English

Një rekomandim për ju, z. Lulzim

Pasi qe marrë vendimi për shpalljen e Tiranës kryeqytet të Shqipërisë, njëra nga figurat më emblematike të mendimit kritik shqiptar, Faik Konica, në vitin 1921, pati bërë ca propozime lidhur me planimetrinë e Tiranës e sidomos për vendshpërndarjen e institucioneve publike dhe të zyrave të administratës. Duke u shprehur konkretisht se ku duhej të ngrihej njëri ose tjetri institucion, ai pati parashikuar edhe vendin se ku duhej të ngrihej Krematoriumi

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri*

U bënë dy javë që jam duke ndjekur fushatën zgjedhore që ju po zhvilloni për postin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Bashki kjo, e cila, po të kemi parasysh shtimin e shpejtë të popullsisë brenda këtyre njëzet vjetëve, ka marrë një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimet mbarëkombëtare.

Dëshiroj me gjithë zemër që angazhimet që keni marrë para qytetarëve të Tiranës, të mund të arrini t’i realizoni me sukses. Sepse vëmendja dhe kujdesi i përhershëm për zgjidhjen e problemeve shqetësuese të qytetarëve, duhet të jenë në qendër të vëmendjes së çdo politikani dhe aq më tepër të një kryetari bashkie, siç po premtoni ju me shumë të drejtë.

Premtimet që keni bërë në të gjitha takimet e ngrohta me banorë të ndryshëm të minibashkive, janë me ta vërtetë mbresëlënëse, sidomos ato që lidhen me uljen e taksave që e rëndojnë së tepërmi xhepin e qytetarëve të kryeqytetit.

Mes shumë halleve që u janë krijuar qytetarëve të Tiranës në sferën financiare, unë, i nderuar zoti Lulëzim, dëshiroj të ndalem në një problem që është shumë i prekshëm, fort shqetësues për çdo familje të kryeqytetit dhe që, për specifikën që përfaqëson, nuk mund të jetë pjesë e premtimeve në një fushatë zgjedhore, si kjo që po zhvillohet tani në vendin tonë.

Problemi ka të bëjë me hapësirat që nevojiten për varrezat e kryeqytetit. Siç e dini, qoftë në Sharrë, qoftë në Tufinë, sipërfaqet për varreza kanë shkuar në limitet e tyre. Së fundi, nga halli, zyrat e funeralit të Tiranës, janë të detyruara të shfrytëzojnë edhe rruginat mes varreve për hapje varresh të reja.

Varrezat e Sharrës, përveç shtrirjes në drejtim të Rrogozhinës, kanë filluar të ngjiten drejt kodrave. Dhe ka rrezik që dikur, kurora e Tiranës dhe shpatet e Malit të Dajtit sipër Tufinës, të shndërrohen krejtësisht në varreza.

Në këto kushte, i nderuar zoti Lulëzim, unë mendoj se duhet t’i kthehemi traditës së mendimit kritik shqiptar për këtë çështje mjaft të mprehtë të ditëve tona.

Pasi qe marrë vendimi për shpalljen e Tiranës kryeqytet të Shqipërisë, njëra nga figurat më emblematike të mendimit kritik shqiptar, Faik Konica, në vitin 1921, pati bërë ca propozime lidhur me planimetrinë e Tiranës e sidomos për vendshpërndarjen e institucioneve publike dhe të zyrave të administratës. Duke u shprehur konkretisht se ku duhej të ngrihej njëri ose tjetri institucion, ai pati parashikuar edhe vendin se ku duhej të ngrihej Krematoriumi.

Prandaj, i nderuar zoti Lulëzim, mendoj se, në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e zotit Berisha, këtë problem duhet ta shikoni me shumë seriozitet, jo vetëm për shqetësimet që kanë kohë që kanë lindur për vendvarrime të reja, por edhe për sensibilizimin e mbarë opinionit publik për domosdoshmërinë e ngritjes së një Krematoriumi të tillë, ashtu siç janë ngritur dhe funksionojnë kahershëm në vendet e tjera.

Ju uroj suksese në fushatën zgjedhore dhe dëshiroj me zemër që më 09 maj t’u kemi Kryetar të Bashkisë.

* Dërguar nga autori, Santa Barbara, Kaliforni - SHBA

KOMENTE