English

Obama publikon certifikatën e lindjes

Uashington, (SHBA) 28 prill, NOA - Presidenti Barak Obama kërkoi dje t’i japë fund një çështjeje politike që e ka ndjekur atë që para se të zgjidhej në krye të vendit në vitin 2008. Obama bëri publik kopjen origjinale të certifikatës së tij të lindjes, të lëshuar nga shteti i Havait, me shpresë për të heshtur kritikët dhe ata që dyshojnë se ai me të vërtetë ka lindur në Shtetet e Bashkuara. Korrespondenti Xhim Mallon, sjell hollësi nga Uashingtoni rreth prapavijës politike të polemikës rreth certifikatës.

Presidenti Obama bëri një hap të pazakontë, duke dhënë një deklaratë në sallën e shtypit të Shtëpisë e Bardhë për të njoftuar bërjen publike të certifikatës origjinale të lindjes, të lëshuar në Havai, ku ai u lind më 4 gusht 1961.

Kushtetuta amerikane kërkon që presidenti të jetë i lindur në Shtetet e Bashkuara. Por, për më shumë se dy vjet tani, një grup i vogël kritikësh të zotit Obama është përpjekur të ngrejë dyshime se ai ka lindur në Shtetet e Bashkuara, duke ngritur hipotezën se ai ka lindur në Kenia, vendi i origjinës së babait të tij.

Zoti Obama tha se ai shpresonte se me bërjen publike të certifikatës zyrtare të lindjes në format të plotë do t’u jepte fund dyshimeve lidhur me vendlindjen e tij dhe do të lejonte vendin që të përqëndrohet në çështje kombëtare shumë më të ngutshme siç janë ekonomia dhe zvogëlimi i deficitit buxhetor.

“Ne nuk do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë nëse vetëm trillojmë gjëra dhe pretendojmë se faktet nuk janë fakte. Ne nuk do të jemi në gjendje të zgjidhim problemet tona nëse hutohemi nga shfaqjet anësore dhe tellallët e karnevaleve”.

Presidenti nuk përmendi ndonjë emër, por shumë analistë mendojnë se ai iu referua afaristit Donald Tramp, i cili po shqyrton mundësinë e garimit për kandidat presidencial i Partisë Republikane.

Zoti Tramp është marrë me çështjen e certifikatës së lindjes javëve të fundit, çfarë i ka ndihmuar atij të ngjitet në krye të sondazheve të kandidatëve të mundshëm republikanë.

Kur Shtëpia e Bardhë nxori certifikatën e lindjes së presidentit, zoti Tramp ndodhej në Nju Hempshir dhe shpejt u përpoq ta kthente lajmin në epërsi për veten, kur u takua me gazetarët.

“Sot unë jam shumë krenar për veten time, sepse kam bërë diçka që askush tjetër nuk ka qenë në gjendje të bënte. Unë do të doja ta shoh [certifikatën], por shpresoj se është e vërtetë, që ne të mund të merremi me çështje shumë më të rëndësishme”.

Përveç Nju Hempshirit, zoti Tramp planifikon të vizitojë edhe shtete të tjera që zhvillojnë zgjedhje të hershme për kandidatin presidencial të partisë, përfshirë Nevadën dhe Ajovën.

Disa republikanë kanë kritikuar përqendrimin e zotit Tramp mbi çështjen e certifikatës së lindjes javëve të fundit dhe është e paqartë sesi njoftimi i fundit nga Shtëpia e Bardhë do të ndikojë në vendimin e zotit Tramp për t’u kandiduar. Për këtë, ai ka thënë se do të vendosë për muajin qershor.

Analistët thonë se është e mundur që interesi për zotin Tramp të jetë pjesërisht rezultat i faktit që asnjë tjetër kandidat i mundshëm nuk është paraqitur bindshëm në mesin e republikanëve.

Rodz Kuk është analist politik në Uashington. Ai thotë se ndryshe nga ciklet e mëparshme zgjedhore, gara republikane sivjet nuk ka një kryesues të qartë, që është favorit për të fituar emërimin e partisë.

“[Më parë] kishte një kandidat të radhitur në krye qysh në fillim të garës brenda Partisë Republikane dhe ky kandidat thuajse përkufizonte garën republikane. Këtë herë nuk ka [një kandidat të tillë]”.

Ish-kongresmeni republikan, Majki Eduards nga Oklahoma, thotë se republikanët po kërkojnë edhe kandidatë të cilët mund të kënaqin aktivistët e lëvizjes konservatore Tea Party, të cilët ndihmuan në fitoret e republikanëve në zgjedhjet e Kongresit vitin e kaluar.

“Asnjë kandidat nuk po dallohet. Asnjëri nuk e di se ç’ndikim do të ketë lëvizja Tea Party në zgjedhjet partiake, se çfarë qëndrimi duhet mbajtur për të qenë faktor. Nuk mendoj se Donald Tramp duhet marrë seriozisht, por ai mendon se po”.

Për zotin Tramp ka lajme që mund të jenë edhe më të këqija. Numri i djeshëm i gazetës Washington Post shkruante se gjatë viteve zoti Tramp ka dhënë më shumë para për fushatat e demokratëve sesa republikanëve, çfarë mund të mos u shkojë për shtati votuesve në zgjedhjet dhe kuvendet e Partisë Republikane vitin e ardhshëm.

NOA/VOA

KOMENTE