English

Rama me familjen feston Pashkët në Sarandë‏

Sarandë, 24 prill 2011, NOA - Ndryshe nga ceremonitë e zhvilluara vitet e mëparshme, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka preferuar që Ditën e Pashkëve ta festojë në qytetin e Sarandës.

I shoqëruar nga familjarët e tij, Rama ka qenë në mesnatën e djeshme në kishën ortodokse të qytetit bregdetar.

Në krah të tij nuk ka qenë vetëm bashkëshorja, Linda, por edhe djali i tij Gregori dhe vajza e Lindës, Rea, e cila është kthyer enkas nga studimet në Itali, për të marrë pjesë në ceremoninë e festimit të Pashkëve.

Zgjedhja e Sarandës për të festuar Pashkën duket se ka qenë një zgjedhje e detyruar për shkak të axhendës së ngjeshur të kryetarit të Partisë Socialiste gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore.

Praninë e tij me familjen, Rama e anonçoi edhe gjatë fjalimit që mbajti mbrëmjen e djeshme në qytetin e Sarandës, ku prezantoi kandidatin për kryetar Bashkike Stefan Çipa.

“Jam shumë i lumtur që këtë ditë të bekuar ta kaloj këtu midis jush, bashkë me gruan time të dashur dhe me dy fëmijët”, tha dje kreu i PS-së para elektoratit socialit.

Ndërkohë që pas mitingut, Rama ka zgjedhur një prej lokaleve të qytetit bregdetar për të darkuar së bashku më familjen e tij.

Ndërsa më pas, familja Rama është bashkuar me qytetarët e tjerë dhe ka marrë pjesë në ceremonitë festive.

a.k/NOA

KOMENTE