English

Berisha, Ramës: Paraqitu shqiptarëve alternativë, se për sharjet kanë kazanin

Kukës, 27 prill 2011, NOA Update – Nga Kukësi ku mbështeti rikandidimin e Hasan Halilit, si kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar bashkie, lideri demokrat Sali Berisha e ftoi liderin e opozitës Edi Rama t’u paraqesë shqiptarëve alternativën e tij, dhe jo atë të sharjeve, pasi për shpifjet, trillimet, shqiptarët si çdo komb tjetër i qytetëruar kanë kazanin, kazanin dhe vetëm kazanin.

Kryeministri u kërkoi banorëve të Kukësit të votojnë alternativën e anëtarësimit në NATO, dhe jo atë të rrugës së vetme, që e nxori nga veprat e diktatorit mizor për ta qarkulluar nëpër Shqipëri kryetari i Partisë Socialiste.

“Pavarësisht se e ka marrë nga veprat e babës të tij shpirtëror Enver Hoxhës, dua t’i them këtu se kurrë ndonjëherë më ato kohëra nuk kthehen, mirë po ajo alternativë për veç anës së të shkuarës së zezë ka rikthyer anën tjetër të medaljes, së sharjes, shpifjeve e trillimeve që nuk kanë asgjë të përbashkët me moralin e qytetarëve të lirë, me moralin e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi kryeministri në tubimin elektoral.

Shefi i qeverisë tha se në alternativën e rrugës së vetme, mohohet rruga e kombit duke u quajtur si rruga e asgjëkundit, përbalten lumi i sakrificave, për të ndërtuar një Kukës tjetër, një Shqipëri tjetër.

Kryeministri Berisha i garantoi kuksianët se çfarëdo që të shpifë, të trillojë dhe të shajë Edi Rama ai nuk ka më ndërmend të merret as edhe një sekondë me të.

“Do të merremi vetëm me ju, me njëri-tjetrin, me hallet tona, me Kukësin qytet i zhvilluar me Shqipërinë vend i zhvilluar, me Kukësin kopsht i bukur, në veriun e Shqipërisë. Ndaj dhe ju ftoj me 8 maj të votoni Hasan Halilin, të votoni kandidatët e “Aleancës për Qytetarin”, të votoni si qytetarë Europiane, të vendosim të gjithë sëbashku në ndërtesën e bukur që ndërtojmë, një tullë te re për ta bërë atë më të bukur më të fortë me Europiane, për të lartësuar gjithnjë e më shumë idealin tonë të lirisë”, premtoi Berisha.

Ai nënvizoi se kjo është alternativa e mundit, e djersës, e kallove, alternativa e rrudhave në ballë, alternativa e pluhurit në fytyrë, alternativa e suksesit të madh, alternativa e anëtarësimit në NATO, alternativa e anëtarësimit në Europë, e rritjes së rrogave, e rritjes së pensioneve.

“8 maji është dita juaj është dita në të cilin ju do të vendosni për katër vitet që vijnë, për sukseset e tjera të mëdha, për integrimin në Europë, për shndërrimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar, për shndërrimin e Shqipërisë në kopshtin më madhështor dhe më te bukur të Europës siç e ka bërë Zoti”, tha kryeministri.

mit/NOA

KOMENTE