English

PD: Projekti i Ramës rikonfirmon dështimin dhe premtimet e pambajtura

Tiranë, 25 prill 2011, NOA – Deputeti demokrat Fatbardh Kadilli deklaroi se projekti i prezantuar sot nga kryebashkiaku Edi Rama është bërë që në vitin 2000 dhe rikonfirmon dështimin dhe premtimet e pambajtura gjatë gjithë këtyre viteve si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Deputeti Kadilli bëri me dije se “duke ripërsëritur për të 3-ën apo të katërtën herë premtime që zënë fill që në vitin 2000, Rama bëhet qesharak kur pretendon se thelbi i projektit të tij 20-vjeçar, është infrastruktura”.

Në këtë kontekst Kadilli kujtoi se Rama për 11 vjet rresht nuk arriti të

zgjidhë as çështjen e ndriçimit rrugor.

“Pjesa dërrmuese e akseve rrugore në qytetin e Tiranës, vuajnë prej kohësh mungesën e ndriçimit të energjisë elektrike. Pamjet gjatë orëve të natës, nuk kanë nevojë për koment, por për më tepër për reflektim qytetar se cila është zanafilla e qindra aksidenteve”, u shpreh deputeti Kadilli.

Ai solli në vëmendje edhe mungesën prej shumë muajsh të energjisë elektrike në shtyllat e vendosura në rrugë mungon, duke akuzuar se Bashkia e Tiranës që ka nën përgjegjësi sistemin e ndriçimit në kryeqytet, nuk ka ndërhyrë për të zgjidhur këtë problem, duke bërë që errësira të bëhet shkak për aksidente.

“Kryebashkiaku ka dështuar edhe me ndriçimin”, tha Kadilli duke sjellë si shembull tipik aksin rrugor nga Lapraka deri tek Zogu i Zi, i cili është i tëri në errësirë.

Deputeti demokrat sqaroi se pretendimi i Bashkisë se në Tiranë ekzistojnë 13,301 pika ndriçimi, nuk është i vërtetë.

Ai bëri me dije se sipas llogaritjeve, numri total i pikave të ndriçimit është 5. 236 pika ndriçimi dhe jo 13.301.

“Kjo situatë nuk duhet të vazhdojë më, na duhet një kryebashkiak që të zgjidhë problemet themelore të qytetit, jo një kryebashkiak që interesohet vetëm për betejën politike kombëtare. Na duhet një kryebashkiak për qytetin”, apeloi deputeti i PD-së Fatbardh Kadilli.

mit/NOA

KOMENTE