English

Braçe: Basha të përgjigjet për shtëpitë dhe pasaportën amerikane

Tiranë, 24 prill, NOA – Partia Socialiste ka hedhur sot akuza të ashpra ndaj kandidatit për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Në një deklaratë për media, deputeti Erion Braçë u është referuar artikujve të botuar në media në lidhje me pasurinë e Bashës dhe ka kërkuar sqarime nga vet Basha dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Sipas Braçes, Basha ka “Basha ka gënjyer me pasurinë e tij. Tashmë rezulton e provuar se Lulzim Basha ka deklaruar e mashtruar për shtëpinë e blerë e shitur në pak vite në Hollandë. Ka gënjyer kur ka deklaruar se ka blerës 510 mijë gulden, kur në kontratë është shënuar 450 mijë gulden/ rreth 60 mijë gulden më tepër të pajustifikuar në deklarimin e pasurisë. Ka gënjyer kur ka deklaruar në “deklarimin e pasurisë” të 20 mars 2008 për vitin 2007, se: Ka shitur shtëpinë në Hollandë. Ka shlyer menjëherë kredinë ndaj Post Bank në vlerën e detyrimit 199 726 euro. Dokumentet tregojnë se Lulëzim Basha e ka shitur shtëpinë në Hollandë në prill 2008, një vit më pas”.

Sipas deputetit socialist është e paqartë se me çfarë parash “u likujdua kredia në vitin 2007 në shumën 199 726 euro, kur shitja dhe paratë prej saj u kryen e u arkëtuan në vitin 2008?”

Sipas tij deklarimi i rremë i pasurisë ndëshkohet me deri 3 vite burg, për personat e zgjedhur dhe zyrtarët publikë. Nga ana tjetër Braçe ka deklaruar se Lulëzim Basha është disponues i tre pasaportave diplomatike shqiptare dhe një amerikane.

“Nga verifikimi i raporteve të hyrje daljeve në Rinas rezulton se Basha ka lëvizur me të tre pasaportat diplomatike, të trija të vlefshme në të njëjtën kohë. Nga dokumentet noteriale të blerjes së shtëpisë në Hollandë rezulton se Lulëzim Basha është mbajtës i një pasaporte amerikane të pazakontë”, tha Braçe.

Deputeti socialisit ka kërkuar që kandidatit Basha të tregojë të vërtetën për shtëpinë e tij në Holandë, pasaportën diplomatike dhe pasaportën amerikane.

“Po për të njëjtat arsye ne pyesim sot ILDKP: -Përse nuk bëhet publik raporti i hetimit të nisur nga ky institucion për pasurinë e Lulzim Bashës në vitin 2006? A jeni në dijeni të deklarimit të rremë të kryer nga Ministri Basha në kohë të ndryshme? Kur do të nisë hetimi për këtë deklarim? A është verifikuar ndonjëherë nëse ka depozita të tjera bankare të individualizuara në pasaportat e shumëfishta diplomatike të Ministrit Basha?”, tha sot Braçe.

a.k/NOA

KOMENTE