English

Topi-Sequi: Zgjedhjet jetike për integrimin, Barroso në Tiranë në 21 maj

Tiranë, 26 prill 2011, NOA – Në vigjilje të zgjedhjeve vendore të 8 majit, të cilësuara si tejet të rëndësishme për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë një tjetër lajm vjen se vetë presidenti i Komisionit Europian Manuel Barroso do të vizitojë Shqipërinë në 21 maj. Lajmin e bëri publik kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi gjatë takimit me presidentin e Republikës Bamir Topi.

Thirrjet për mbarëvajtje të procesit zgjedhor dhe respektim të votës së qytetarëve, por edhe të rezultatit të zgjedhjeve përforcohen këtë herë me vizitën pas zgjedhjeve të presidentit të KE-së, i cili e anuloi vizitën në Tiranë para pak javësh.

Presidenca zbardhi pak minuta më parë takimin e presidentit Topi me ambasadorin Sequi, gjatë të cilit u diskutua situata në vend në prag të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Kreu i Shtetit theksoi nevojën e zhvillimit të një fushate sa më të qetë e të civilizuar si dhe mbajtjen me sukses të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe sipas standardeve demokratike.

Ndërkohë, Kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ambasadori Sequi vuri në pah rëndësinë jetike që zgjedhjet vendore të 8 majit kanë për ecurinë integruese evropiane të vendit tonë.

Ai e informoi Kreu e Shtetit shqiptar për vizitën e ardhshme në Tiranë më 21 maj 2011 të Presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barrozo, në krye të një delegacioni zyrtar të nivelit të lartë.

Kjo vizitë tingëllon si një inkurajim për palën shqiptare që të ecë nëpër shinat e demokracive evropiane dhe të përmbushë standardet më të mira të vendeve të BE-së.

mit/NOA

KOMENTE