English

Ballkani - Informatat “hermetike” për qytetarët

Shumica e institucioneve akoma nuk kanë regjistër të veçantë për kërkesat që lidhen me të drejtën e informimit, edhe nëse ekziston një regjistër i tillë procedurat për gëzuar këtë të drejtë janë tepër të gjata dhe të mundimshme

Nga Muhamer Pajaziti

Aktualisht situata në fushën e qasjes së lirë në shtetet e rajonit të Ballkanit është në gjendje të mjeruar megjithëse kuadri ligjor dhe legjislacioni për qasjen e lirë në dokumentet zyrtare ekziston. Integrimi i këtij rajoni varet direkt prej përmbushjes së standardeve të cilat i kërkon Bashkimi Evropian, ku pa mëdyshje këtu bie edhe ligji për qasje të lirë në informata. Institucionet kryesore shtetërore nuk janë transparente me shoqërinë civile për bërjen publike të dokumenteve zyrtare që ato disponojnë.

Zbatimi i këtij Ligji i cili ka të bëjë me të drejtat themelore të njeriut si dhe luftimin efektiv të korrupsionit është duke hasur në vështirësi si pasoj e mentalitetit burokratik, i cili ka mbetur si trashëgimi nga koha e sistemit të komunizmit.

Shoqëria civile në përgjithësi e ka të vështir të sigurojnë qasje deri te dokumentet qeveritare, ligjet si dhe aktet normative që miratohen nga Qeveritë dhe ministritë si pasoj e kësaj burokracie institucionale. Shumica e institucioneve akoma nuk kanë regjistër të veçantë për kërkesat që lidhen me të drejtën e informimit edhe nëse ekziston një regjistër i tillë procedurat për gëzuar këtë të drejtë janë tepër të gjata dhe të mundimshme.

Në rastet kur nuk ka një strukturë për marrëdhëniet me publikun është e mundur që të mos respektohen afatet sepse kemi një shpërndarje të përgjegjësisë dhe nuk e njohin këtë detyrim.

Ndërkohë nuk rezulton asnjë veprim administrativ ndaj punonjësve të këtyre institucioneve për mosrespektim të afateve për kthimin e përgjigjeve për qytetarët.

Demokracia është një nga principet më kryesore të BE-së. Ndërsa parakushti i kësaj demokracie është që qytetarët duhet kenë mundësi informacioni të mjaftueshëm rreth asaj se çfarë kanë bërë autoritet publike, çfarë janë duke bërë dhe çfarë planifikojnë të bëjnë. Pa informacionin adekuat shoqëria civile nuk do jetë e aftë të vlerësoj funksionimin e atyre për të cilët kanë dhënë votën.

Bashkimi Evropian që prej themelimit vazhdimisht ka plotësuar legjislacionin për qasje te lire dhe transparence, ne këtë drejtim në shumicën e Traktateve: ( Traktati i BE-së, Mastrihtit, Amsterdamit etj) si dhe disa rregullore dhe deklarata është parapare dhe garantuar qasja e lirë për shoqërinë civile në dokumentet e të gjitha institucioneve të kësaj organizate. Megjithatë pakënaqësitë dhe kërkesat e qytetarëve në BE akoma janë evidente.

Numri i ankesave të qytetarëve të pakënaqur të cilët kërkojnë të kenë qasje të lirë në dokumentet e ndryshme për çdo vit është në rritje e sipër. Në bazë të dhënave të Ombudspersonit Evropian numri i kërkesave për çdo vit arrin diku afër 4 mijë.

Krejt ky interesim i qytetarëve i cili vazhdimisht është në rritje e sipër vjen si pasoj e dinamikës dhe kahes së zhvillimit dhe procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ky proces ka bërë që shpesh te ngritën keqkuptime mes institucioneve Evropiane, interesave politiko- nacionale dhe ekonomike si dhe publikut evropian i cili kërkon edhe më shumë transparencë në politik bërjen e BE-së.

Në vendet e rajonit të Ballkanit, përjashtuar Sllovenin dhe Kroacinë situata është ndryshe, këtu shoqëria civile akoma vazhdon të jetë e konservuar dhe pa aftë të jetë pjesë e procesit vendimmarrës, qytetarët ndihen të paralizuar në të gjitha aspektet shumica e tyre nuk kanë njohuri minimale se ku munden të sigurojnë një informacion i cili ka të bëjë direkt me jetën e tyre. Deri sa të jetë kështu do të zgjatet jeta e atyre që merrem me keqpërdorime dhe korrupsion, këto dukuri do të lulëzojnë edhe më tepër, ndërsa qytetarët për çdo ditë do të jenë më të varfër dhe të pasigurt në vendin e tyre.

(Autori është ligjërues në Institutin për Studime Politike dhe Evropiane - ISPE)

KOMENTE