërisht sa i përket rehabilitimit të kanaleve kulluese të hapura, të cilat do të pajisen me tuba dhe, në Shkozet e në ish-kënetë, ato do të mbulohen për t’u shndërruar në rrugë dhe hapësira të gjelbra në shërbim të njerëzve. Në lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm, ndërtimi i një linje të re ujësjellësi nga Fushë-Kuqja vetëm për Durrësin, përmes një projekti prej 60 milionë euro të buxhetit të shtetit dhe të donatorëve të huaj, parashikohet të dyfishojë prurjen në qytet, nga 400 metër kub në sekondë që është tani në afro 800 metër kub në sekondë.

Mbrojtja e mjedisit

Ndërhyrje të rëndësishme, por që janë edhe të domosdoshme, janë parashikuar në drejtim të gjelbërimit dhe mbrojtjes së mjedisit. Mbyllja e vendit ku hidhen mbeturinat në Porto Romano, ndërtimi i një impianti rajonal për trajtimin e mbetjeve urbane në Manëz, dhe përfundimi i impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në afërsi Shënvlashit do të jenë ndërhyrjet kryesore. Xhaferaj parashikon edhe ndërhyrje në Kodrën e Vilës, “ndërhyrje që janë të domosdoshme edhe për arsye sigurie për shkak të erozionit.” Ndërtimi i mureve mbrojtëse përgjatë kodrës dhe gjelbërimi do të përmirësojnë gjendjen atje. “Durrësi aktualisht plotëson nevojat për gjelbërim vetëm për një të dhjetën e popullsisë, - tha Xhaferaj, - por, kjo gjendje do të ndryshojë.”

Infrastruktura rrugore dhe transporti

Ndërtimi i unazës mbetet projekti më madhor i infrastrukturës rrugore që do të zgjerojë zhvillimin e qytetit. “Qyteti, pas ndërtimit të unazës, për herë të parë në historinë e tij, - tha Xhaferaj, - nuk do të zhvillohet më në mënyrë lineare, por do të zgjerohet dhe do të marrë frymë lirisht.” Ndërtimi i unazës nis nga rruga e re që do të ndërtohet përgjatë portit në drejtim të Kallmit dhe, në Currila, kjo rrugë degëzohet kah Kodra e 12 Shkallëve për t’u lidhur me Rrugën “Aleksandër Goga”. Duke shtuar këtu edhe ndërtimin e kampusit të ri universitar në Spitallë, Durrësi merr një drejtim të ri zhvillimi, i cili nuk është më i përqendruar në një qendër, por shtrihet njëtrajtësisht në të gjithë qytetin. Kjo do të zgjidhë problemin e trafikut në qytet. Megjithatë, kandidati Xhaferaj nuk ka harruar rrugët dhe rrugicat e lagjeve të qytetit, kur tha se “në fund të mandatit të gjitha rrugët mes lagjeve do të jenë të rregulluara.”

Infrastruktura sekondare

Në këtë shtyllë të programit të kandidatit Xhaferaj përfshihen elementë të tillë, si: shkolla, kopshte, çerdhe, shërbime për moshën e tretë, shërbime për rininë, sporti, kultura, etj. Sipas Xhaferajt, “ndërtimi i kompleksit të pishinave dhe biblioteka janë dy objektiva parësore.” Biblioteka e re publike do të vendoset tek godina ku aktualisht është Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave Shqiptare, pasi ajo parashikohet të zhvendoset prej andej. “Me fondin prej 600 mijë euro, - tha Xhefarej, - godina do të rikonstruktohet dhe do të shndërrohet në një bibliotekë moderne për qytetin.” Xhaferaj shtoi se qyteti ka nevojë për shkolla dhe kopshte, dhe tha se “brenda mandatit do të ndërtohet një shkollë e mesme, dy shkolla 9-vjeçare, dhe të gjitha shkollat ekzistuese do të rikonstruktohen,” pa harruar edhe kujdesin për moshën e tretë në formën e qendrave ditore apo të faciliteteve të tjera.

Zhvillimi urban

Plani i përgjithshëm rregullues, për një qytet, është kushtetuta e zhvillimit të tij. Durrësi nuk e ka një të tillë dhe kjo është një nga arsyet që qyteti ka këtë zhvillim kaotik, jo vetëm në ndërtime, por edhe në jetën shoqërore, në zhvillimin ekonomik, etj. Dhe, sipas Xhaferajt, “kjo është bërë me dashje për të përfituar nga klientelizmi.” Xhaferaj tha se “Durrësi do të ketë shumë shpejt planin e përgjithshëm rregullues, i cili do t’i japë fund ndërtimeve kaotike dhe çdo qytetar që kërkon të zhvillojë pronën e tij do t’i ketë të qarta mundësitë e zhvillimit.”

Vizioni për qytetin

Xhaferaj tha se “i gjithë programi është parashikuar t’u shërbejë qytetarëve.” Krahas investimeve publike, një shtysë tjetër e fortë për zhvillimin e qytetit do të jetë sipërmarrja private, për të cilat Xhaferaj parashikon të ulë taksat deri në 50 përqind në fund të mandatit. “Të gjitha këto do të rrisin zhvillimin e qytetit, duke gjeneruar më tepër të ardhura dhe duke ulur papunësinë,” - shtoi Xhaferaj.

Në programin e tij një vend të rëndësishëm zënë edhe projektet për të ardhmen. “Ne duhet të kemi një Durrës më të mirë edhe për gjeneratat e ardhshme,” - tha Xhaferaj, duke theksuar rëndësinë që ka hartimi i projekteve për të përcaktuar vizionin e qytetit për dekadat që vijnë.

a.d/NOA

KOMENTE