Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Vëzhguesit e zgjedhjeve: 8 Maji, shumë gjëra nuk janë gati
English

Vëzhguesit e zgjedhjeve: 8 Maji, shumë gjëra nuk janë gati

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë vlerëson se institucionet e administrimit të procesit zgjedhor kanë rol thelbësor në garantimin e votës së qytetarëve

Tiranë, 27 Maj 2011 NOA/ Ervin Tirana - Kur na ndajnë vetëm 12 ditë nga Zgjedhjet Vendore të 8 Majit, Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë tërheq vëmendjen për mosrealizimin në kohë dhe sipas kërkesave ligjore të disa elementëve thelbësorë në garantimin e procesit zgjedhor, që kanë të bëjnë me administrimin e drejtpërdrejtë të procesit dhe votës së qytetarëve.

Komisionet e Qendrave të Votimit

Koalicioni konstaton me mjaft shqetësim mos ngritjen ende të Komisioneve të Qendrave të Votimit, afati i fundit për ngritjen e të cilave, në çdo rast, ishte data 18 Prill 2011, sikundër parashikohet në nenin 36 pika 2 të Kodit Zgjedhor.

Asnjë nga partitë politike nuk e ka respektuar në mënyrë të plotë afatin e 23 Marsit për depozitimin e emrave të kandidatëve për Komisionet e Qendrave të Votimit.

Për më tepër, pavarësisht se propozimet janë paraqitur me vonesë, ende në një pjesë të mirë të Zonave të Administrimit Zgjedhor (ZAZ) nuk i kanë ngritur këto Komisione.

Në një pjesë të tyre kjo vonesë vjen prej pasaktësisë në dokumentacionin shoqërues të kandidaturave, jo konform kërkesave të parashikuara në Kodin Zgjedhor. Në disa ZAZ nuk jepen arsye për mosngritjen e tyre, ndërkohë që në mënyrë flagrante evidentohet që në disa KZAZ si Bulqizë, Bushat, etj, opozita ende nuk i ka paraqitur propozimet e saj për ngritjen e KQV-ve.

Kjo situatë është tejet e rëndë, jo vetëm për shkeljet ligjore që paraqiten, por edhe për pasojat aspak pozitive që mund sjellë në administrimin e procesit në komisionet e niveleve të treta. Mungesa e kohës së mjaftueshme, jo vetëm për ngritjen e tyre, por sidomos për trajnimin e mirëfilltë të Komisionerëve të Qendrave të Votimit, mund të shkaktojë pasoja jo të vogla në procesin e votimit.

Koalicioni i kërkon partive politike të plotësojnë urgjentisht dokumentacionin ligjor për ngritjen e Komisioneve të Qendrave të Votimit, si dhe të ndikojnë pranë përfaqësuesve të tyre në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) për përshpejtimin e këtij procesi.

Koalicioni i sugjeron Partive Politike, që, në këtë proces, të shfytëzojnë potencialet e tyre për të bërë të mundur emërimin si sekretar të KQV-ve të personave me arsim juridik, çka do të ishte një mundësi më shumë për një administrim më të plotë ligjor të procesit të votimit.

Nisur nga eksperiencat e proceseve të mëparshme elektorale, Koalicioni i bën thirrje Partive Politike që ta shfrytëzojnë në minimum mundësinë ligjore, që iu njeh Kodi Zgjedhor, për ndërrimin e Komisionerëve të tyre në momentet e fundit, ose, të paktën, të sigurojnë që zëvendësuesit t’i nënshtrohen paraprakisht trajnimit respektiv.

Sikundër ka theksuar në raportet e tij për zgjedhjet e kaluara, Koalicioni ka konsideruar se trajnimi pak ose aspak i komisionerëve ka qenë një ndër shkaqet kryesore të zvarritjes së procesit apo i mjaft problemeve të tjera të konstatuara.

Në vazhdimësi, Koalicioni i bën thirrje Partive Politike: PD, PS dhe LSI që të marrin masat e nevojshme për t’i paraqitur në kohë propozimet e tyre për ngritjen e Grupeve të Numërimit të Votave, duke u kushtuar rëndësinë e duhur dhe lënë kohën e mjaftueshme për trajnimin e tyre.

Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor

Koalicioni ka konstatuar se, në disa raste, Komisionerët e ZAZ-ve nuk kanë ushtruar mjaftueshëm dhe profesionalisht detyrat e tyre, jo vetëm në ngritjen e KQV-ve, por edhe në elementë të tjerë si në: sigurimin e afishimit të listave të zgjedhësve pranë të gjitha Qendrave të Votimit; orientimin e qytetarëve që nuk rezultojnë ta kenë emrin në listë; kontrollimin e përmbushjes së kushteve të nevojshme në vendet ku do të ngrihen qendrat e votimit; sigurimin e zbrazjes së këtyre qendrave nga materialet propagandistike, etj.

Koalicioni i kërkon anëtarëve të Komisioneve të Zonave Zgjedhore që në detyrën e tyre të udhëhiqen nga ligji dhe përgjegjësia qytetare për realizimin e një procesi me standarde.

Ata duhet të bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin, larg ndasive dhe urdhrave politikë, duke ofruar vendimmarrje konsensuale dhe ligjore për një proces zgjedhor në interes të qytetarit dhe vendit.

Komisionerët e ZAZ-ve duhet të marrin pjesë dhe të jenë pjesë aktive e trajnimeve që zhvillohen për rritjen profesionale të tyre për një administrim sa më të mirë të procesit sipas afateve dhe standardeve të përcaktuara në Kod.

Koalicioni i sugjeron Komisionerëve të ZAZ-ve që të jenë të pranishëm në trajnimin e Komisionerëve të Qendrave të Votimit për t’i mbështetur dhe ofruar atyre të gjithë asistencën e nevojshme mbi pikëpyetjet apo paqartësitë që mund të ngrihen.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Koalicioni i tërheq vëmendjen dhe i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të ushtrojë në mënyrë konsensuale dhe të plotë autoritetin e tij ndaj komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta në përmbushje të detyrimeve ligjore që parashikohen në Kodin Zgjedhor.

KQZ duhet të mbajë qëndrim ndaj kryetarëve të njësive vendore të cilët kanë lejuar qendra votimi me më shumë se 1000 zgjedhës, në kundërshtim me nenin 62 pika 2 të Kodit Zgjedhor, apo kundrejt atyre të cilët, në mënyrë të panevojshme, i kanë caktuar këto qendra në ambiente private.

Koalicioni shpreh shqetësimin e tij për mosmiratimin ende të manualeve të qendrave të votimit dhe atyre të numërimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Duke marrë shkas nga problematika e vërejtur në procesin e numërimit në zgjedhjet e shkuara, Koalicioni i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që në modelimin final të Vendeve të Numërimit të Votave të marrë në konsideratë sigurimin e pamjes vizuale direkte të vëzhguesve të subjekteve zgjedhore apo vëzhguesve të tjerë, ndaj fletëve të votimit.

Mungesa e përfaqësuesve të partive politike jo-të mëdha pranë Grupeve të Numërimit të Votave rrit mundësinë e mosleximit të drejtë të votave të marra nga këto subjekte.

Plani i mëparshëm i vendosjes së vëzhguesve në Vendet e Numërimit të Votave nuk siguron asnjë garanci në mënyrën e përllogaritjes së votave, pas leximit dhe shfaqjes së tyre në kamera.

Ndërtimi i korridoreve midis tavolinave ku numërohen fletët e votimit do të siguronte një kontakt direkt vizual ndaj fletëve të votimit dhe, njëkohësisht, ndaj administrimit dhe llogaritjes së tyre prej numëruesve.

Koalicioni i kërkon gjithashtu Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i bëjë sa më shumë publicitet testimit të teknologjisë që do të përdoret prej tij në Vendet e Numërimit të Votave, madje i sugjeron kryerjen e këtij testi sa më parë, në mënyrë që të rritet besimi i publikut në mbarëvajtjen e procesit të numërimit apo edhe për shmangur paraprakisht paragjykimet e mundshme mbi këtë çështje nga subjektet në garë.

e.t/NOA

KOMENTE