English

Bashkia e Durrësit: Vendimi i KQZ politik, nuk na trembin gjobat e pushtetit

Durrës, 25 prill 2011, NOA - Vendimi i KQZ-së për të penalizuar me gjobë Bashkinë e Durrësit pse kjo e fundit nuk ka miratuar në kohë listën dhe vendvotimin për 83 të burgosur është vlerësuar si një vendim antiligjor dhe politik. Bashkia e Durrësit në reagimin e saj u shpreh se vendimi i anëtarëve të qeverisë në KQZ përbën jo vetëm një shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor, por nxjerr në pah edhe natyrën politike të vendimmarrjes së këtij komisioni.

Kjo bashki bën me dije se ka vepruar konform ligjit dhe në respekt të plotë të tij, duke sqaruar se “Lista me emrat e të burgosurve është sjellë nga autoritetet e burgjeve jashtë afateve ligjore”.

Sipas bashkisë së Durrësit ky argument u është bërë i ditur edhe autoriteteve përkatëse të burgjeve.

Bashkia e Durrësit në komentin e saj thekson se vendimi i KQZ-së është thjesht dhe vetëm me motive politike.

“Nga ana tjetër ky vendim dëshmon qartë se zgjedhjet vendore janë të kërcënuara nga vendimmarrje arbitrare politike nga ana e anëtarëve të qeverisë në KQZ, të cilat do të cënojnë jo vetëm procesin zgjedhor, por do të hedhin hije të forta dyshimi se edhe këto zgjedhje nuk do të jenë të lira dhe të ndershme”, nënvizon bashkia e Durrësit në deklaratën për mediat.

Bashkia e Durrësit deklaroi se vendimin e KQZ-së do ta çojë në Kolegjin Zgjedhor.

Ajo i siguroi qytetarët se vullnetin për të zbatuar ligjin nuk do të mund ta trembin gjobat e pushtetit.

mit/NOA

KOMENTE